E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bordi i Monitorimit: TV-të dhe radiot të pasqyrojnë profesionalisht fushatën

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka kërkuar nga të gjithë operatorët radio-televiziv privatë dhe shtetërorë, që të respektojnë etikën dhe profesionalizimin gjatë transmetimit të fushatës. Nëpërmjet një kujtese, dërguar çdo radio dhe televizioni, KKRT i bënë të qartë rregullat dhe masat që duhet të marrin ato, në mënyrë që fushata zgjedhore të pasqyrohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Kështu KKRT detyron të gjithë mediat audiovizive, që të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, për t’i dhënë mundësi bordit të monitorimit të medias gjatë fushatës zgjedhore, që të përcaktojë qartë nivelin e zbatimit të ligjit. Sipas kësaj kujtese, radiot dhe televizionet private e pasqyrojnë fushatën zgjedhore vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Ato nuk vënë në dispozicion të subjekteve politike, kohë transmetimi falas për pasqyrimin e fushatës së tyre zgjedhore. Radiot dhe televizionet private në minutazhin politik të edicioneve informative, janë të detyruar të zbatojnë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend. Lidhur me Radiotelevizionin Publik, KKRT kujton se në rast se shkel kërkesat e Kodit Zgjedhor, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore, atëherë KQZ-ja gjobit, sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 20.000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 30.000 lekë redaktorin përgjegjës, me 35 000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 60.000 lekë Drejtorin e Përgjithshëm. Ndërkohë përsa i perkët etikës, operatorët radiotelevizive duhet të garantojnë lirinë e fjalës, duke mbrojtur programin nga fjalët fyese dhe ofendimet në drejtim të racës, besimit fetar, origjinës, gjinisë, jetës private dhe veçantive të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›