E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Mamurras: Bashkitë e PS më mirë se të Berishës

MAMURRAS- Nga Bashkia e Mamurrasit, kreu i PS-së Edi Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha për diskriminimin ndaj njësive vendore që drejtohen nga e majta.

Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të ardhmen” Dedë Ndreca, Rama theksoi se Berisha nuk ka asnjë njësi vendore që mund të paraqesë si model të qeverisjes nga e djathta. Ai tha se njësitë ku qeveris PS-ja nuk krahasohen me ato që janë drejtuar nga PD-ja.

Rama ka përmendur në Mamurras investimet që ka bërë e majta në këtë qytet. "Saliu e di mirë që Mamurrasi është me ne. Kemi qendrën spitalore, shkollat, rrugët dhe stadiumin, që është pjesë e kulturës së këtij komuniteti", - tha Rama.

Ndërsa rruga kryesore sipas kreut të opozitës, ka mbetur e shkretë për shkak të qeverisë që pengon investimet. "Kjo rrugë, që është rruga për të ardhur deri këtu, ka mbetur në këtë gjendje për një arsye, se ai zotëria nuk ka dashur të japë lekët, sepse në Mamurras keni fituar ju", - ka pohuar Rama. "Ai kështu është mësuar të bëjë kudo, duke penguar që t'i mërzisë njerëzit, që ata t'u kthejnë kurrizin atyre që kanë votuar. Por njerëzit nuk janë zhgënjyer nga ne, por nga ai zotëria dhe pushteti i tij i kusarisë e matrapazllëkut", u shpreh Rama, duke folur për Berishën. "Ai, që thotë se do ta kthejmë Koplikun si Dubain dhe se në mal do të bëjë not, nuk ka asnjë qytet të tijin që mund të krahasohet me qytetet dhe komunat që ne qeverisim", - ka nënvizuar Rama, i cili është shprehur i bindur se qytetarët sot janë të zhgënjyer nga Berisha. "Ata që i shkuan pas Saliut kurrë nuk panë një investim për këtë qytet, prandaj, ndërkohë që flet për alternativë, Saliu duhet të kuptojë se ne jemi e vetmja alternativë, e vetmja rrugë", - vijoi kreu i PS-së.

Rama kërkoi votën për kandidatët e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” duke theksuar se kjo është rruga që i bashkon shqiptarët nga ajo që i ndan ata.
(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama inspekton punimet: "Skënderbej" do jetë spektakolar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›