E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kemi investuar 900 mln lekë në Mamurras

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha siguroi sot banorët e Mamurrasit se në katër vitet e ardhshme qeveria do të pesëfishojë investimet për këtë bashki, ndërsa vuri në duke se "në vitet që shkuan, në Mamurras janë investuar rreth 900 milion lekë për rrugë, shkolla, ujësjellës-kanalizime dhe pemëtari".
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Mamurrasit, para të cilëve shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të bashkisë, Ilir Pjetri.

Kryeministri siguroi banorët e Mamurrasit se katër vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë e rrugicë e këtij qyteti dhe fshatrave të tij, si dhe do të garantohet furnizimi 24 orë me ujë. "Ne do të rindërtojmë gjimnazin dhe të gjitha shkollat e tjera të bashkisë dhe do të shndërrojmë Mamurrasin në një qendër të fuqishme industriale e turistike të Kurbinit dhe Shqipërisë", tha ai.

Alternativa jonë bazohet te interesat e qytetarëve, tha Berisha, ndërsa vuri në dukje sukseset e kësaj maxhorance si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion turistik botëror, si dhe renditja e vendit në krye të rritjes ekonomike të Europës.
"Duke renditur sukseset, ne nuk mohojmë apo injorojmë aspak problemet. Ne jemi të vetëdijshëm se sot janë jo të paktë shqiptarët që vuajnë nga papunësia, por theksoj se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë e në botë, e cila, sipas Bashkimit Europian, nuk pati rritje, por ulje të papunësisë", tha Berisha.

Sipas tij, "sërish në Shqipëri ka të varfër, por kjo është varfëri në ulje, sepse qeveria ka dyfishuar rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike". "Varfëria u ul nga 18 përqind që ishte në vitin 2005, në 12 përqind në vitin 2009. Në Shqipëri sërish ka qytetarë që marrin ushqimin me lista, por në vitin 2005 kishte 60 mijë familje shqiptare që merrnin ushqimin me listë dhe sot janë 15 mijë familje", tha Berisha, ndërsa u zotua se "në vitin 2012 nuk do të ketë qytetarë shqiptarë në mjerim dhe varfëri ekstreme".
Ai akuzoi Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po zhvillon një fushatë elektorale me sharje dhe fyerje, ndërsa kujtoi se rruga e vetmisë që ofron opozita është rruga e përpjekjeve të mëdha për të bllokuar anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave për shqiptarët, si dhe alternativa që e cilësoi akt kriminal rritjen e rrogave dhe pensioneve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›