E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha, Grossruck: Standardet më të mira ndërkombëtare



Asambleja Parlamentare e OSBE-së jep siguri për objektivitetin e misionit vëzhgues, ndërsa Kryeministri Sali Berisha garanton një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Z. Berisha takoi dje delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga zëvendëspresidenti i saj, z. Wolfgang Grossruck. Z. Grossruck, i cili është emëruar nga Kryetarja në Detyrë e OSBE-së, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, si Koordinator i Posaçëm i misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, e informoi Kryeministrin Berisha se ai do të udhëheqë vëzhguesit afatshkurtër të OSBE-së dhe se do të koordinojë deklaratën paraprake për llogari të OSBE-së, që do të bëhet më 29 qershor. Ai siguroi delegacionin se qeveria po bën çdo përpjekje për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryeministri Sali Berisha informoi dje delegacionin e OSBE-së me arritjet e jashtëzakonshme në reformimin dhe modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në faktin se për herë të parë Shqipëria ka një sistem zgjedhor, Kod Zgjedhor dhe Komision Qendror të Zgjedhjeve të miratuar me konsensus të plotë midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Kryeministri theksoi gjithashtu se reforma dhe modernizimi i plotë i gjendjes civile, i kryer në bashkëpunim me OSBE-në dhe qeverinë austriake, siguron për herë të parë lista zgjedhësish të saktësisë më të lartë, duke mbyllur kapitullin e turpshëm të listave të zgjedhjeve të viteve 2000-2003, ndërsa projekti i pajisjes me letërnjoftime elektronike siguron dokumentin e cilësisë më të mirë evropiane për identifikimin e zgjedhësve shqiptarë. Në lidhje me pajisjen e shtetasve me letërnjoftime elektronike, Kryeministri theksoi punën shumë të mirë të kryer nga kompania koncesionare dhe informoi të pranishmit se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar dhe garanton plotësisht pajisjen me letërnjoftim për të gjithë shtetasit pa pasaporta që do të aplikojnë në afat, duke zbatuar edhe një skemë të gjerë kompensimi paraprak të miratuar me konsensus me opozitën. Kryeministri bëri të ditur në mënyrë të vazhdueshme se po u bën thirrje shtetasve të pajisen me letërnjoftim, në një kohë që PS-ja është përpjekur pa sukses të shkurajojë procesin e aplikimit me qëllim prishjen e tij dhe se ajo nuk ka bërë asnjë thirrje publike në mbështetje të këtij procesi. Kryeministri Berisha nënvizoi faktin se pavarësisht qëndrimit jo konstruktiv të opozitës gjatë muajve të fundit, fushata zgjedhore po zhvillohet e qetë dhe në përputhje me rregullat. Kurse z. Grossruck siguroi për objektivitetin e misionit vëzhgues. Gjithashtu, nga ana e delegacionit u vlerësua puna me modernizimin e gjendjes civile dhe listat e zgjedhësve, si dhe dokumentet e identifikimit, si mjete që parandalojnë mundësitë për abuzim në zgjedhje. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i kryesuar nga zëvendëspresidenti i saj, z. Wolfgang Grossruck. Z. Grossruck u prit dje edhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e njohu atë me ecurinë e deritanishme të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›