Shehi: “Ndërtimet pa leje dhe shpyllëzimet, shkaku i përmbytjes”
Autori i Lajmit: RedaksiaPërmasat e përmbytjes së këtij viti në Shkodër janë katër herë më të mëdha se ato të 1996, por përsëri nuk ka vend për panik. Kështu mendon ish-zëvendëskryeministri i asaj kohe, Dashamir Shehi, i cili u mor me menaxhimin e situatës në atë kohë. Sipas tij, në vitin 1996, niveli dhe kohëzgjatja e shkarkimeve ishin gjithashtu disa herë më vogla. Arsyen kryesore të rritjes së dimensionit dhe efektit negativ të përmbytjes, Shehi e sheh tek ndërtimet pa leje. “Nuk kishte kaq banesa në zonë, ndërsa sot tragjike, alarmante, situatën e bën frika për humbjen e njerëzve. Ka dhe faktorë të tjerë. Shpyllëzimet masive që janë bërë në veri të Shqipërisë bëjnë që plota të mbërrijë brenda pak orëve në rezervuarët e liqeneve. Shtretërit e lumenjve, të cilët janë gërryer gjatë kësaj periudhe, bëjnë që shpejtësia e ujit të rritet në zonën e fushës dhe dëmi të jetë më i madh, niveli i përmbytjes të jetë më i madh, ta presë Drini Bunën me shpejtësi më të madhe, kështu që ngrihet dhe niveli i liqenit”, - shprehet Shehi. Ish-numri dy i Qeverisë propozon hartimin urgjent të një strategjie për sistemin e ujërave dhe vendosjen e kontrollit të rreptë mbi territorin, në një zonë që historikisht ka qenë pre e përmbytjeve. “Ska vend për panik. Digat janë të sigurta. Fierza mund të mbajë dhe përmbi nivelin e 296 metrave. Nuk është tragjike kjo punë. Dihet që edhe po të mos ishin hidrocentralet zona ka probleme. Historikisht, kanë ndodhur përmbytje. Vend me male, ne vazhdojmë të gërryejmë shtretërit e lumenjve. Prita malore nuk ka. Ndërmarrjet pyjore, të cilat administronin shumë punë, janë jashtë funksionit. Nga kjo pikëpamje kemi bërë shumë gabime për të pritur që natyra të jetë e mëshirshme me ne”, - tha Shehi.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010