E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha dëmshpërblim në para të dëmtuarve

Autori i Lajmit: Redaksia
“Partia Socialiste e Shqipërisë i bën thirrje edhe njëherë Sali Berishës dhe qeverisë së votave të vjedhura që ai drejton, të nxjerrin urgjent vendimin për ti dhënë lekë në dorë çdo familjeje që jeton në zonën e përmbytur, që ka humbur tokën, të mbjellat, bagëtinë dhe burimin e përditshëm të jetesës”. Kështu pohoi deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni. Sipas saj shqiptarët e kanë tashmë të qartë se katastrofa e ditëve të para të këtij viti te ri, nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm. “Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa katandi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë Kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i mos zbatimit të ligjit dhe rregullave, që e përcaktojnë qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve. Sot, teksa mijëra shqiptare vazhdojnë ti kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe të mbjellat në dorë të fatit, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë, të dëmshpërblejë me lekë në dorë, çdo familje të dëmtuar. Sot. Tani”, - theksoi Gjermeni. Ligjvënësja socialiste pohoi se Berisha duhet të lërë propagandën e ditëve të fundit, pasi shkodranët nuk mbijetojnë dot me gënjeshtra, por të mbledhë urgjent Qeverinë për të nisur një orë e më parë dëmshpërblimin dhe kompensimin e familjeve të dëmtuara, qindarkë për qindarkë, për çdo dëm.

Ky lajm është publikuar: 13/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›