Gjana: “Pas dëmshpërblimit edhe masa për të nesërmen”
Autori i Lajmit: Redaksia
Deputeti demokrat, Jemin Gjana, garanton se qeveria ka të gjitha mjetet për kompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Ish-ministri i Bujqësisë, kreu i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese ka theksuar se përveç buxhetit të shtetit edhe bizneset dhe njësitë vendore janë treguar të gatshëm të ndihmojnë banorët e zonës së Shkodrës, duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, e cila deri tani nuk ka treguar asnjë shenjë solidariteti. Por ish-ministri Gjana nuk harron të përmendë, se shteti do të paguajë plotësisht dëmet vetëm për shkak të mungesës së plotë të kulturës së sigurimit të pronës dhe pasurisë, kulturë që mbizotëron në vende të tjera. Ndërkaq ish-ministri i Bujqësisë, Gjana, thekson se pas kalimit të situatës emergjente, qeveria duhet të punojë veçanërisht për forcimin e argjinaturave, për të minimizuar dëmet në çdo rast. Si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ai deklaroi se puna e komisionit sapo të fillojë Parlamenti, do të përqendrohet në monitorimin e situatës në zonën e Shkodrës deri në shpërndarjen e dëmshpërblimit, por edhe në marrjen e masave për të nesërmen.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010