E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër, vë duart në kokë, PS vetëm në bashkinë e qytetit ka humbur me minus 10 mijë vota

30-06-2011 / Gazeta 55

Edi Rama mbërriti sot në Shkodër, për të fajësuar strukturat lokale atje për humbjen e PS-së në zgjedhjet vendore të 8 majit. Pjesë e “fajit” që Edi Rama do iu ngarkonte drejtuesve, ishte edhe humbja e tij në bashkinë e Tiranës, çka sipas tij erdhi pasi Partia Sosicaliste po dobësohej gradualisht nga baza e deri në qendër. Në takimin e zhvilluar me socialistët e Shkodrës, Edi Rama ka kërkuar largimin nga detyra të kreut aktual të degës së PS në këtë qytet, Genc Uruçi.


Kryefjalë e takimit të zhvilluar dje me dyer të mbyllura në sallën e kinemasë “Milenium” në Shkodër, ka qenë humbja e socialistëve në këtë rreth. Burime nga selia e PS-së bëjnë të ditur se kërkesa e kreut të partisë për largimin e Uruçit, është mbështetur dhe nga deputeti i PS në këtë qark, Tom Doshi. Dy përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar dorëheqjen, duke e bërë Uruçin përgjegjës për humbjen e madhe në qytetin verior. Por në qendër të akuzave të drejtuesve të PS-së nuk ka qenë vetëm drejtuesi i kësaj dege në qytetin kryesor. Pjesë e kritikave kanë qenë dhe drejtuesit e tjerë të strukturave të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste është ndalur edhe numrin e vogël të këshilltarëve që ka marrë Partia Socialiste dhe aleatët e saj në zgjedhjet vendore. Rezultat që në këtë qark ka ardhur si pasojë e përçarjes së degëve të Partisë Socialiste në Shkodër. Por ajo që ka rënë në sy takimin me dyer të mbyllura të kryebashkiakut Rama me drejtuesit lokalë të PS-së në Shkodër ishte dhe mungesa e sekretarëve të PS-së së rrethit dhe ajo e kryetares së PS-së, Keti Bazhdari. Gjatë takimit, duke folur për rezultatin e dobët, deputeti Doshi ka qenë edhe më i ashpër në drejtim. Ai ka kërkuar dorëheqjen e çdo kryetari në këtë zonë, ku nuk ka pasur një rezultat pozitiv. Në zgjedhjet e 8 majit, Partia Socialiste mori në qytetin e Shkodrës rreth 10 mijë vota më pak se Partia Demokratike. Konkretisht kandidati i PS-së, Genc Uruçi mori 11 221 vota. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike, Lorenc Luka u shpall fitues në këto zgjedhje me 20790 vota. Veç humbjes personale, deputeti i PS-së, Tom Doshi e ka kritikuar Uruçin dhe për përzgjedhjen që ka bërë në këshillin bashkiak dhe kandidaturat. Sipas tij, një pjesë e kandidaturave në këshill nuk janë pritur mirë në elektoral. Ndërkohë që kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar që të këtë më shumë bashkëpunim brenda Partisë Socialiste. Ai ka theksuar se të zgjedhurit e PS-së duhet të jenë më afër elektoratit dhe të mos mbajnë distancë me zgjedhësit.


Ndërkohë që pjesë e diskutimeve kanë qenë dhe zgjedhjet brenda Partisë Socialiste për anëtarët dhe drejtuesit e forumeve. Mësohet se kreu i PS-së ka kërkuar përgatitjen e të gjitha degëve për kongresin dhe për përzgjedhjen e kandidaturave më potenciale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›