Kolegji shqyrton më 6 korrik kërkesë-padinë e re të PS. Juristët: Ankimimi, jashtë afateve ligjore, duhej bërë qëkur Rama ishte me 10 vota para

Çlirim Gjata: KQZ veproi në mënyrë ligjore kur rrëzoi ankimimin e PS
Kolegji Zgjedhor i Apelit do të shqyrtojë në 6 korrik kërkesë padinë e re të Partisë Socialsite për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 Qendrat e Votimit në Tiranë. Pas hedhjes së shortit gjatë paradites së djeshme, u vendos që relatori i cështjes të jetë gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupit gjykues do të jenë gjyqtarët Dhurata Haveri, Marie Qiriazi, Sashenka Jonuzi dhe Petraq Dhimitri. Në padinë e depozituar pranë Gjykatës së Apelit, juristët e PS evidentojnë shkeljet që sipas tyre kanë cenuar rënë procesin zgjedhor të 8 majit në Tiranë. Mos rakordimi i shifrave, evidentimi i kutive të dëmtuara pa integritet në 35% të rasteve, mungesa e disa zarfeve dhe fletë të pavlefshme, apo mungesa e kodit të pestë janë disa prej pretendimeve të ngritura nga ekspertët ligjorë të selisë rozë që do të gjykohen nga Kolegji Zgjedhor të mërkurën. Kjo padi e re e socialistëve vjen pas rrëzimit pa shqyrtim të kërkesës ankimore të PS nga KQZ, i cili argumentoi lidhur me pretendimet e juristëve të selisë rozë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në kryeqytet se është jashtë afateve ligjore të përcaktuara në kod. Ankimim që sipas KQZ-së duhet të ishte bërë kur organi më i lartë i administrimit të zgjedhjeve mori kompetencat e KZAZ-së së madhe për Tiranën dhe këqyri 117 kutitë e votimit.
Çlirim Gjata: KQZ veproi në mënyrë ligjore kur rrëzoi ankimimin e PS
Juristi Gjata argumenton se pretendimet e PS për pavlefshmëri nuk qëndrojnë dhe se një kërkesë e tillë ankimore duhet të ishte bërë nga selia rozë që në kohën kur Edi Rama rezultonte me 10 vota para në garën për bashkinë e kryeqytetit Rrëzimi i kërkesës ankimore të Partisë Socialiste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është një vendimmarrje e bazuar në ligj dhe në përputhje me urdhërimin e Kolegjit. I këtij mendimi është juristi dhe ish kryetari i KQZ Çlirim Gjata, i cili deklaron se pretendimi i selisë rozë për pavlefshmërinë në 284 qendra votimi në Tiranë, është një procedurë ligjore e ezauruar tashmë nga gjykata. Për pasojë thotë juristi Gjata, socialistët duhet ta kishin bërë ankimin që në kohën KQZ mori rolin e KZAZ-së së Tiranës dhe shpalli rezultatin pas numërimit të 117 kutive. “Pavlefshmëria nuk mund të kërkohet kur të teket: erdhi një rezultat i ri dhe unë do kërkoj pavlefshmërinë. Nuk është kjo logjika e kërkesës së pavlefshmërisë. Që herën e parë kur KQZ në rolin e KZAZ shpalli z.Lulzim Basha fitues të bashkisë. Nëse do ishte ankimuar atëherë dhe do ishte shpallur e pavlefshme, tani do diskutonim nëse do përsëriteshin apo jo zgjedhjet. Duhet në ankimoheshin kundër vendimit të KQZ që veproi si KZAZ atëherë, sepse ato i ndajnë mandatet”- u shpreh juristi Gjata.
...