Rama në katror dhe një shvejk-prokuror

Një nga batutat e famshme që më ka mbetur ndër mend nga leximi i kahershëm i romanit “Ushtari i mirë Shvejk” të Hashekut është togfjalëshi: “idiot në katror” dhe shprehja e shumëpërsëritur: “Marrë guximin t’ju…”. Megjithëse në këtë kryevepër të letërsisë botërore ka një larmi të pafund batutash e shprehjesh pikante që janë përdorur për të skalitur figurën e Shvejkut si një ushtar i zellshëm i urdhërave, urdhëresave dhe rregulloreve të ushtrisë, por që zbatimin e tyre e shoqëron gjithnjë me absurditete, budallallëqe e kotësira të atilla, që më së miri karakterizojnë urdhërdhënësit e tij, duke u shndërruar në boomerang për vetë ata, por këto dy shprehje janë mjaft domethënëse. Këksisoj nëse Shvejku cilësohej “idiot”, urdhëruesit e tij ishin “idiotë në katrorë”, ndaj nuk ishte e lehtë të “merrje guximin…” për t’ju kundërpërgjigjur atyre. Por ajo që më nxiti të risjellë në vemëndje të lexuesit këto dy thënie të famshme të Shvejkut dhe një variant të temës së këtij romani brilant është urdhërimi shvjekian i një prokurori në Prokurorinë e Përgjithëshme shqiptare për të thirrur si të pandehur Ministrin e Jashtëm, z. Lulëzim Basha, lidhur me akuzat e stisura prej tyre, këtu e dy vjetë të shkuara për korrupsion në ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës. Dhe si për koincidencë, qoftë urdhëruesi “de facto” ose politik, ashtu dhe ai “de jure” apo juridik mbajnë të njëjtin mbiemër: “Rama”.
Siç dihet, Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste, kurse Ina Rama është kryeprokurore e Shqipërisë. Por pavarësisht mbiemërit të njëjtë që mbajnë, nuk di të ketë ndonjë lidhje farefisnore midis tyre. E vetmja lidhje që e bënë mbiemrin “Rama” në fuqi të dytë apo “në katror”, po të perifrazojmë Shvejkun, është ajo e absurditeteve dhe budallallëqeve politiko-juridike, për disa çështje të stisura penale, të cilat shpesh herë bien ndesh më interesat tona kombëtare. Ky lloj bashkëpunimi dhe indoktrinimi majtist e shtyn prokurorinë Ramiste, që në vend të hetimit penal të bëjë politikë penale, për të diskretituar e demoralizuar qeveritarët iniciatorë e vizionarë, të cilët po mahnisin botën me arritjet spektakolare në procesin e integrimit euroatllantik dhe të shqiptarizmit ballkanik. Një prej këtyre aseteve qeverisëse është dhe Ministrin ynë i Jashtëm, Lulëzim Basha, të cilin “Rama në katror” kërkon ta demoralizojë e sfumojë në kryerjen e detyrës së tij fisnike. Kjo është arsyeja që prokuroria jonë shvejkiane ka qysh afro dy vjet që e mban atë pa imunitet, për ta demaskuar në popull dhe në arenën ndërkombëtare, si në kohën e gjyqeve komuniste. Fakti që kjo lloj goditje u inicuar vetëm pak muaj pasi Shqipëria kishte nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian dhe po përgatitej për hapa të tjerë serioz në procesin e integrimit euro-atlantik si; marrja e Ftesës për anëtarësimin në NATO, ratifikimi i MSA-së, liberalizimi i vizave, nënshkrimi i mjaft marrëveshjeve të rëndësishme bashkëpunuese me vendet e zhvilluara perëndimore, etj., tregon përmbajtjen e vërtetë të kësaj akuze, që është demaskimi publik i ministrit Basha dhe qeverisë “Berisha”. Këtë lloj argumentimi e përforcon edhe fakti tjetër, që formulimi fillestar i kësaj akuze është bërë në laboratorin politik të Partisë Socialiste. Ndërkohë, avokatët mbrojtës të zotit Basha kanë argumentuar edhe shkeljet e ndryshme ligjore të kësaj akuze, të cilat e shndërrojnë atë në një veprim antiligjor dhe opinion tërësisht politik. Dy përfaqësuesit ligjorë të ministrit, Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, deklarojnë se procedimi penal i lartpërmendur, është regjistruar që në muajin janar të vitit 2007. Në këtë kuadër, bazuar në ligjin procedural penal, dy avokatët nënvizojnë se afati normal i hetimit të një çështje është tre muaj. Sipas tyre, brenda këtij afati Prokuroria duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq. Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar hetimin në limitet e afatit maksimal 2 vjeçar, rast ky i paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare. Përveç përgjegjësisë për ta trajuar këtë cështje dhe për ta marrë në shqyrtim, Prokuroria e Përgjithshme, i është nënshtruar ditëve të fundit presionit të opozitës, dhe kryesisht presionit verbal të Edi Ramës, duke iu referuar vetëm të dhënave mashtruese që dalin nga zyra e Partisë Socialiste. Dhe pikërisht kjo përbën “kapjen” e Prokurorisë nga opozita, përderisa sa ky institucion nuk po bën punën që ka në përgjegjësi, atë të hetimit dhe ngritjes së akuzave, por po abuzon me funksionin e saj Kushtetues,duke u bërë palë me opozitën. Kaq të përkushtuar janë Ramistët e të gjitha ngjyrave në këtë mision diskretitues sa që për të rënduar pozitën e ministrit Basha lëshuan urdhër arresti antiligjor për një shtetas të huaj, z., Fazlliç, me të vetmin fakt se ai është një ndër miqtë e Ministrit tonë të Jashtëm.
Ndërkohë “Rama në katror”, sa nga selia e Partisë Socialiste në atë të Prokurorisë së Përgjithëshme akuzojnë dhe ligjërojnë në unision për një korrupsion gjigand, kur “gjigande” në këtë rast janë vetëm përmasat e veprës që bashkon dhe integron shqiptarët. Gjithkush e ka të qartë se më këtë lloj përkushtimi dhe solidariteti majtist të “Ramës në katror”, nëse do të ishte konstatuar një fakt sado i vogël abuzues, atëherë procesi hetimor s’kishte pse të zgjatej kaq shumë. Nga ana tjetër, ky lloj qëndrimi nuk mund të konsiderohet as një mënyrë përpëlitjeje për të justifikuar dështimin e Prokuorisë së Përgjithëshme në ndërmarrjen e një akuze të pastudiuar, por është një lloj këmbuljeje marksiste për të çuar deri në fund misionin e diskretitimit publik të një prej ministrave më të suskesshëm të qeverisë “Berisha”, pse jo dhe të zhvleftësimit të veprave me interes të lartë kombëtar të ndërtuar nga qeveria “Berisha”, sikudër është dhe Rruga “Durrës-Kukës”. Ashtu si në kohën e “socializmit të parë” shqiptar, shigjetat e helmatisura majtiste janë drejtuar pikërisht ndaj “imperialistëve amerikan” të kompanisë prestigjioze “Bechtel & Enka JV” dhe “shërbëtorëve të tyre” në Shqipëri që bënë realitet ëndrrën e bashkimit ndërshqiptar. Një qëndrim i tillë që, padashur, çon ujë në “mullirin sllav”, frymëzohet veç të tjerash edhe nga filozofia “nëntëdhejtë e shtatshe” që i konsideron shqiptarët e pjesës veriore dhe verilindore, brenda apo jashtë kufijve tanë, “malokë” apo “çeçenët”. Siç dihet, në sezonin e parë të qeverisjes demokratike, që përfshin periudhën ’92-’97, çështja kosovare u anatemua prej tyre si shkak i katrahurës shqiptare, ndërsa lideri demokrat Sali Berisha u cilësua si nxitës i tensioneve politike për përkrahjen e idesë së demokratizimit të Kosovës. Bile anatemimi dhe përfolja për përkrahjen pasionante të një çështjeje të tillë madhore, me vlera të pamata për demokracinë shqiptare, vazhduan prej majtistëve edhe në trajtën e justifikimit të ngjarjeve të ’97-ës, për të cilat u tha, se u sajuan me qëllim nxitjen e trazirave në Kosovë. Me pak fjalë, Berisha akuzohej se po sakrifikonte demokracinë shqiptare për çështjen kosovare, gjë që ishte një absudritet komunist, ndërkohë që dihet tashmë botërisht se, shkaku i vërtetë i këtyre ngjarjeve ishte falimentimi i skemave piramidale. Sidoqoftë nuk mund të mohohet afiniteti politik i qeverisjes demokratike me të ardhmen e çështjes kosovare e kombëtare në përgjithësi, e cila gjithnjë është konceptuar në kuadrin e detyrimeve patriotike të shtetit e dheut amë. Në vitet e gjata të qeverisjes majtiste ka qënë demagogjia dhe cinizmi që kanë shoqëruar veprimtarinë tonë politike në shërbim të çështjes kosovare. Inicimi i taksës “Majko” ishte konkretizimi më i qartë i një qëndrimi të tillë përçmues e abuzues ndaj kësaj çështjeje. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë është një investim strategjik për shëndoshjen dhe zgjerimin e tregut shqiptar dhe atij kosovar, si dy barkushet e një zemre. Ata që kanë diktuar dhe formuluar në mënyrë të padukshme vendimmarrjen e qeverisjeve majatiste të pasnëtëdhjetë e shtatës deri më 3 korrik 2005, natyrisht që nuk kanë qënë dakord me zhvillimin e një projekti të tillë, pasi binte ndesh me interesat e përfaqësuesve të tyre të sipërmarrjeve ekonomike në tregun shqiptar. Të gjithë jemi dëshmitarë për vendin, llojin dhe mënyrën e investimeve publike të kryera nga qeverisjet socialiste, të cilat kanë anuar kah intersave të fqinjit tonë jugor dhe interesave private të ish-pushtetarëve shqiptarë. Me ndryshimet politike që sollën zgjedhjet e përgjithshme politike të 3 korrikt 2005, ndërtimit i rrugës Durrës-Kukës-Morinë i erdhi dita e pagëzimit të saj. Një investim i tillë u vendos në axhendën qeverisëse sa për vlerat ekonomike, po aq dhe për impaktin demokratik të integrimit gjithëshqiptar në familjen europiane, parë kjo dhe në kuadrin e krijimit të kushteve për efektivitetin dhe mirfunksionimin e tregut rajonal midis trojeve shqiptare në përgjithësi. Ekspertët parashikojnë që në vitet e para pas ndërtimit të kësaj autostrade fitimi për ekonominë shqiptare të jetë mbi 300 milionë dollarë në vit, për të ardhur më pas deri sa ndikojë në dyfishimin e GDP-së së Shqipërisë dhe të Kosovës. Rruga Durrës-Kukës ka rëndësi të jashtëzakoinshme, jo se është projekti i parë madhor që kalon mespërmes zonës më të varfër të vendit tonë, por nga që lidh Shqipërinë me Kosovën, me Serbinë Jugore e Maqedoninë dhe fuqizon Portin e Durrësit, duke e lidhur me një nga korridoret më të rëndësishme të Europës, siç është Korridori 10. Nga ana tjetër, ne nuk duhet të tregohemi të rezervuar edhe për përfitim tjetër të madh që buron nga ndërtimi i një vepre të tillë infrastrukturore, i cili lidhet më faktin e integrimit të gjysmës së kombit të martirizuar shqiptar me gjysmën tjetër të këtij kombi, të komunistizuar në mënyrën më barbare për 50 vjetë më radhë. Vlerësimet për këtë vepër janë të pafundme ndaj për të mbyllur do të thoshim që, gjithë këtë arritje madhore nuk mund të zhbëjnë “Rama në katror dhe shvejko-prokuror”, sado intrigant dhe sharltanë qofshin ata dhe detashmentet nacionale e internacionale që i mbështesin.
...