E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfim brenda rrethimit të obskurantizmit

Përsiatje pas ligjëratave që mbajtën në Akademinë suedeze, shkrimtarët e anatemuar nga krimi i organizuar dhe celulat terroriste islamike, Selman Ruzhdi e Roberto Saviano

Dje në sallën e Nobelit në Stokholm u takuan me lexuesit suedezë shkrimtarët Roberto Saviano dhe Salman Rushdie, që të dy të ftuar me referue mbi temën “Liria e shprehjes dhe dhunës pa ligje”. Salla e akademisë ishte e stërmbushur. I pari që foli në këtë debat ishte Roberto Saviano, i cili për ata që s’e njohin është një shkrimtar italian, ose ma mirë ta themi napoletan, i bërë i njohur në tregun e opinionit njëherësh italian e më pas atë ndërkombëtar me librin e tij “Gomorra”: i cili flet për mafien e “Kamorra-s” napoletane, por ku shumë nëntema përcillen mbi raportet e saj me politikën vendase, mbi egërsinë e kapove të tyre, mbi trafiqet e paligjshme të drogave e armëve, toksinave nukleare, mbi miliardat e bizneseve të tyre etj, etj. Çka e bëri të rrezikshëm përpara syve të mafiozëve ishte se ai fliste me kompetencën e shifrave, me fakte gjyqësore, të cilat i kanë kushtuar
humbjen e lirisë së përditshme, atë të një jetë të çfarëdoshme prej shkrimtari. Saviano në Stokolm, në sallën e Nobelit ishte me eskortë policie d.m.th i mbrojtur ditë e natë nga -“engjëjt mbrojtës”, siç i gjuan ai - policia, sepse jeta e tij është venë në rrezik serioz, kjo e vertetuar edhe nga dëshmitë e disa bashkëpunuesve të drejtësisë, bashkë me përgjimet telefonike të mafiozëve kamorristë nga ana e prokurorëve. Denoncimi flagrant në publikun e letrave e më pas atij mediatik ndaj mafies “Kamorra” solli një fokusim tejet të madh për kapot e mafies napoletane në opinionin qytetar, gjë që mafiozët nuk e pëlqejnë aspak dhe në përgjithësi në këto raste vendosin ta eleminojnë nga faqja e dheut.
Pra, ç’mesojmë nga kjo histori? Mësojmë se fjala është një armë e natyrshme e së mirës, e së drejtës njerzore kundër padrejtësive, kundër shtypjes psikologjike, kundër
dreqllikut të ndonjë pushtetari dorëzi. Populli thotë: “fjala është më e rëndë se plumbi”, e merret me mend se edhe kësaj here populli ka të drejtë. Një me zero për popullin. Duket që në pamje të parë se ky takim letrar nuk është i mirëfilltë në kuptimin formal të vet, vihet re prezenca e policisë, e emocionit, e frikës, e ankthit që gati pritet me thikë. Natyrisht, Saviano merr fjalën dhe thotë: «për mua është një emocion i madh të gjendem këtu sot: faleminderit, ftesa juaj vlen ma shumë se çdo mbrojtje fizike, është mbrojtja e vërtetë për fjalët që them apo shkruaj». Duartrokitje. Më pas gjithmonë në të njëjtën sallë gjendet i ftuari i dytë në këtë debat, i cili gjatë gjithë fjalës mbajtur nga Saviano, meditonte, afërmendsh i kujtohen gjithë këto vitet që ka kaluar nën mbrojtje, me eskortë të blinduar: ky është Salman Rushdie, shkrimtar anglo-pakistanez, autor i librit “Vargjet Satanike”; vepër që i solli lumturisht (fatkeq) një «fatwa islamike» nga Ajatollah Khomeini. Fatwa është pak a shumë një urdhërvrasje, e detyruar të zbatohet prej çdo myslimani të devotshëm, d.m.th për ata që zgjedhin si ligj Sheriatin. Një ligj moral-fatwa për fanatikët integralistë që kërkojnë vrasjen e Salman Rushdie, si fyes për besimin islamik. Ajatollah Khomeini ishte lideri fetar i revolucionit islamik iranian të 1979-s, që largoi nga froni mbretëror Shah Pahlavi-n. Khomeini lëshoi fatwa-n mbi shkrimtarin sepse kishte frikë nga fjalët që e lexojnë ndryshe, edhe misticizmin islamik - e jo si dogmë. Pra, ç’mësojmë nga kjo histori? Pra, se fjala e fortë, ajo me theks akut, sapo kalon frontin e heshtjes e u afrohet njerzve, publikut të gjerë dhe avash-avash nëpër rreshtat e saj i ndërgjegjëson për çka po ndodh, ahere lëviz diçka, e thyen frikën me veprime, me fjalë. Impulset si sinjale për drejtësi sikur hapin me dritën e lajmeve tunelet e errësirës së bashkë-jetimit me diçka që u sjell shumë vuajtje qytetarve të thjeshtë. Ja pra, kur letërsia behet e rrezikshme për pushtetin kriminal. E atëhere libri kthehet në një ortek të rrezikshëm për atë fuqi vuajtje-sjellëse. Salman Rushdie flet, rrëfen, himnizon, thjesht diçka të natyrshme siç thotë ai vetë: «që kur lindim kemi nevojë për historira, për tregime me na tregue botën përreth. Por ja që, disa thonë: jo, historitë që do të dëgjoni do t’i tregojmë ne, nëse nuk të pëlqejnë, do t’i bëjmë ne të të pëlqejnë me zor. Ja pra kush shtyp lirinë e fjalës bën një krim kundër natyrës njerzore. Për fat të keq është se ne në Oksident, (...ne në Shqipëri...) kemi humbur besimin e të bërit pyetje me spec, aq pak të pëlqyera nga pushtetarët tanë. Shumë herë merakosemi të mos shqetësojmë këtë apo atë pushtet, këta njerz apo atë komunitet. Por në qoftë se artistat do të ishin merakosur për këto gjëra, pjesa më e madhe e historisë së artit sot do të ishte eleminuar».
Sapo mbaroi së foluri Salman Rushdie u dëgjuan brohoritje, duartrokitje, fjalë inkurajuese, buzëqeshje rinie optimiste, një ngrohtësi shpirtërore në këtë Stokolm të ftohtë fundvjeshte. Të them të drejtën atmosfera më pëlqeu, salla e akademisë ku jepet nobeli diçka më pak, pastaj më pushtoi trishtimi duke mendur se këto radhë do t’i lexojë një bashkëvuajtës si unë, që ka nëvojë për një hero, për një shkrimtar. Na duhet një darkë e thjeshtë dhe e drejtë për t’u penduar për atë që s’kemi bërë deri tani.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›