E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama në krye të armiqve për sabotimin e projektit më historik të kombit shqiptar”.

Reagon për shpifjet e radhës së PS-së, PD-ja me anë të zëdhënësit Gerti Bogdani


“Edi Rama, armik i egër i rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, njeriu që i vari në gjoks çelësat e Bashkisë së Tiranës, Bregoviçit, për urrejtjen e tij primitive ndaj shqiptarëve të Kosovës, nxori në tregun politik, nëpërmjet ish-trafikantit të vizave dhe qenieve njerëzore, zëdhënësit të tij Balla, shpifjen e radhës për korridorin e shqiptarëve”


TIRANE – Partia Demokratike ka akuzuar sërish dje Edi ramin për urrejtjen e tij primitive ndaj Kosovës dhe dashurinë ndaj serbëve, si dhe për përpjekjet e tij për të udhëhequr armiqtë e rrugës Durrës-Kukës, drejt sabotimit të ndërtimit të saj. Ndërsa PS-ja ka vazhduar ritualin e përditshëm të akuzave shpifëse, në drejtim të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, me anë të zëdhënësit Gerti Bogdani, i cili deklaroi se opozita shqiptare po fakton gjithnjë e më tepër urrejtjen primitive ndaj projekteve madhore të shqiptarëve. Sipas zëdhënësit të selisë së PD-së, Edi Rama, duke u kthyer në armikun më të egër të rrugës Durrës-Kukës, vazhdon të nxjerrë në tregun politik nëpërmjet zëdhënësve të tij, trillimin e radhës për korridorin e shqiptarëve. “Edi Rama, armik i egër i rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë, njeriu që i vari në gjoks çelësat e Bashkisë së Tiranës, Bregoviçit për urrejtjen e tij primitive ndaj shqiptarëve të Kosovës, nxori në tregun politik, nëpërmjet ish-trafikantit të vizave dhe qenieve njerëzore, zëdhënësit të tij Balla, shpifjen e radhës për korridorin e shqiptarëve”, tha Bogdani. Për PD-në, shpifjet e djeshme të PS, kishin në përmbajtje një shumë abuzimesh prej 320 milionë eurosh, e pa faktuar kjo dhe as e bazuar në të dhëna reale të dala nga ndonjë organ hetimor, por nga kryehetuesi i PS-së Edvini. Për këtë çështje, Partia Demokratike iu kundërpërgjigj PS-së, duke vënë në dukje se “ai akuzoi kryeministrin e vendit dhe ish-Ministrin e Transporteve për shumën prej 320 milionë eurove, për shkakun dhe tmerrin e tij të vetëm, se rruga po ecën me shpejtësi drejt përfundimit, dhe se së bashku me të vjen dështimi përfundimtar i armiqve të saj, të cilët me Ramën në krye janë munduar për të sabotuar projektin më historik të kombit shqiptar”. Në këtë kuadër, Partia Demokratike dënon farsën e ulët të shpifjeve dhe trillimeve të z. Rama dhe shpurës së tij, e njëkohësisht shpreh mbështetjen e plotë dhe totale për realizimin në kohë të këtij projekti të papërsëritshëm në historinë e vendit. L. Q.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›