E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Berat: Vota më 8 maj, votë politike

Berat - Koalicioni i opozitës, “Aleanca për të Ardhmen” ka prezantuar dje në qytetin e Beratit, kandidatin për këtë bashki, Fadil Nasufi. Kryetari i opozitës, Edi Rama, deklaroi se Berati është lënë nga qeveria në mëshirë të fatit. “Shiheni si e kanë lënë tërësisht në mëshirë të fatit Beratin qindravjeçar. Qeveria e ka braktisur Beratin. Në këtë mrekulli të zotit dhe të njeriut, shtrihet Berati në mes të skamjes e varfërisë, ky xhevahir ka nevojë të pastrohet nga pluhurat e indiferencës së shtetit”,- tha Rama. Sipas kryesocialistit, për të vazhduar projektet për Beratin, nuk duhet të punojë vetëm një njeri, që ta nxjerrë në dritë. “Puna e Bashkisë së Beratit ka qenë heroike, por nuk e përballon dot e vetme punën për të nxjerrë në dritë këtë qytet. Të gjithë ju e keni parë se si dora e një individi e ka transformuar një shtëpi në një hotel të klasit të parë. Ai është një shembull se si mund të bëhen shtëpitë e Beratit të vjetur, ku me mbështetjen e qeverisë dhe projektet e Bashkisë, ta kthejnë këtë qytet në pikë referimi”, - tha Rama. Kryetari i PS-së u bëri thirrje qytetarëve të Beratit që të dënojnë qeverinë me votë. “Ja pse vota e 8 Majit është votë politike, e cila do ndajë rrugën e Saliut nga e jona. Qeveria duhet të ketë sy për të parë dhe vlerësuar pasuritë që na ka dhënë zoti dhe ato që njerëzit në breza i kanë ndërtuar. Kjo pasuri po humbet prej shurdhërisë së pushtetit. Ky nuk është kryeministër, ky është thjesht një drejtor komunaleje”,- tha Rama. Po dje, kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte në Durrës për të përuruar sheshin “Demokracia” bashkë me kandidatin e opozitës për këtë bashki, Vangjush Dako. Pasi kanë zhvilluar një ecje në këmbë përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, duke takuar dhe duke u përshëndetur me qytetarë durrsakë, kryebashkiaku Dako dhe Rama janë ndalur në “Sheshin Demokracia” për të inaguruar përfundimet e projektit për transformimin e këtij sheshi në një shesh modern. Kryebashkiaku Dako, në fjalën e tij ka nënvizuar se projektit të Bashkisë “Epoka e re Urbane” i shtohet edhe një vlerë tjetër e çmuar siç është “Sheshi Demokracia”, krahas përfundimit të projekteve të tjera si: shëtitorja Taulantia, hyrja e Durrësit etj. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nënvizuar se dhe në këto kushte mjaft të vështira, qeveritarët lokalë socialist kanë arritur t’i zhvillojnë qytetet e tyre duke i bërë ato më të bukura, më të zhvilluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›