E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nga fshati



Fshati shqiptar ka probleme të shumta për sa i përket infrastrukturës rrugore, sistemit të ujit të pijshëm, atij vaditës dhe shërbimeve të trashëguar prej dhjetëra vitesh, pse jo prej shekujsh që nga koha e krijimit të tyre. Nuk është ndonjë zbulim i madh të themi se cilësia e jetës në fshat është më e dobët se në qytetin me modest. Duke pasur parasysh se rreth gjysma e shqiptarëve jetojnë në fshat përmirësimi i jetesës së tyre është një sfidë e vazhdueshme para çdo qeverisje. Por prosperimin e zonave rurale e shoh të lidhur ngushtë me dy aspekte: së pari, në zhvillimin dhe intensifikimin e bujqësisë. Gjatë këtyre viteve fermerët janë munduar me të gjitha forcat që të krijojnë jetesën e tyre në tokën e tyre, në fshatin e tyre, duke mbjellë drithëra, perime, duke ngritur komplekse të vogla blegtorale, sera me dhe pa ngrohje, pemëtore dhe vreshta. Vetëm gjatë këtij viti bujqësor janë mbjelle rreth 82 mijë ha me grurë ose rreth 12 mijë më shumë se në vitin 2007 dhe rreth 8 mijë ha më shumë misër duke siguruar rreth 70 mijë ton drithëra të prodhuar në vend. Por e veçanta qëndron në faktin se i gjithë prodhimi i fermerëve shitet me çmime mjaft të leverdishme në treg duke siguruar rreth 40% të nevojave të vendit. Gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance politikat për produktet bujqësore kanë qenë në favor të fermerëve.

Nuk ka dhe nuk duhet të ketë më ministër bujqësie që është i interesuar të importohen produktet bujqësore dhe prodhimi vendas të derdhet në kanal. Nuk ka asnjë qeveritar si në kohën e PS-së që të mallkojë dhe të shajë vitet e mbara bujqësore sepse do të zvogëlohej fitimi i tyre nga importet e grurit apo misrit. Rreth 80 milionë dollar jep qeveria për bujqësinë shqiptare, nga të cilat rreth 10 milionë janë subvencionime për bujqësinë. Qeveria subvencionon ngritjen e pemëtoreve, ullishtave të reja, e vreshtave në zonat prioritare të zhvillimit të tyre. Rreth 600 ha pemë frutore dhe ullinj mbillen çdo vit si pasojë e subvencionimit të tyre nga projekti 2KR dhe rreth 400 ha mbillen nga vetë fermerët. Kështu që në Shqipëri rreth 1000 ha pemë frutore shtohen çdo vit në bujqësinë shqiptare. Gjithashtu qeveria mbështet prodhimin bio në Shqipëri si dhe shndërrimin teknologjik të serave me ngrohje nga naftë në solar. Së dyti investimet e realizuara nga qeveria demokratike në dhjetëra shkolla të reja qendra shëndetësore dhe ujësjellës ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme jetën e mijëra shqiptarëve që jetojnë në fshat. Ndërtimi i qindra km rrugë në fshatra nga Jugu në veri ka lehtësuar urbanizimin e zonave rurale si dhe ka shkurtuar kapjen e tregjeve nga produktet bujqësore. Së fundi, fillimi i lëvrimit të kredisë nga Banka Botërore nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me ndërtimin e 12 rrugëve ndër rajonale nga një për çdo qark me një gjatësi totale prej 105 km është një lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Nga ana tjetër pothuajse çdo ditë kam ndjekur me vëmendje xhiron e z.Rama nga një fshat në tjetrin duke propaganduar politikat përtej së majtës dhe së djathtës për bashkimin e fshatarëve rreth tij se ai është shpëtimi i fshatit. Nuk kam parë të artikulojë asnjë tezë apo platformë konkrete për zhvillimin e bujqësisë, politikat subvencionuese apo marketingun e produkteve bujqësore. Fshatarët e dinë më mirë se ai se si mbillet qepa apo domatja, gjithashtu e dinë se toka ka nevojë të punohet, prashitet apo vaditet që të merret prodhim maksimal. Z. Rama më ngjan shume me “Zonjën nga qyteti” (kuptohet Rama nga qyteti) që pas qëndrimit për një kohë të shkurtër në fshat do të shndërrohet në “Rama nga fshati”. Por çfarë politikash bujqësore ofron ai që një ditë do të vijë në pushtet, si do ta përmirësojë ai cilësinë e jetës në fshat. Nuk ka asgjë, madje nuk kam parë asnjë profesionist serioz të bujqësisë që të artikuloje në krah të tij. Përveç varfërisë në argumente personi i cili artikulon dashurinë për fshatin, pra z. Rama është fare i pa besueshëm. Ai që cilëson të ardhurit në Tiranë kryesisht nga zona rurale si Çeçen apo Barbarë, papritmas shndërrohet në një dashnor të flaktë për fshatarët. Ndofta ditë dhe netët e kaluara në fshat nën aromën e tokës dhe të luleve të blirit kanë bërë që ai të ndryshojë tërësisht opinion për fshatarët dhe të shndërrohet në Rama nga fshati.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›