E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi përgatitet për fluksin e pushuesve



Mijëra pushues vetëm në ditët e para të korrikut

Polici, Doganë, hapin 18 sportele shërbimi

Në fundjavë pritet të zbarkojnë në portin e Durrësit rreth 10 mijë pasagjerë dhe mjetet e tyre, çka do të shënojë edhe fillimin e fluksit të emigrantëve të cilët do të vijnë për të kaluar pushimet e verës në vendin e tyre të lindjes.

Porti, Dogana, Policia, masa radikale

Tre institucionet kryesore dhe përgjegjëse për pritjen e fluksit të emigrantëve, Porti, Dogana dhe Policia Portuale, kanë marrë masat radikale dhe janë gati për përballimin me sukses të një situate të tillë. Duke folur për “standard” shefi i Komisariatit të Policisë Portit, Elvis Kalamishi tha se “bazuar në informacionet nga portet italiane, rezulton se këtë fundjavë në port do të mbërrijnë rreth 10 mijë pasagjerë me tragete prej të cilëve njëri do të sjellë edhe afro 500 makina, gjë e cila na vuri përballë masave urgjente, duke deklaruar se jemi gati të përballemi me çdo situatë të rënduar”. Për të përballuar fluksin e pasagjerëve në policinë e portit, port dhe doganë, kanë marrë masa për çeljen e sporteleve shtesë si për pasagjerët ashtu dhe për ata që vijnë me automjete. Kështu në gatishmëri janë vënë 18 sportele të pajisur me teknikë dhe me personel policor të instruktuar për përballimin e situatave të tilla. Sipas kreut të Policisë së Portit “masat janë marrë të tilla që një pasagjeri që del nga trageti të mos i duhet të qëndrojë në port më shumë se 30 minuta”. Ndërkohë në databesin e policisë kufitare janë pasqyruar të gjithë personat në kërkim ndërkombëtar dhe të atyre të shpallur në kërkim të brendshëm si dhe të gjitha automjetet e vjedhura e që janë në kërkim nga Interpoli.

Pala italiane, “OK” me palën shqiptare

Ndërkohë interesimit të policisë së portit të Durrësit për pritjen e emigrantëve tanë i janë përgjigjur edhe homologët e tyre italianë të Barit. Deri dje kishin mbërritur prej tyre deklaratat se “kemi gati 6 sportele në funksion të përpunimit të emigrantëve që do të nisen në drejtim të Durrësit gjatë ditëve në vazhdim”.

Personeli doganor dhe APD-ja në gatishmëri

Edhe Dogana e Durrësit ka marrë masa për pritjen e fluksit të emigrantëve. Në bashkëpunim me policinë do të realizohet ndarja e kamionëve të tonazhit të rëndë nga makinat e vogla të emigrantëve në mënyrë që këta të fundit t’u shmangen procedurave të gjata doganore me të cilat përballen kamionët e mallrave. Ndërsa APD-ja ka marrë masa për spërkatjen me ujë të sheshit të trageteve çdo 2 orë, pasi ka nisur të rikonstruksioni i tij sipas projektit përkatës dhe për pasojë krijohet pluhur në mjediset e tij.

Fshatrat bregdetare mbushen me plazhistë ditorë

1000 makina çdo fundjavë

Pas derdhjes së disa kamionëve me çakull si dhe një tabel]ë që tregon plazhin e Katundit të Ri, kanë nisur prej një jave frekuentuesit ditorë të plazheve. Atje ata gjejnë plazhe të virgjëra dhe të lira. Ka disa ditë që një tabelë në hyrje të komunës së Katundit të Ri në rrethin e Durrësit fton pushuesit drejt bregut të detit i cili është rreth 3 km larg nga autostrada Tiranë - Durrës. Komuna si dhe disa subjekte private janë munduar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin të përmirësojnë gjendjen e rrugës e cila të shpie në breg të detit duke hedhur disa kamionë me çakull e me zhavorr e duke mundësuar kështu qarkullimin e automjeteve të vogla familjare. Bëhet fjalë për plazhin “Rinia” me një shtrirje rreth 3 km gjatësi e me përbërje drurësh halorë i cili po njeh një frekuentim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku. Vetëm ditëve të shtuna dhe të diela Policia e Qarkullimit Rrugor ka evidentuar mesatarisht 1000 mijë makina në ditë që i drejtohen bregut të detit. Në këtë pjesë të bregut të detit plazhi është ende i lirë dhe nuk ka pronarë çadrash dhe shezlongesh që të kërkojnë para përkundrejt banjos së diellit. Në mes të pishave një numër ambulantësh shërbejnë pije të ftohta dhe ushqime të shpejta pasi ende dora e njeriut nuk është lejuar që të derdhë hekur e beton. Rreth 200 apo 300 metra më tutje larg vijës detare në zonën e banuar një numër oborresh janë transformuar në parkingje për automjetet që sjellin pushues ditorë. Për çdo makinë të parkuar pagesa është 100 lekë. Pushuesit ditorë janë kryesisht nga Durrësi dhe Tirana. Ata kanë gjetur këtë zgjidhje për t’iu shmangur plazheve të zhurmshme dhe të mbipopulluara të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit duke gjetur plazhe të qeta dhe të pastra si në pjesën e rërës, ashtu dhe brenda në ujë. Plazhi “Rinia” ndahet nga derdhja e lumit Erzen me Hamallaj e cila ende nuk frekuentohet si e para për shkak të problemeve të infrastrukturës së rrugës. Kapaciteti i plazhit ‘Rinia” është më i madh se ai që shfrytëzohet momentalisht, pasi një pjesë e madhe e tij mbahet e bllokuar nga Ministria e Mbrojtjes sepse shfrytëzohet si poligon për stërvitje ushtarake nga BRSH-ja.

Fundjava, plazhi me mbi 500 mijë pushues

Ashtu edhe siç ishte parashikuar, sezoni turistik i këtij viti po vazhdon të jetë më i suksesshmi pas viteve ’90, pasi kosovarët kanë vendosur të frekuentojnë plazhin e Durrësit dhe të braktisin Ulqinin dhe Budvën. Ka mbi dy javë që kosovarët kanë nisur pushimet verore dhe me autobusë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Pronarët e vilave dhe të pallateve në plazhin e Durrësit janë njoftuar se këtë sezon do të kenë një numër të madh kosovarësh të orientuar në drejtim të tyre. Prej disa ditësh kosovarët nuk reshtin së ardhuri në plazhin e Durrësit. Sipas të dhënave të marra për “standard” nga Policia Rrugore e cila monitoron automjetet që hyjnë e dalin nga Durrësi, rezulton se gjatë këtyre ditëve në zonën e plazhit vijnë mesatarisht 20 autobusë në ditë prej të cilëve zbresin mbi 1500 vetë të cilët kanë vendosur t’i kalojnë pushimet në plazhin e Durrësit. Sapo mbërrijnë në plazh, turistët kosovarë priten nga vetë pronarët e pallateve dhe të vilave dhe procedura vazhdon me sistemimin e tyre. Një pronar vile në plazhin e Durrësit i cili ka strehuar në banesën e tij 5 familje kosovarësh deklaroi për “standard” se “kosovarët kanë bërë këtë zgjedhje për dy arsye: e para, janë çmimet favorizuese që ofron plazhi i Durrësit dhe e dyta ka të bëjë me një bojkotin e tyre karshi plazheve të Ulqinit dhe të Budvës, ndoshta edhe për motive politike, pasi Mali i Zi ende nuk e ka njohur Kosovën shtet të pavarur”. Për të mbërritur deri në plazhin e Durrësit një kosovari i kushton 20 euro udhëtimi nga Prishtina deri në plazh. Pastaj atyre që zgjedhin të gjejnë strehim nëpër vila nga krahu matanë rrugës u duhet të paguajnë nga 10 euro për çdo natë të kaluar nëpër dhoma të kompletuara me pajisjet e domosdoshme për një jetë normale. Ndërsa ata që zgjedhin anën e detit paguajnë15 deri 20 euro natën. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie pushuesish gatuajnë vetë nëpër dhomat e tyre dhe vetëm një pjesë e vogël preferon restorantet.

Në krahasim me plazhet e Ulqinit dhe të Budvës, plazhi i Durrësit është më ekonomik. Një pushues kosovar u shpreh se “në plazhet e Malit të Zi llogaria kryhet në bazë të krevateve, kështu në Ulqin për një krevat nata kushton 5 deri 7 euro, ndërsa në Budva ai arrin deri në 10 euro”. Sipas informacioneve që japin kosovarët të cilët janë akomoduar në Durrës, rezulton se rreth 30 për qind e fluksit të kosovarëve përfundon në Vlorë dhe Sarandë dhe 70 për qind në Durrës për shkak të çmimeve të leverdishme, por edhe për koston më të lirë të udhëtimit nga Prishtina. Nga ana e saj, Bashkia e Durrësit ka marrë masa për pastrimin e plazhit të Durrësit duke shtuar numrin e personelit me punonjës sezonalë. “Për çdo ditë plazhi dhe bregu i detit pastrohen nga mbeturinat të cilat largohen me kamionë. Edhe filiali i KESH-it ka marrë masa që furnizimi me energji elektrike të mos ndërpritet për asnjë çast”, - deklaroi drejtori i ri, Agron Seseri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›