E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendimi për aplikimin e Shqipërisë, një rast që s’duhet humbur nga opozita”

Jozefina Topalli, kryetarja e  Parlamentit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndet dje nga OKB-ja vendimin e Këshillit të Ministrave për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE.
Në një prononcim për mediat, Jozefina Topalli u shpreh se, “Është një ngjarje historike. Miratimi nga Këshilli i Ministrave i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat,  do të thotë që Shqipëria është përgëzuar,  është vlerësuar në mënyrë të veçantë për zgjedhjet e 28 Qershorit si zgjedhje që plotësuan kërkesat kryesore të OSBE-së. Kjo është çështja për të cilën Këshilli i Ministrave nuk e mori këtë vendim para 28 Qershorit, ia la Shqipërisë dhe shqiptarëve si një provë të rëndësishme të forcimit të demokracisë dhe të parlamentarizmit”.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit tha se, “vendimmarrja për miratimin e kërkesës të depozituar nga Kryeministri Berisha në prill të këtij viti në periudhën e presidencës çeke, ishte një mesazh pozitiv vlerësues, inkurajues për Shqipërinë, duke bërë që vendi ynë të arrijë tashmë në stacionin më të afërt drejt BE-së”. 
Në vijim të deklaratës së saj, Topalli tha se kjo është një ditë e madhe si për socialistët ashtu dhe për demokratët, duke shfrytëzuar dhe një herë rastin për të ftuar në Parlament deputetët socialistë.
“Shfrytëzoj rastin duke falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për gjithë shqiptarët për punën që kanë bërë, në mënyrë të veçantë për reformat e kohëve të fundit por dhe për ligjet  që kemi miratuar në këto dy muaj, 60 ditë të këtij legjislacioni,  duke e konsideruar në të njëjtën kohë si stacion fort të rëndësishëm, i cili hap sfida të reja për ne shqiptarët veçanërisht për Parlamentin e Shqipërisë. Është një rast të cilin opozita nuk mund ta humbasë. E humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve për t’u bërë pjesë e kësaj fitoreje. Kjo nuk është fitore e të djathtës, kjo është fitore e të majtëve e të djathtëve e republikanëve, e LSI-së, e shqiptarëve pa parti, e të gjithë shqiptarëve”, theksoi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, mori pjesë dje në godinën e OKB-së në Neë York që u mblodhën rreth 15 kryetarë të parlamenteve kryesorë të botës, Ajo është Kryetarja e parë që përzgjidhet në pesëmbëdhjetëshen kryesuese globale ndër 200 kryetarë parlamentesh të gjithë botës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›