“Rama nuk njeh tokën dhe fshatin, ai njeh betonin, se betoni i dha mundësi të blejë PS-në e të bëhet kryetar”
Flet posaçërisht për gazetën “55”, Genc Ruli, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori
“Zoti Rama nuk njeh tokën, ai njeh betonin se betoni i dha mundësi të bëhet kryetar të blejë dhe Partinë Socialiste”. Kështu shprehet midis të tjerave në një intervistë ekskluzive për gazetën “55” ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli. Duke folur për të ardhmen e fermerit shqiptar, u përgjigjet akuzave të kreu të opozitës Edi Rama në lidhje me fushën e bujqësisë, për përfitimet në fonde nga marrja e statusit të vendit kandidat të vendi. Për ministrin Genc Ruli, bujqësia do të vazhdojë të jetë prioritet dhe pjesë e rëndësishme e programit elektoral ët PD-së, për zgjedhjet e vitit 2012, ndërsa vë në dukje se edhe marrja e statusit të vendit kandidat, do të jetë një gjë pozitive edhe për bujqësinë, si pasojë e shtimit të fondeve për këtë sektor edhe nga programe e projekte ndërkombëtare
Ju keni deklaruar se fermeri shqiptar, agrobiznesi, prodhuesit e mëdhenj e të vegjël kanë arritur të sfidojnë krizën në këto kohë të vështira, të ndihmuar edhe nga mbështetja e pakursyer e qeverisë shqiptare. Ndërsa kreu i opozitës Edi Rama në takimet e tij kanë vënë theksin se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit. Si qëndron e vërteta? Çfarë ka bërë MBUMK për t’u gjendur në krah të fermerëve, agrobiznesit dhe prodhuesve?
Hapi i parë që bën shteti në ndihmë, orientim e mbështetje të biznesit është përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE, përafrojmë rregulloret, duke i përshtatë në kushtet tona, nxjerrim udhëzime konkrete si Ministri Bujqësie, udhëzime të cilat u vihen në dispozicion për tu aplikuar edhe strukturave shtetërore të monitorimit, strukturave inspektuese në mënyrë që të kërkojnë nga biznesi respektimin e këtyre standardeve. Nga ana tjetër, me vetë subvencionet që ne japim qoftë për prodhuesit fermerë, qoftë për agro-industrinë në formën e kredive që japim pa interesa apo subvencionimin e interesit të kredisë, ne gjithmonë vëmë parakusht, që projekti investues të jetë në përputhje me standardin dhe vetëm atëherë ai bëhet projekt fitues për tu subvencionuar nga fondet shtetërorë. Elementi i fundit është ndjeshmëria, përhapja e informacionit në këtë drejtim, ndërgjegjësimi dhe informacioni gjithmonë e më i madh në dispozicion të fermerit, tregtarit apo biznesit investues. Rritja e prodhimit bujqësor ka pasur një trend të konsoliduar gjatë 4-5 viteve të fundit, rritje që asnjë vit s’ka qenë më e ulët se 3.2 – 3.3 për qind. Ka një kulmim në vitin 2010 ku rritja e prodhimit bujqësor arrin në 8 për qind. Shifrat e rritjes kanë qenë akoma më të larta tek eksportet. Kjo është mjaft pozitive. Eksportet e produkteve bujqësore kanë rritjen prej gati 9 për qind ku do thosha maja e diamantit është eksporti i perimeve me një rritje gati 27 për qind, frutat janë rritur gati 2.8 herë, pra 280 për qind dhe bimët medicinale të cilat në volumin e eksportit tonë janë gati 50 për qind, pasi është komponent i rëndësishëm i eksportit tonë, këtë 9 mujor janë rritur 17 për qind. Eksportet e produkteve blegtorale, kjo është një risi e viteve të fundit, janë rritur 21 për qind në këtë 9 mujor, ku për herë të parë ne kemi rritje gati 3 herë të produkteve të ndryshme të mishit dhe kemi rritje 3 herë ose 300 për qind të eksportit të vezëve. Pozitive është përmirësimi në vazhdimësi i bilancit për arsye se rritja e importeve është shumë e ulët. Pra gjithnjë e më shumë tregu po përballohet nga prodhimet vendase.
PS-ja duket se ka shpalosur në programin e saj si prioritet bujqësinë dhe Edi Rama ka premtuar se me ardhjen në pushtet të socialistëve të ndërtohet një hartë e rajonizimit të prodhimit dhe gjithë territorin e Shqipërisë...?
Kam ndjekur me mjaft vëmendje deklarimin dhe turin e zotit Rama. Ato japin mundësinë që problematikën e sektorit bujqësor ti paraqesin më realisht para shqiptarëve. Rilindja kombëtare ndodh vetëm një herë dhe jo sa herë do zoti Rama të fitojë zgjedhjet e të shpallë rilindje. Ai nuk e njeh sektorin bujqësor. Atij i intereson spektakli dhe jo esenca e asaj që diskuton. Nëse flet për një rilindje të fshatit shqiptar nuk e di kujt kohe do ti referohet që fshati shqiptar ka qenë mirë. Fshati shqiptar ka qenë mesjetar dhe i shfrytëzuar dhe në periudhën e komunizmit ku gjithë të ardhurat e fshatit i merrte shteti dhe i përdorte për një industrializim të tepruar dhe jo ekonomik, por ama në vetvete niveli i jetesës në fshat ka qenë niveli më i ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë fshati shqiptar. Fshati shqiptar ka kaluar traumën e tranzicionit gjatë 15 vjetëve të para dhe fshati shqiptar ka filluar të ndryshojë ndjeshëm në 6-7 vitet e fundit, ndryshim thelbësor që të bën optimist. Nëse zoti Rama vërtete do të donte që në programin e partisë së tij ti vinte një theks të rëndësishëm fshatit dhe politikës bujqësore, duhet të kuptonte çfarë ka ndodhur me këtë fshat deri sot. Por duke thënë se fshati jonë është primitive, është në mjerim, duke manipuluar me konceptet e duke mos pasur asgjë të qartë për fshatin kjo është ajo që shihet shumë herë nga qyfyret që deklaron të cilat janë për humor. Për mendimin tim nuk bëhet fjalë për një program rilindje por për një vështrim virtual. Ne programin tonë qeverisës fshati ka marrë për herë të parë mbështetje të strukturuar konkrete e me prioritete.
Si i gjykoni këto premtimet e Partisë Socialiste në programin për fshatin me specifikisht për ulje të kostos së prodhimit, heqje të TVSH, subvencion për naftën? A janë ato realiste duke parë zhvillimin e produktit bujqësor në ditët e sotme ?
Kam avantazhin të mos përgjigjem me premtime ndonëse edhe ne kemi çfarë premtojmë. Ai thotë toka nuk prodhon mirëqenie, jo, përkundrazi. Zoti Rama nuk njeh tokën, ai njeh betonin se betoni i dha mundësi të bëhet kryetar të blejë dhe partinë socialiste. Por bujqësinë ai nuk e njeh dhe baltën ai nuk e njeh. Toka prodhon mirëqenie. Fshatarit tonë që ka ardhur me eksperiencat nga vendet ku ka punuar toka po i jep të ardhura. Fshati tani nuk është një ishull i izoluar ku vetëm me gomar pas 4 ditëve mund te zbritet ne treg. Janë 8 mijë km rrugë të bëra këto vitet e fundit rrugë fshati e kombëtare por që aksesojnë zonat e fshatit. Janë 3-4 miliardë dollarë investime në infrastrukturë që i dhanë së pari këtë ndryshim realitetit në fshat. Janë skemat tona mbështetëse drejtpërsëdrejti te fermeri ku paraja në mënyrë transparente shkon te fermeri. Me ke do ta krahasojë Edi Rama fshatin? Me skemat që ndoqi PS deri ne 2004. Janë 30 përftues nga PS deri në 2004 që përftuan 12 milionë dollarë. Ne kemi 34 mijë përftues që kanë marrë 55 milionë dollarë. Përmendin skemën e subvencionit të naftës, një skemë që s’është për ta përmendur. Jo se nuk duhet asistuar fshatari, por ka rëndësi mekanizmi. Për çdo ha tokë PS jepte subvencion me naftën 17 mijë lekë (të vjetra) që merrte fermeri. Çdo fermer nga skemat tona merr minimumi 1.8 milionë lekë (të vjetra), maksimumi 2 milionë e 500 mijë lekë (të vjetra).
Bujqësia shqiptare karakterizohet përgjithësisht nga fermat e vogla, me sipërfaqe të vogël toke, shpesh herë dhe me nivel të ulët mekanizimi. A është kooperimi i fermerëve një mundësi për të përballuar problemet e një kreditimi të limituar?
Në bujqësinë shqiptare mbizotëron ferma e vogël, nën 2 hektarë. Pozitive është se kemi një rritje të fermave mbi 2 hektarë ku sot kemi 61 mijë ferma të tilla që janë prodhuese aktive dhe janë prezent ne treg. Por fermat mesatare i kemi me 1.5-1.8 ha. Problemi i dytë brenda fermës është se kjo ferme e ka të parcelizuar tokën, në 2-3-4 parcela brenda fermës. Procesi i konsolidimit të tokës është proces reformues në bujqësi. Reformat për tokën në bujqësi nuk japin impaktin brenda një viti apo dy vitesh, janë reforma që marrin vite të tëra. Ne jemi përqendruar shume në konsolidimin e fermës. Pozitive është ferma e orientuar për treg. Sot 45-50 për qind të fermave në Shqipëri i kemi ferma që prodhojnë për tregun vendas dhe të huaj. Pjesa tjetër prodhojnë gjithë gamën e produkteve që i nevojiten për ushqim familjes fermerë. Para 7 vitesh as 20 për qind e fermave nuk kanë prodhuar për treg. Kjo sjell një gjë pozitive, specializimin e fermës duke rritur konkurueshmërinë. 52 për qind e fermave në vend janë universale ose ferma që shërbejnë për tu vetushqyer. Edhe për këto ferma kemi skema të përshtatura subvencionimi, ku kriteret e përftimit janë të lehtësuara si për mbjelljen e ullinjve arrorëve etj. Në blegtori rritja e numrit të fermave me mbi 6 lopë ose 60 krerë të imta ka qenë shumë pozitiv. Kjo po rrit prodhimin e mishit e qumështit dhe eksportet.
Me marrjen e Statusit te vendit kandidat, Shqipëria përfiton nga fondet IPA të Bashkimit Europian. Si do të koordinohet punën me donatorët për projektet-programet e BE-së dhe ndihmës së huaj për të cilat MBUMK-ja është përfituese? A do të kemi një impuls të ri për zhvillimin e produktit bujqësor?
Me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, ne si vend kemi mundësi të marrim një përfitim më të madh se sa ai që kemi pasur deri më sot për faktin se ne bëhemi përftues në dy komponentë të rëndësishëm të programeve të para-aderimit, IPA, ku ne deri më sot kemi përfituar vetëm nga programi i parë që ka të bëje me asistencën e tranzicionit dhe ngritjen e institucioneve. Përfitimi ka qenë jo i vogël deri tani që nga 2008 deri në 2012 ku sektori i bujqësisë dhe ushqimit ka përfituar rreth 42 milionë euro. Siguria ushqimore ka marrë rreth 15 milionë euro, shërbimi veterinar ka marrë më shumë se 10 milionë euro. Deri tani Shqipëria ka marrë edhe një ndihmë tjetër të avancuar, ku kemi një paketë të bërë për Shqipërinë, i ngjashëm me IPARD ku sektori bujqësor ka marrë 16 milionë euro, 10 milionë për subvencionin e 6 milionë për garancinë bankare për agroindustrinë. Ky projekt, është edhe një reflektim nga Struktura e Komisionit Europian që mbulon sferat e bujqësisë nga eksperiencat që ka me vendet e tjera që e kanë marrë këtë status ose që e kanë marrë anëtarësimin në BE. Kjo për të krijuar një parapërgatitje të këtyre vendeve, si të përftuesve fermerë apo strukturave shtetërore që orientojnë këtë ndihmë financiare. Kjo për arsye se ka pasur eksperienca me vendet që kanë marrë statusin më parë dhe nuk kanë pasur mundësi ti absorbojnë këto fonde pikërisht për faktin se nuk kishin bërë përgatitjet përkatëse. Për ne është shumë e favorshme që kjo ndihmë vjen në këtë fazë. Ne kemi avancuar në ngritjen e strukturave, si Agjencia e Pagesave apo e zhvillimit bujqësor dhe rural siç njihet me këtë emër e cila është në prag të akreditimit, njihet nga strukturat e BE dhe është e përgatitur për të përdorë fondet që vijnë nga BE në ndihmë të sektorit bujqësor. Duhet të kemi një gjë parasysh se 70 për qind e legjislacionit që rregullon sektorët e ndryshëm të BE, është në fushën e sektorit të bujqësisë dhe ushqimit. Pra, sfida jonë për të përqasur këtë legjislacion është e stërmadhe.
Viti i ardhshëm është elektoral, PD-ja dhe PS-ja do të kenë programet e tyre. A do të vijojë të jetë bujqësia një prioritet i PD-së në programin e ardhshëm qeverisës?
Sektori i bujqësisë, në të gjitha planifikimet afatmesme tonat, konsiderohet nga sektorët e rritjes me prioritet, pavarësisht se në dy vitet e fundit, nga impaktet e krizës totale botërore, nuk kanë qenë vitet e begatisë buxhetore do të thosha, përsëri buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ka ardhur me rritje, ose ka qenë nga ministritë që ka pasur rritjen më të lartë krahasuar me dikasteret e tjera. Faktikisht buxheti i vitit 2012 është 15 për qind më i lartë se 2011. Në total është 6.7 miliardë lekë, një realizim mjaft i mirë dhe sistematik deri tani I këtij buxheti. Tri pikat apo pjesët kryesore që thithin pjesën dërmuese të buxhetit janë, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja që merr 2.1 miliard lekë. Sivjet përqendrimi ka qenë për të përfunduar veprat mbrojtëse në zonën e Shkodrës, Lezhës, Korçës. Në Shkodër nga viti i kaluar e deri tani janë bërë 12 milionë dollarë investime në argjinatura e mbrojte e thellim kanalesh kulluese, investime që nuk ishim bërë në 50 vitet e fundit.
Intervistoi Lavdrim Lita