Skadon afati për dosjet – a do dalë presidenti kundër firmës së Bamir Topit
Sot është dita e fundit që kushtetuta i ka dhënë presidentit të republikës për t’u shprehur lidhur me Ligjin për Dosjet. I firmosur prej tij 3 vjet më parë, ligji ka marrë mbështetjen e mazhorancës parlamentare, por edhe mallkimin e segmenteve të Sigurimit, të cilat mbijetojnë në sistemin e drejtësisë. Pritet që kryetari i shtetit të japë sot verdiktin për mbrojtjen e institucionit të presidencës ose për shndërrimin e tij në një godinë nën palët politike
Protesta e ish-të përndjekurve të Shkodrës: President, mos ki frikë nga hapja e dosjeve
TIRANE – Sot skadon afati për firmosjen nga Presidenti i dekretit për ligjin e dosjeve. Sot, pritet që Presidenti i vendit të jetë pro apo kundër Bamir Topit, i dyzuar tashmë, mes autorësisë së këtij ligji, dhe dyshimeve për hedhjen poshtë të tij.
Përballë një dyzimi të tillë, Zëvendëskryeministri Genc Pollo, ka deklaruar ditën e djeshme se Presidenti i Republikës, Bamir Topi është i vonuar në dekretimit e ligjit të dosjeve. Pollo ka deklaruar se, “Unë e quaj të vonuar procesin e dekretimit, unë nuk shoh ndonjë arsye për tu menduar kaq shumë për një ligj me 30 nene, mesazhi i të cilit është i qartë, instrumentet e të cilit janë lehtësisht të kuptueshme. Sepse Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës sonë është një njeri që ka një vizion të caktuar, që mund të kundërshtojë diçka, por duhet të ketë argumente të forta lidhur me përmbajtjen. Dhe e njëjta gjë vlen dhe për Kodin Zgjedhor. Presidenti i Republikës nuk është Gjykatë Kushtetuese që të shikojë germat dhe dispozitat e veçanta në përputhje me dispozitat e tjera. Nuk është një byro politike, Presidenti i Republikës është një figurë e lartë e cila shprehet me pikëpamjet e veta dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo duhet të vonohet me tutje”, tha Pollo.
Duke kujtuar qëndrimin e presidentit pro ligjit të dosjeve, qëndrim të cilin presidenti aktual e ka shprehur edhe në kohën kur ai ishte ne krye te deputeteve demokratë, zëvendëskryeministri Pollo i kërkoi Presidentit Topi që te jete më koherent, duke i kujtuar Kreut të Shtetit se ligji aktual nuk ka asnjë ndryshim nga drafti i tre viteve me pare.
Ndërkohë edhe Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomorr Aliko, ka bërë të ditur ditën e djeshme, se gjatë takimit më Presidentin e Republikës, i ka kërkuar Kreut të Shtetit dekretimin sa më të shpejtë të ligjit të dosjeve. Duke pasur parasysh edhe reagimet e shumta të shoqatave të ish të përndjekurve politikë, të cilat në mënyrë të pafundme nëpërmjet peticioneve i kanë kërkuar Presidentit të Republikës dekretimin sa më të shpejtë të ligjit të dosjeve, Aliko nënvizoi se kjo “është dëshira e të gjithë të përndjekurve dhe e gjithë popullit shqiptar”.
Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomorr Aliko, kujtoi se, “Përse duhet të presim akoma, kemi pritur 15 vjet dhe tani më në fund ligji u aprovua nga Parlamenti shqiptar, sepse krimi duhet patjetër dënuar”.
Dekretimin e ligjit të dosjeve, në mënyrë të përsëritur e kanë kërkuar dje edhe ish-të përndjekurit politik të Shkodrës. Me sloganin “President mos ki frikë” dhe “President hiq dekoratat e persekutorëve tanë”, ish-të burgosurit e Shkodrës dhe Instituti i të Përndjekurve Politikë, kanë protestuar ditën e djeshme përpara Presidencës, ku ushtron kompetencat e tij kushtetuese, Kreu i Shtetit, Bamir Topi. Protesta e tyre vjen në vazhdën e letrave dhe kërkesave të shumta që ish të burgosurit dhe të persekutuari politikë të Tiranës dhe të rretheve të tjera të vendit, i kanë bërë presidentit për dekretimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”, ndërkohë që ligji i dosjeve prej disa javësh është miratuar nga Parlamenti. Protestave të ish-të persekutuarve politikë nga të gjitha rrethet e vendit i janë bashkuar edhe studentë të Universitetit të Tiranës, Këshillit Studentor, Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, si dhe studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, të cilët kanë hedhur firmat e tyre në peticionin drejtuar Presidentit Topi, me kërkesën “President dekreto ligjin për dosjet”.