E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, optimist: Na duhet një kompromis për fletët e votimit

“Një arritje që deri para pak ditësh as dhe ne vetë nuk e parashikonim”

Kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, është shfaqur optimist për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike, teksa ka këmbëngulur në faktin se greva e urisë së deputetëve socialistë pati sukses. Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i opozitës dha vlerësimet e para rreth produktit të negociatave të 20 majit në Strasburg, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Zoti Rama, një ditë pas takimit në Strasburg, kemi ecur përpara apo jemi aty ku ishim, për sa i përket zgjidhjes së krizës politike në vend?

Nuk ka pasur një rezultat konkret dhe përfundimtar, por në këndvështrimin tonë është bërë një progres shumë i rëndësishëm në dy aspekte. Aspekti i parë është fakti se tanimë, çështja e transparencës në Shqipëri dhe për Shqipërinë, është shtruar në një tryezë të nivelit më të lartë të mundshëm, me përfshirjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve kyçë të botës demokratike, Bashkimi Europian, Parlamenti Europian, qeveria e SHBA-së. Të përfshirë në këtë proces, jo thjesht me dëshirën për të shprehur një shqetësim serioz lidhur me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe nevojës për zgjidhjen e krizës, por edhe me angazhimin konkret për të kontribuar që kriza të zgjidhet dhe për të hapur rrugën e transparencës.

Zoti Rama, opozita ka ndërprerë grevën pas presioneve të ndërkombëtarëve, për hir të negociatave dhe të një zgjidhjeje konkrete. çfarë ndodh tani që palët nuk kanë rënë të paktën dakord?

Kush mendon dhe thotë se ndërprerja e grevës ishte rezultat i presionit, apo akoma dhe më keq, se nga ndërprerja e grevës ne nuk fituam atë që duhej, është krejtësisht i gabuar. Greva u ndërpre në kushtet kur sensibilizimi lidhur me çështjen tonë arriti kulmin dhe u mishërua në vullnetin e mirë të të gjithë këtyre faktorëve dhe aktorëve që përmenda, për të angazhuar një proces negocimi në tryezën më të lartë që bota demokratike mund të përfitojë për të ndihmuar zgjidhjen e një krize, për një vend siç është vendi ynë. Mendoj që kjo është një arritje që deri para pak ditësh, as dhe ne vetë nuk e parashikonim në këtë përmasë e në këtë intensitet.

Dy javë që janë lënë përpara, janë një afat ultimativ për një zgjidhje. Unë i kam rishprehur domosdoshmërinë që të mos cenohet nga kjo krizë, që është një krizë e thellë institucionale dhe politike, por që koston e së cilës në raport me liberalizimin e vizave, nuk duhet në asnjë mënyrë ta paguajnë shqiptarët.

Zoti Rama, a janë të mjaftueshme dy javë për të arritur në një zgjidhje?

Për sa na takon dhe më takon, na mjafton vetëm një minutë. Sepse zgjidhja është plotësisht e mundshme. Rruga e zgjidhjes është plotësisht e qartë, përmes garantimit të transparencës, duke i krijuar hetimit parlamentar akses të plotë në dokumentacionin zgjedhor. Të mos harrojmë se çështja e kutive, dokumentacionit zgjedhor ose kutive të Ruzhdieve të Shqipërisë, deri para pak ditësh mund të ishte një tabu. Ndërsa sot është kthyer në një realitet të prekshëm në rrugën e zgjidhjes.

Ndërkohë që duhet të vazhdojmë të punojmë për të realizuar një kompromis të arsyeshëm, lidhur me qasjen ndaj fletëve të votimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›