E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë e Gërdecit implikojnë ushtarakët

Procesi Togat e zeza dëgjojnë deklarimet për transportin e municioneve luftarake drejt fabrikës së demontimit

Procesi “Gërdeci” ka vazhduar dje pas dy javësh ndërprerjeje me tri dëshmi; atë të ish-mbikëqyrësit të MEICO-s, Sokol Ngjeçi, ish-komandantit të Brigadës Logjistike, Kadri Sula, dhe ish-drejtorit për Harmonizimin e Legjislacionit me Kuvendin në Ministrinë e Mbrojtjes, Ndue Marku. Deponimet e këtyre personave i kanë dhënë tjetër rrjedhë procesit. Fillimisht Ngjeçi ka mohuar të ketë përgjegjësi për ngjarjen, por ka fajësuar drejtpërdrejt ish-drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritanin Minxolli, ish- drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, si dhe ushtarakët, se transportimi i municioneve për demontim në Gërdec bëhej pa asnjë grafik, pa asnjë dokument dhe pa asnjë planifikim paraprak. Surprizën e ka bërë Kadri Sula, i cili ka deklaruar se Luan Hoxha, atëherë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ka pasur dijeni për Gërdecin, e madje ka dëgjuar nga të tjerë se ai kishte inspektuar fabrikën e demontimit atje.

Zbatimi i vendimeve

Ish-mbikëqyrësi i MEICO-s, Sokol Ngjeçi, ka folur për dërgimin e municioneve në Gërdec. “Grafiku i sasive ditore që shkonte në Gërdec për të dy projektet përgatitej sipas ligjit nga specialistët ushtarakë. Midis dy palëve, që ishin specialistët e zyrës së marketingut të MEICO-s dhe specialistët e komandës mbështetëse të logjistikës, nuk ka pasur urdhra, ndërhyrje as nga drejtori i MEICO-s, Pinari dhe as nga përfaqësuesi i SAC si drejtori i fabrikës Dritan Minxolli”, tha Ngjeçi. Sipas tij, zbatimi i VKM nr. 138, dt. 14.3.2007 për përgjegjësitë dhe mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, detyronte, që procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhej nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të FA, duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara e të çmilitarizuara, si dhe të produkteve të tyre, pas çmontimit dhe çmilitarizimit. “Personeli i ndërmarrjes MEICO, kryesisht ish-shefi i degës së marketingut dhe shefi Spiro Zaka, ish-specialist dhe kolegu im Xhemal Oralliu kishin përgatitur në përgjithësi të gjithë praktikën dokumentare për zbatimin e urdhrit 550, ku dua të veçoj këtu aktmarrëveshjen dhe grafikun e transportit me Komandën Mbështetëse Logjistike, të cilën asnjë nga autoritetet e kësaj komande nuk i firmosën”, vijoi Ngjeçi.

Urdhri i debatuar

“Kam qenë komandant i brigadës logjistike nga muaji mars 2007 deri në prill 2008. Jam njohur me urdhrin 550 të MB, i cili na erdhi nga Komanda Mbështetëse Logjistike dhe ky urdhër u vu në zbatim duke iu dërguar edhe reparteve të tjera. Detyra jonë ishte që të bëhej koordinimi me drejtuesit e reparteve vartëse për dërgimin e municioneve në fabrikë, në kohën që të ishin gati. Jam njohur me urdhrin nr. 1648 të Komandës Mbështetëse Logjistike, i cili ishte për dorëzimin e municioneve në fabrikë. Kemi zbatuar urdhrat që na kanë ardhur për dorëzim municioni dhe ishin në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes. Nga Komanda Mbështetëse nuk më ka ardhur grafik i veçantë për dorëzim municioni, por jam njohur me urdhrin për transportim municioni të Komandës Mbështetëse dhe e kemi vënë në zbatim, duke i transportuar municione firmës MEICO. Për koston e të gjitha këtyre veprimeve thuhej se kjo do t’i faturohej në fund firmës MEICO, por kjo kosto u përballua nga Komanda Mbështetëse”, deklaroi në seancë ish-komandanti i Brigadës Logjistike, Kadri Sula. Ai deklaroi se njihej me Ylli Pinarin dhe se kishte pasur me të marrëdhënie pune korrekte. “Me Delijorgjin jam njohur nga Pinari, i cili ma prezantoi si përfaqësues i firmës amerikane SAC. Për sa i përket këtij takimi, dua të them se në një bisedë telefonike me Zihja Bajën më thotë se po dërgoheshin shumë pak municione dhe se magazinierët e objektit tonë në Qafë-Mollë nuk deklaronin sasinë e municioneve, i thashë që do ta verifikoja. Pas disa ditësh u nisa me Pinarin për në Qafë-Mollë dhe aty erdhi edhe Delijorgji. Transportimi i sasisë së municioneve bëhej në sajë të urdhrit të eprorëve në mungesë të një grafiku. Specialistë të Komandës Mbështetëse dhe të MEICO-s koordinonin punën për sasinë e municioneve që do të transportohej. Specialistët e MEICO-s dhe të Komandës Mbështetëse kishin një grafik koordinues dhe kjo edhe për sasinë ditore të municioneve”, përfundoi Sula.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›