Lufta e ftohtë Meta-Berisha po vazhdon në Kosovë?
Të hënën, katër ditë pasi Nasip Naço shpëtoi mazhorancën në Kuvend në votimin për anëtarin e KLD-së, gazeta Zëri e Kosovës publikoi disa fakte dhe letërkëmbime zyrtare që shpjegonin bllokimin e ndërtimit të linjës 400 kilovolt të interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, e cila mund të sigurojë pavarësinë energjitike të Kosovës nga Serbia.
Çlidhje kanë këto dy ngjarje me njëra-tjetrën? Ndoshta asnjë, por ndoshta ndonjë
Për publikun shqiptar nuk u bë e qartë nëse Nasip Naço u shkëput nga grupi i tij i deputetëve të LSI-së (që nuk mori pjesë në votimin për anëtarin e KLD-së) me kokën e vet apo i porositur nga Ilir Meta. Ndërkohë, korrespondencat e publikuara në mediat e Prishtinës dhe Tiranës rreth skandalit të linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri duket se kanë rrjedhur pikërisht nga zyra ministrore e Naços. Dhe, nëse e vërtetë, kjo do të përbënte një goditje shumë të fortë nën brez të LSI-së për patriotin e madh Berisha, lindur e rritur në Malësinë e Gjakovës.
Kështu nga publikimet në media mësojmë se në një letër që Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i dërgoi në 20 shkurt Ivi Kasos, Drejtor i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave dhe, për dijeni, Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Financave Ridvan Bode dhe drejtorit të OST-së Arben Ibro, shkruhet se vendimi i OST-së për të ndryshuar fituesin e tenderit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri nuk është aspak profesional dhe është i papranueshëm. Ministri Naço i kujton drejtorit të OST-së se vlerësimi i ofertave bëhet sipas kushteve të vendit financues, në rastin konkret, procedurave të rëna dakord me KFW-në dhe konsulentin. Në fund të letrës, Ministri i Ekonomisë vëren me shqetësim se vendimi i OST-së, përveçse shkakton kosto prej 2.5 milionë euro për çdo vit vonese në tender rrezikon realizimin e linjës së interkonjeksionit dhe marrëdhëniet me KFW-në, një nga donatorët më të mëdhenj dhe seriozë, siç thotë ai, por dhe marrëdhëniet politike me qeverinë gjermane.
Ndërkohë, në një letër të bankës KFW (bankë shtetërore gjermane që jep kredi të buta për zhvillim), shprehet shqetësimi për bllokimin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Letra e drejtuesve të KFW-së u është dërguar ministrave Ridvan Bode e Nasip Naço dhe kryeministrit Sali Berisha. Në të thuhet se KFW, si financuese e projektit, e monitoron atë nga afër dhe, në fund të monitorimit, ka konkluduar se ai ishte në rregull. Për shkak se projekti është teknikisht shumë kompleks, në dokumentet e tenderit dhe në kriteret e seleksionimit është përcaktuar se oferta teknike do të ketë një peshë 70 për qind dhe ajo financiare vetëm 30 për qind, thuhet në letrën e KFW-së.
Drejtuesit e bankës thonë se e gjithë procedura e tenderit ka përfshirë vlerësimin teknik, financiar dhe postkualifikimet. Vlerësimi teknik është bërë më 22 gusht 2011 dhe ai financiar në shtator të vitit 2011. Për më tepër, ne vumë re epërsinë teknike të ofertuesit të renditur si i pari në tender. Krahasuar me projektet tona në mbarë botën në këtë fushë, çmimi i ofertuesit të parë, edhe pse është më i lartë se i atij të renditur në vendin e dytë, është në marzhin normal. Për të gjitha këto arsye, ne nuk shprehëm asnjë kundërshtim për vlerësimin final të agjencive, pavarësisht shqetësimeve tona për diferencat në çmim, thuhet në letrën e KFW-së.
*respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2012/4/17/lufta-e-ftohte-meta-berisha-po-vazhdon-ne-kosove
