E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e shërbimit të provës përcakton vendimet për të dënuarit

26/03/2009  Në projektvendim parashikohet roli i shërbimit të provës për dënimet alternative

TIRANË- Miratimi i rregullores së shërbimit të provës dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve alternative ishin objekti i një projektvendimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Rregullorja “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës si dhe standardet dhe procedurat e mbikëqyrjes së ekzekutimit të vendimeve alternative” është një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të zbatimit të dënimeve alternative në veçanti dhe reformimit të drejtësisë penale në përgjithësi. Një moment i rëndësishëm i kontaktit të parë të të dënuarit me shërbimin e provës është vlerësimi i personalitetit të personit nën mbikëqyrje, i cili ka për qëllim analizimin e sjelljes kriminale dhe rrezikshmërisë shoqërore, të situatës familjare, ekonomike dhe sociale dhe qëndrimit psikik të të dënuarit ndaj saj, të planeve afatshkurtra e afatgjata të të dënuarit e mënyrat e realizimit të tyre. Një nga veprimet më të rëndësishme të shërbimit të provës është hartimi i raporteve para fillimit të mbikëqyrjes, gjatë e pas saj. Për të dënuarin në gjysmë liri shërbimi i provës përcakton institucionin ku të vendoset ai, hartimin e programit dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimit. Në lidhje me të dënuarin me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien në provë shërbimi i provës harton programin, mbikëqyr ekzekutimin e vendimit dhe informon organet kompetente. Për të dënuarit që bëjnë punë me interes publik shërbimi i provës përcakton llojin dhe vendin e punës. Projektvendimi është përkrahur nga të gjitha ministritë e strukturat përkatëse, me disa sugjerime të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›