E Diel, 1 Nëntor 2026

Refleksion mbi shfaqjen e Cirkut të Metropolit “Mos i beso kurrë një ujku”

26/03/2009  Nuk kam ndër mend të shkruaj në mënyrë të detajuar për premierën “Mos i beso kurrë një ujku”, për vlerësimet që mund të kem dhe se çfarë të reja solli. Që në fillim dua të them se ajo i përmbush kërkesat e spektatorit cilësisht si në përmbajtje, ashtu dhe në formë. Për nga kjo e dyta ishte një arritje bashkëkohore me elemente të pasura gjetjesh regjisoriale. Ishte një ndërthurje marramendëse midis akrobacisë, baletit, muzikës, kostumografisë, teknikës, pra e trajtuar si një e tërë, sa të duket se je në një ambient çudirash. Mendoj se drejtuesit e Cirkut të Metropolit bëjnë një punë të mirë duke vënë herë pas here shfaqje të tilla me fabul për fëmijë. Vitin e kaluar pamë një shfaqje po me fabul për fëmijë, “Pipi Çorapegjata”, e cila gjithashtu pati arritje. Sivjet shfaqja “Mos i beso kurrë një ujku” ishte mbështetur në përrallën e njohur “Kecat dhe ujku”, por e trajtuar në dinamikën e lëvizjes e të ritmit. Këto lloje shfaqjesh janë një mundësi e mirë për të ofruar spektatorin në kushtet kur cirku ka vite që nuk lëviz nga Tirana për mungesë dietash e komunikacioni, ose e thënë shqip për mungesë parash. Vazhdojmë te shfaqja që pamë. Dinamizmi dhe lirizmi i saj buronte nga pasioni me të cilin interpretonin fëmijët e vegjël të mësuar me shumë përkushtim nga pedagoget e tyre. Në veçanti binin në pah numrat akrobatikë, të cilët morën dhe duartrokitjet më të mëdha, e kjo falë punës së mësuesve Agron Muho, Silvana Dumit, Nexhmije Dakli dhe mjeshtërve Kujtim Dumi e Sokrat Buzo.

Mendimi vetvetiu shkon diku tjetër për të ngarë një problem. Pothuaj tërësisht shfaqja mbahet nga akrobatët e vegjël, të cilët përgatiten në studion e cirkut. Kjo studio që kur është formuar e deri më sot mbahet vetëm nga nevoja e domosdoshme për të ruajtur vazhdimësinë e cirkut me akrobatë, pasi për të nuk ka asnjë financim. Herë pas here nga drejtues të ndryshëm janë bërë kërkesa për t’u krijuar shkolla e cirkut shqiptar për të pasur një financim të veçantë, por të gjitha përpjekjet kanë rënë në vesh të shurdhër.

A ka shkolla të tilla analoge në vendin tonë? Sigurisht që ka. Sjellim si shembull shkollën e baletit, filialin e gjimnastikës, shkollat e muzikës në rrethe, madje dhe vetë liceun artistik. Pra, përvoja në këtë drejtim ka, ana pedagogjike nuk mungon. Mendoj se mungon dëshira e drejtuesve të lartë të shtetit, e sidomos atyre të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që e ka për detyrë këtë gjë. ǒndodh aktualisht? Buxheti që vjen për t’u shpenzuar për nevojat e cirkut, një pjesë shkon për studion për të blerë bazë materiale, për të paguar pedagogët e jashtëm, pasi tashmë janë shtuar profilet e mjeshtërisë së aktrimit, të pantomimës, grimit, baletit, muzikës etj. Të gjithë këta duhen paguar, sepse puna e tyre është e domosdoshme për të përgatitur akrobatë të kohës dhe të gatshëm për ekonominë e tregut. Pra, e thënë ndryshe, drejtuesit e cirkut heqin diçka nga goja e tyre vetëm e vetëm që cirku të mbijetojë e të ketë vazhdimësinë e tij, duke e ruajtur traditën dhe vlerën që ka krijuar në këta 50 vjet. Mos vallë shteti po bën gabim ndaj këtij arti, që pothuaj e ka lënë në harresë? Kjo duket edhe në pagat që marrin artistët, të cilët janë më të ulëtat në Shqipëri, kur në një kohë është një art i domosdoshëm për të gjitha moshat, burrëror, argëtues dhe edukues. E kjo u duk dhe në shfaqjen që pamë. Akrobatët e vegjël kishin realizuar numra të cilësisë së lartë e me tendenca të theksuara profesionale, të një shkalle të vështirësisë së lartë. Numri i ekuilibrit interpretuar nga Bledi Balla e Loredana Dushku, që për nga ndërtimi e niveli nuk i linte asgjë mangët anës teknike e interpretuese të numrave të tjerë të realizuar nga artistë me emër, përkundrazi, ishte pasuruar me elemente vërtet të vështirë e që të mbante me emocione e në ankth deri në fund. Apo saktësia e siguria e zhonglerit të vogël Haki, numri i fjongove nga vajzat e studios dhe tabloja akrobatike ishin vërtet të veçantat e kësaj arritjeje. Prandaj e ngre me forcë problemin e financimit të studios së cirkut, pasi financohet për një art që ka perspektivë e që për vite me radhë na ka dhuruar kënaqësi dhe arritje. Nuk do shkojmë larg për të argumentuar talentin e artistëve tanë të rinj, që po punojnë pa u kursyer për të ruajtur fort e me sakrifica gjërat më të vyera të atyre artistëve që me mund e djersë i kanë realizuar. Një grup nga pjesëtarët e cirkut shqiptar ishte ftuar në Maqedoni për një manifestim artistik të cirqeve nga disa vende të Ballkanit. Çdo grup paraqiti arritjet më të mira nga niveli i tyre. Sigurisht, dhe ne u paraqitëm me artistët e rinj, që janë pesha e cirkut, të cilët nga ana e tyre dhanë me mjeshtëri arritjet tona, si dhe në numrin plastik të akrobates së re Manushaqe Mullaj, e cila ishte mrekullia e asaj shfaqjeje. Respekti për artin e cirkut u shtua. Flamuri ynë kombëtar u nderua me një nga artistët e njohur të cirkut tonë, veteranin Arian Miluka, i cili ndodhet refugjat në Belgjikë, por që sot është bërë drejtor artistik i Akademisë së Cirkut belg. Ai ka shfaqur dëshirën për të krijuar shkollën e Cirkut në Tiranë, bazuar mbi përvojën tonë e atë botërore. Kjo shkollë do të realizonte mundësinë e mbledhjes të talenteve nga e gjithë Shqipëria e diaspora. Çuditërisht asnjë përgjigje, vetëm heshtje, e cila flet nga padija, ose nga mosdashja, ndonëse ky shtet për meritat e Arianit si akrobat dhe si personalitet shqiptar e nderoi disa muaj më parë me titullin “Mjeshtër i Madh i Skenës”. Po sikur këta njerëz që drejtojnë politikat e artit sot të vinin të shikonin shfaqjen “Mos i beso kurrë një ujku”, kam bindjen se do të ndryshonin mendim e do të bëheshin dashamirës për ato çfarë ngritëm më lart. Çdo gjë e realizuar në botën e fëmijëve, që nga baleti, kostumografia plot ngjyra, ilustrimi muzikor etj., ishin në vendin e vet artistikisht e profesionalisht. E kjo falë mjeshtërisë të baletmaestrit Llaqi Nako, i cili aq bukur diti të sjellë këtë arritje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›