Rama përgjigjet: Blushi u ngut
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama iu përgjigj dje për herë të parë zërave brenda kryesisë socialiste për dorëheqje. Gjatë një konference për shtyp dje në selinë rozë, Rama tha se ata që kërkojnë largimin e tij janë ngutur. Në përgjigje të kërkesës së dy eksponentëve socialistë, Ben Blushi dhe Arben Malaj, që kreu socialist të pranojë humbjen dhe t’i hapë rrugën një gare për kryetar partie, Rama thekson faktin se më 28 qershor, partia që ai drejton mori numrin më të madh të votave se çdo parti tjetër në zgjedhje. “Unë jam kryetar i PS, forca që në zgjedhjet e 28 qershorit doli forca më e madhe në vend dhe unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës sime për të mos lejuar që ajo që ndodhi më 28 qershor të mos përfundojë me grabitjen e mandateve tona dhe me asgjësimin e një të drejte që ne na e jep ligji zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet”, u shpreh Rama. Kreu socialist doli dje në një konferencë për shtyp në selinë rozë dhe iu përgjigj apelit të Kryeministrit Berisha për bashkëpunim me PS për realizimin e reformave në parlament. “Sali Berisha duhet ta harrojë çdo bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste nesër, në qoftë se sot do të qëndrojë në atë karrige me mandate të grabitura përmes uzurpimit të KQZ-së apo trysnisë ilegale mbi Kolegjin Zgjedhor”, u shpreh Rama. Kreu socialist përsëriti dje apelin që Kolegji Zgjedhor të mos shkelë ligjin si Komisioni qendror i zgjedhjeve. “Zgjedhjet nuk kanë mbaruar dhe rezultati, jo vetëm nuk është ai që deklaroi zyrtarisht Partia Demokratike kur i dha arbitrarisht Sali Berishës, me ndihmën e KQZ-së së militarizuar për llogari të Sali Berishës, 71 deputetë, duke ngrënë ditën për diell mandatin tonë të nëntë në Fier, po nuk është as ky që deklarohet sot. Sepse ende nuk janë hapur kutitë e Beratit, ku ne kemi të gjitha arsyet e faktet për të pretenduar mandatin e pestë, dhe nuk janë hapur as kutitë e Tiranës e të Shkodrës, ku shqiptarët e shqiptaret duhet të shohin me sytë e tyre batërdinë që është bërë në numërimin e votave, për llogari të Sali Berishës”, u shpreh kryetari socialist. Kryetari socialist kërkoi dje transparencë për qarkun e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës, ndryshe sipas tij, PS nuk do të njohë zgjedhjet e 28 qershorit. “Pa u hapur kutitë e Beratit, Tiranës e Shkodrës, në bazë të Ligjit Zgjedhor, që nuk le asnjë ekuivok lidhur me të drejtën e dy anëtarëve të KQZ-së për hapjen e kutive, Sali Berisha jo vetëm s’mund të pretendojë të drejtën për të folur si kryeministër me një mandat të ri, po s’mund të ketë as të drejtën për të kërkuar që Partia Socialiste të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Me katër ushtarë në KQZ, që e kanë shitur shpirtin tek Saliu, apo largqoftë me gjyqtarë që do të sillen njësoj si ushtarët e Saliut, as nuk merret e as nuk mbahet dot pushteti i popullit. E siguroj Sali Berishën se në qoftë se nuk do të lejojë hapjen e kutive të Beratit, Shkodrës e Tiranës, do të zgjedhë rrugën më të shkurtër për të ndenjur mbi karrige, po absolutisht më të gjatën për ta mbajtur karrigen në këmbë”, u shpreh Rama.