Të martën shqyrtohet Fieri
Kolegji Zgjedhor nis të martën shqyrtimin e ankesave nga tre parti politike. Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Konservatore kanë ankimuar në shkallën më të lartë ligjore vendimet e KQZ-së, për sa i përket qarqeve të Beratit, Shkodrës, Fierit dhe Durrësit. Gjatë mbledhjes së parë që pritet të mbahet pikërisht të martën në orën 10, kolegji do të shqyrtojë dy ankesa të Partisë Demokratike për sa i përket qarkut të Fierit. Demokratët kanë kërkuar të shpallen të pavlefshme gjashtë qendra votimi në këtë qark si dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sa i përket tabelës përfundimtare. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, koalicioni i PD-së merr gjashtë deputetë, koalicioni i PS-së nëntë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim një deputet. Por ndërkohë selia rozë ka depozituar deri tani tre kërkesa ankimore për sa i përket qarqeve të Beratit, Shkodrës dhe Fierit. PS kërkon rinumërimin e fletëve të pavlefshme në Berat, të cilat mund t’i japin deputetin e pestë, si dhe shpalljen të pavlefshme të votimit në komunën Ruzhdie të Fierit dhe disa qendra në Shkodër.