E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama po rikthen xhufkat e viteve ’60

28/02/2009  “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha vijon takimet në Fier dhe Lushnjë

“Shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë, duan të jenë qytetarë të NATO-s”

Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar dje nga Fieri dhe Lushnja turin e ndërmarrë nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me vullnetarët. Në vijim të turit të takimeve “Shqipëria po ndryshon”, kreu demokrat është shprehur se sot shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë të Edi Ramës apo Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s. “Rivali im, duke parë moton tonë të përbashkët se “Shqipëria po ndryshon”, vendosi të na imitojë dhe për këtë le ta falënderojmë bashkërisht. Por ka një problem, se ndryshimi i tij vjen si një ndryshkim i vërtetë”, - tha Berisha.

Akuzat

“Zoti Rama, mos i ofendo shqiptarët! Së pari, këta burra dhe këto gra, këta të rinj dhe këto të reja nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s”, - u shpreh Kryeministri Berisha gjatë takimit të zhvilluar në Krutje dhe Fier. Duke iu drejtuar kryesocialistit për turin me vullnetarët, Berisha u shpreh: “Rama, mos i ofendo shqiptarët me xhufka, sepse xhufkat i kanë parë për 47-vjet me radhë për festën e 1 Majit.” “Vërtet ti mund të fërkosh hundën e ndonjë nostalgjiku me to, por për shqiptarët në tërësi ato janë salltaneti i mashtrimit. Prandaj lëri xhufkat dhe maskat, se nuk ke ç’bën, je i humbur”, - theksoi kreu demokrat. Më tej Berisha u shpreh se kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t’i lëmë xhufkat e 1 Majit të viteve ’60. “Le t’i mbajë ato, sepse – edhe një herë e them – qytetarët ndihen të lënduar me konceptin e vullnetarëve. Të tentosh të vullnetarizosh shqiptarët, do të thotë të tentosh t’i pronësosh ata, t’i bësh pronë tënden. Në një kohë kur ne duam të jemi qytetarë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, zotëria i tij u thotë ‘bëhuni vullnetarë të Enverit’, se socialistët i kanë shijet e vullnetarizmit”, - tha Berisha. Por në fjalën e tij Kryeministri u ndal edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa shprehu bindjen për një mandat të dytë qeverisës. “Ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurt në realizimin e të gjitha premtimeve të dhëna, dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermiereve dhe mjekëve etj”, - tha Berisha.

Unaza e Tiranës

“Ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të unazës së madhe të Tiranës, por kryetari i Bashkisë së saj po mban peng projektin si Pushkini plaçkat e vjetra. Çfarë mund t’i them unë atij? Ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton, por as projektin nuk e jep”, - u shpreh Berisha duke iu referuar bllokimit të projektit për unazën e kryeqytetit nga Bashkia e Tiranës.

Investimet

“Qeveria nuk bën absolutisht asnjë dallim, dhe ju siguroj plotësisht për këtë. Ne bëjmë vetëm një dallim të vetëm: kemi një projekt që të asfaltojmë me përparësi të madhe të gjitha rrugët që të çojnë në det. Kjo ka një kuptim. Por ne po investojmë në mbarë vendin. Natyrisht, në këto kritere përparësi kanë akset që shkurtojnë distancat, rrugët që lidhin me detin, zonat që kanë popullatë më të madhe.

Raporti i DASH

Mediet thonë se ka ndërhyrje. Lexojeni raportin siç është. Media e kontrolluar nga Edi Rama thotë se është ndërhyrë. Ju e kuptoni vetë se çfarë terrori ushtron ai mbi mediet. Është periudha e parë në historinë e këtij vendi që po penalizohen zyrtarë. Sigurisht, po flihet mbi dosjet e sistemit të kleptokracisë, dhe kjo është një gjë shumë e keqe, por po penalizohen zyrtarët e kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë e mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›