E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria Fier merr notë pozitive

28/02/2009  Analiza vjetore, merr pjesë dhe Kryeprokurorja Ina Rama. Viti 2008, mjaft voluminoz

Altin Binaj: Përparësi krimit ekonomik, abuzimit me detyrën, trafiqeve dhe vrasjeve

FIER- Analiza vjetore e Prokurorisë së Fierit është prezantuar paraditen e djeshme në prani të Kryeprokurores Ina Rama. Në një takim kokë më kokë me prokurorë, përfaqësues të policisë dhe gjyqësorit Fier, Ina Rama është njohur me shifrat dhe treguesit e Prokurorisë së Fierit për vitin 2008.

Treguesit

Shefi i Prokurorisë së Fierit, Altin Binaj, ka publikuar disa tregues pozitivë të punës një vjetore, ndërsa theksoi se puna e vitit të kaluar të Prokurorisë fierake ka qenë më voluminoze në krahasim me një vit më parë. “Gjatë vitit 2008 Prokuroria e rrethit Fier ka përballuar një volum më të madh pune në krahasim me një vit më parë dhe konkretisht në regjistrin e kësaj Prokurorie gjatë vitit 2008 janë regjistruar gjithsej 1029 procedime penale në terren ka thënë shefi i Prokurorisë fierake Altin Binaj. Po të krahasohet me një vit më parë duket qartë volumi i punës së Prokurorisë fierake, e cila gjatë vitit 2007 ka regjistruar 933 procedime penale. Binaj theksoi se Prokuroria e Fierit do të ndjekë me përparësi procedimet penale në fushën e krimit ekonomik, abuzimi me detyrën i nëpunësve shtetëror, trafiqet e të gjitha llojeve, veprat penale kundër jetës së personit dhe pasurisë. Kreu i Prokurorisë së Fierit garantoi Kryeprokuroren Ina Rama se vartësit e tij do të respektojnë detyrimet e ligjit procedural penal, si dhe do të zbatojnë urdhrat dhe udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm. Në analizën vjetore të Prokurorisë fierake, mediat janë lejuar me praninë e tyre vetëm gjatë deklaratës së prokurorit fierak Altin Binaj. Arritja e Prokurorisë së Fierit për të dytin vit radhazi bëhet në prezencën e Kryeprokurores Rama, e cila nuk ka dhënë asnjë koment për median dhe nuk ka dëshiruar të thoshte asgjë. Takimi më pas i njerëzve të ligjit, ka vazhduar vetëm pasi media ka dalë jashtë e detyruar.

ÇËSHTJET

Në procedimet penale të trajtuara gjatë vitit 2008 janë marrë 430 persona të pandehur ose nën hetim, prej të cilëve 184 persona kanë qenë të arrestuar. Gjatë vitit 2007 janë pasur gjithsej 265 procedime penale dhe 151 persona të pandehur, prej të cilëve nga çështjet e mbartura 55 persona kanë qenë të arrestuar. Vitin që shkoi kanë mbetur të papërfunduar 159 procedime penale, ose 14% e procedimeve të përfunduara. Prokuroria e Fierit ka transferuar 82 procedime penale me 34 persona të pandehur, ose në hetim që përbëjnë 7% të procedimeve të përfunduara gjatë vitit 2008”. Sipas tij, prioritet është përfundimi brenda 3-mujorit të parë të vitit 2009 i procedimeve të mbartura nga vitit i kaluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›