KQZ miraton Bashën dhe Ramën, rrëzon Milloshin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton kandidimin e ish-ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe atë të kreut socialist Edi Rama, për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Basha dhe Rama pritet të jenë të vetmit konkurrentë për bashkinë më të madhe në vend, pasi dje KQZ ka kthyer për plotësim dokumentacioni kandidatin komunist Hysni Milloshi. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme ky komision ka regjistruar zyrtarisht dhe listën shumëemërore të kandidatëve të Partisë Socialiste, si dhe të një numri të konsiderueshëm subjektesh të tjera për anëtarë të Këshillit bashkiak.
Këshillat
Pavarësisht bojkotit të anëtarëve të majtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në një fazë intensive të menaxhimit të procesit të ardhshëm zgjedhor për pushtetin vendor. Kështu, gjatë ditës së djeshme, ashtu si dhe një ditë më parë, ky komision ka zhvilluar dy mbledhje të cilat i janë kushtuar kryesisht çështjes së regjistrimit të listave shumëemërore të kandidatëve për anëtarë të Këshillit bashkiak të Tiranës.
Më konkretisht, KQZ ka miratuar listat e paraqitura nga Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Socialdemokrate, e Gjelbër, Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, Aleanca Arbnore Kombëtare, G99, Aleanca Demokratike, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Partia Republikane, Partia Konservatore, Partia Bashkimi Republikan Shqiptar, Partia Demokracia e Re Europiane dhe Partia Socialiste e Vërtetë91. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme janë parashikuar që të miratohen edhe listat e 11 forcave të tjera, përfshi këtu edhe ato të Partisë Demokratike.
Kandidatët
Gjithashtu, gjatë mbledhjeve të sotme KQZ ka parashikuar të miratojë dhe emrat e dy kandidatëve për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për kandidatin e paraqitur nga koalicioni “Aleanca për qytetarin”, Lulëzim Basha, si dhe kandidatin e koalicionit opozitar “Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama. Megjithëse nuk pritet të ketë ndonjë surprizë, dy emrat e mësipërm pritet të kalojnë në mënyrë formale edhe në gjykimin e dokumentacionit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po nëpërmjet një procedure të tillë, dje KQZ ka kthyer për plotësim dokumentacioni kandidaturën e Partisë Komuniste, Hysni Milloshi. Sipas KQZ-së, Milloshi nuk kishte paraqitur në mënyrë ligjore firmat mbështetëse si dhe një sërë dokumentesh të tjera. Për shkak se marrja e firmave mbështetëse konsiderohet tashmë një mision i pamundur, kandidatura e tij mund të quhet e rrëzuar nga KQZ. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme KQZ ka administruar dhe ka hedhur shortin për të gjykuar në rrugë administrative një kërkesë nga Irakli Ngjiçali për t’u regjistruar si kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës. Gjithashtu, ka miratuar edhe 6 propozimet e fundit të PBDNJ-së për anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, duke i dhënë mundësi të gjithë këtyre komisioneve që të krijojnë tashmë kuorumin e nevojshëm prej të paktën 4 anëtarësh.