E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama pranon ofertën e Orebros

Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 12:13

Valdet Rama karrierën do ta vazhdojë në elitën e futbollit suedez. Futbollisti kosovar e ka pranuar ofertën e Orebros, me të cilin klub sulmuesi i Hannoverit të hënën pritet të nënshkruajë kontratë dyvjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga një burim i gazetës Express, sipas të cilit detajet e tjera rreth këtij transferimi pritet të bëhen të ditura të hënën në një konferencë për media që do ta organizojnë zyrtarët e Orebros.

Rama ka kontratë valide me Hannoverin, por zyrtarët e klubit nga Bundesliga gjermane janë pajtuar që ta lirojnë nga kontrata para kohe reprezentuesin kosovar. 23-vjeçari ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje në këtë sezon me skuadrën e Hannoverit në Bundesligë.

Trajneri i ekipit gjerman, Mirko Slomka nuk e preferonte sulmuesin me prejardhje nga Mitrovica, të cilin përveçqë nuk e ka inkuadruar në lojë, rrallëherë e ka ftuar edhe në 18’sh.

Kjo situatë e ka shtyrë ish-sulmuesin e Wolfsburgut ta pranojë ofertën e Orebros, ku pritet të ketë hapësirë dukshëm më të madhe. Rama në Orebro do ta gjej futbollistin tjetër nga Kosova, Denis Abdullahin.

Madje, ky numër mund të rritet, pasi sulmuesi tjetër kosovar, Kushtrim Lushtaku me sukses i ka kryer provat dhe është në negociata rreth kontratës me krerët e kësaj skuadër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›