E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, premtim për mbijetesë Gjinushit e Milos

Premtimi për mbijetesë në përballjen me elektoratin për zgjedhjet e 2009-s ka çuar drejt PS-së Skënder Gjinushin dhe Paskal Milon. Në përpjekjet për krijimin e një koalicioni opozitar të bashkuar, Partia Socialiste arriti të afrojë në një tryezë dy parti, PSD-në e Gjinushit dhe PDS-në e Paskal Milo, takim, që sipas Ramës, do të sjellë fitoren e zgjedhjeve të 2009-s, qoftë edhe pa LSI-në e Ilir Metës. Rama, Gjinushi e Milo u shfaqen dje para mediave pas një takimi 90-minutësh në një prej ambienteve luksoze të kryeqytetit, ku është diskutuar gjerë e gjatë për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, llogaritë partiake për zgjedhjet e 2009-s, si dhe për “Koalicionin e përbërë” që duket se është “molla e sherrit” mes PS dhe LSI-së. Ky koalicion, i cili më së shumti favorizon Partinë Socialiste, si partinë më të madhe të së majtës, ka afruar rreth saj pa hezitim partitë e tjera të vogla, të cilat po rendin të gjejnë një vend të sigurt bashkëpunimi me PS, e cila në këmbim do u garantojë mbijetesën politike në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s, pra futjen në Parlament. Pikërisht, këtë llogari të partive të vogla, kreu i PS-së po mundohet ta shfrytëzojë sa më mirë. Burime nga takimi thanë për “standard” se mesazhi që kanë marrë nga kreu i PS-së dy liderët e tjerë është ai që të afrohen me PS-së, sepse me të mund të fitojnë më shumë sesa me Metës. Një llogari i thjeshtë dhe e pastër, kjo bën që LSI të mbetet pa mbështetje. Rama, Gjinushi dhe Milo u shprehën mjaft optimistë për frytet e këtij takimi, ndërsa Gjinushi dhe Rama nuk nguruan që t’i dërgojnë një mesazh të qartë LSI-së, atë që mund të fitojnë edhe pa të në këto zgjedhje.

Deklaratat

Pavarësisht sulmeve me natyrë politike, kreu i PS-së, Edi Rama, vazhdon ende ta konsiderojë “mik” Ilir Metën, edhe pse ky i fundit, sipas tij, me qëndrimin e tij po i jep shpresën e fundit mazhorancës. “E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të ngrefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai, Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë, ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009-s”, - deklaroi Rama. Nga ana tjetër, i pyetur nëse koalicioni që kërkon të ndërtojë është i plotë pa LSI-në, Rama tha se “një grupim i cilido qoftë dhe sado qoftë nuk mund të përcaktojë fatet historike dhe as rrugën e historisë së një vendi apo rrugën e politikë së re që është politika e njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit dhe jo për një grusht zanatçinjsh që quhen rëndom politikanë, po që rëndom i kanë krijuar Shqipërinë probleme dhe plagë”. Lidhur me Metën, edhe Gjinushi nuk ndryshon asnjë presje nga qëndrimi i Ramës. Për të, Kodi Zgjedhor mundëson krijimin e koalicioneve të ndershme përmes të cilit “e majta ka gjithë mundësitë të optimizojë fitoren në 2009-n dhe që grupi që do krijohet në bazë të këtyre mundësive do jetë forca e parë politike. Forca e parë do na takojë ne, LSI nuk e di ku do e japë kontributin e saj”. Ndërsa kreu i PS-së për t’i dhënë fund komunikimit me mediat, preferoi të japë një tjetër mesazh për fitoren e 2009-s. “Zgjedhjet e 2009-s do i fitojnë qytetarët, jo kryetarët”, - deklaroi Edi Rama.

Rama:

E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të ngrefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë, ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009-s

Gjinushi:

Me hapësirat që ka Kodi Zgjedhor dhe ky sistem, i cili siç do përkthehet në kod, kthehet në një sistem demokratik i mbështetur mbi votën, e majta ka gjithë mundësitë të optimizojë fitoren në 2009 dhe që grupi që do krijohet në bazë të këtyre mundësive do jetë forca e parë politike. Forca e parë do na takojë ne, LSI nuk e di ku do e japë kontributin e saj.

Milo, mes Metës dhe Ramës

Demokracia Sociale e Paskal Milos nuk ka marrë ende asnjë vendim, pavarësisht propozimeve që u kanë ardhur nga socialistët. Aleati më i ngushtë i Ilir Metës, Paskal Milo, duket se e ka të vështirë që të vendosë nëse duhet të pranojë propozimet e Edi Ramës. Edhe vetë ai dje pranoi se pas këtij takimi do të zhvillojë një takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta, duke qenë i vetmi që beson se rrugët e bashkëpunimit të së majtës nuk janë mbyllur ende.

“Sepse rrugët për t’u marrë vesh ende nuk janë mbyllur, në mënyrë që edhe kolegët tanë të së majtës të mund të gjejnë formulën më të mirë të bashkëpunimit për të shkuar bashkë në zgjedhje dhe në këtë kuadër unë do të vazhdoj të kem takime edhe me faktorë të tjerë politikë, edhe me LSI, edhe me Metën si kryetar i saj, duke qenë se jemi ne një grup parlamentar”, - tha Milo. Burime pranë PDS-së thanë se kjo parti do të zhvillojë një takim edhe me LSI-në, për të vendosur se çfarë hapash do hedhë më tej.

Meta: Koalicioni im do të shtrihet dhe në shoqërinë civile

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh i hapur për dialog me Partinë Socialiste lidhur me Kodin Zgjedhor dhe bashkëpunimin për zgjedhjet e 2009-s. Edhe pse dy partitë janë përfshirë në debate, sulme dhe shkëmbime replikash të forta, nga LSI nuk artikulohet mundësia që arritjes së dialogut të ketë marrë fund. Por pavarësisht kësaj, qëndrimet në praktikë mbeten ende shumë të forta. Meta vazhdon ende t’i qëndrojë kushtit për korrektimin kombëtar të votës, çka është rrëzuar dy ditë më parë nga PS-ja. “Për çështjen e Kodit Zgjedhor ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin me të gjitha forcat e tjera politike dhe padyshim edhe me PS-në. Lidhur me shqetësimin për të mos lejuar që asnjë votë opozitare ndaj Sali Berishës të mos shkojë dëm, ka vetëm një alternativë që është korrektimi kombëtar i votës së shqiptarëve. Vetëm kjo nuk e deformon votën dhe përfaqësimin e shqiptarëve”, - deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta. Pavarësisht qëndrimit më të ri të PDS-së së Milos, aleatit me të ngushtë të LSI-së, Meta pranoi se kontaktet për arritjen e një koalicioni që do rezultojë i suksesshëm në zgjedhje vazhdon, e jo vetëm me forcat politike, por edhe me shoqërinë civile. “Ne jemi në kontakt me të gjitha forcat politike, por edhe me faktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe jemi të prirur për të ndarë kontribute dhe përpjekje të përbashkëta në të mirë të mbrojtjes së sistemit tonë demokratik dhe institucional, që u godit nga atentati i 21 prillit dhe njëkohësisht ta shpëtojmë vendin nga një kastë tepër e rrezikshme politike dhe ekonomike që po bëhet gjithnjë edhe më përjashtuese për shumicën e shqiptarëve”, - deklaroi kreu i LSI-së. Ndër të tjerë ai vuri thekson se të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar në këtë përpjekje tepër principale të LSI-së. “Njëkohësisht secili është sovran të vendosë për fatin e tij apo të forcës politike që përfaqëson. Ne vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi principe, nuk vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi presje dhjetore apo koalicionin e ndërtuar mbi bishta. Ky nuk është morali dhe filozofia e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, - tha Meta.

Grupi i PS-së nuk funksionon pa Leskajn

Qëndrimi i kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, edhe për disa ditë të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri që grupi kuvendor socialist të mos zhvillonte ditën e djeshme mbledhjen e radhës. Leskaj ndodhet për një vizitë pune në SHBA. Ajo shoqëroi kreun e PS-së, Edi Rama, në punimet e konventës së demokratëve për zyrtarizimin e kandidatit të kësaj partie për presidentin e ardhshëm të SHBA, Barak Obama. Veçse kreu i PS-së është kthyer herët në vend. Kështu, dje grupi i PD-së zhvilloi mbledhjen e parë të grupit kuvendor për këtë sesion, ndërsa socialistët duket se e kanë lënë për javën që vjen kur do të mblidhet edhe seanca e parë plenare. Grupit kuvendor ka një axhendë të ngjeshur vendimesh, sidomos për ato që lidhen me reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin brenda së majtës. Ndërkohë që këtë javë socialistëve u duhet të angazhohen me mazhorancën gjatë gjithë kësaj jave, në mënyrë që komisionet të punojnë për miratimin e ligjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›