Ligji për hapjen e dosjeve, për miratim në datën 18 shtator
Seanca e ditës së enjte në datën 18 shtator është përcaktuar si dita kur në Kuvend të hyjë për miratim ligji i famshëm i hapjes së dosjeve. Mazhoranca dhe opozita do të kenë në dispozicion dy javë për të diskutuar variantet e ndryshme. Ndërkohë bëhet e ditur se diskutimi do të nisë nga varianti i propozuar nga deputeti demokrat, Aldo Bumçi. Gjatë këtyre diskutimeve, pritet që të përcaktohen edhe detajet e ligjit, si mënyrat e verifikimit, kush do të verifikohet, koha e veprimit etj. Partia Socialiste nga ana tjetër ka vendosur disa kushte si mosndërprerja e mandatit të të zgjedhurve, por duket se PD-ja nuk e ka pranuar këtë kusht. Subjekti i verifikimit, sipas projektligjit të propozuar nga Bumçi, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës; deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c: Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiake.