E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama premton dyfishimin e ndihmës ekonomike

22/04/2009  Prezantimi i programit të PS-së, Rama në Koplik

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vijoi takimet e tij për prezantimin e programit të ri qeverisës, duke u stacionuar gjatë pasdites së djeshme në Koplik të Malësisë së Madhe. “Është kënaqësi dhe nder për mua që sot në këtë shesh, ku ne kemi bashkëbiseduar për atë që duam të jetë vendi ynë, për atë që duam të jetë Malësia e Madhe dhe Kopliku, ku kemi marrë mendimet tuaja dhe kemi shprehur ambiciet tona, të prezantojmë një pjesë të programit tonë të ri, i cili është rezultat i një pune të përbashkët”, - u shpreh Rama përpara banorëve të Koplikut. Por ndalur konkretisht të politikat sociale që përfaqëson programi i socialistëve, Rama deklaroi se “ne do ta nxjerrim vendin nga kthetrat e varfërisë, ku janë me dhjetëra mijëra familje, duke e kthyer programin e ndihmës ekonomike në një fond të integrimit social, duke kaluar nga lëmosha paralizuese për familjet e varfra te pagesat nxitëse për punë në komunitet dhe aktivitet prodhues”. Gjithashtu sipas tij pagesa e papunësisë të paktën do të dyfishohet. “Punësimi do të jetë për ne kryefjala e përpjekjes sonë dhe çdo njeri i papunë do të jetë njëri nga ne, që ka nevojë për ndihmë. Prioritetet tona janë: arsim kundër papunësisë, nxitje e sipërmarrjes prodhuese kundër papunësisë, fshat i mbështetur fuqishëm nga qeveria kundër papunësisë”, - vuri në dukje Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›