Rama prezanton kandidatët e PS-së në Berat: “Qeverisja jonë do të jetë e të gjithëve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në qytetin e Beratit, ku ka prezantuar 8 kandidatët e PS-së që konkurrojnë në këtë qark për zgjedhjet e 28 qershorit. Në takimin e zhvilluar me qytetarët e Beratit Rama tha se Partia Socialiste vjen në këtë garë elektorale me një program të ri, me ide dhe vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë. Rama deklaroi se Partia Socialiste është e vendosur për t’u ndarë nga Shqipëria e papunësisë dhe e varfërisë dhe ka për qëllim ndërtimin e Shqipërisë së punës, ndërtimin e Shqipërisë së shkollave europiane dhe Shqipërinë ku sipërmarrja nuk denigrohet, por stimulohet në aktivitetin e saj. “Unë këtu kam ardhur me një program që e kemi shkruar së bashku. Me një skuadër që do të angazhohet dhe do të realizojë këtë program që kemi shkruar së bashku. Dhe me gjithë fuqinë e shpirtit, mendjes time dhe të këtyre njerëzve për t’u dhënë mbrojtje të varfërve, për t’u dhënë krah të papunëve, për t’u dhënë shpresë të rejave dhe të rinjve për të ndaluar masakrën me trashëgiminë kulturore të kësaj zone, me pronat dhe tokën bujqësore, me natyrën e mrekullueshme të të gjithë këtij qarku. Unë nuk vij në këtë garë nga urrejtja dhe nga instinkti luftarak për ta gjunjëzuar kundërshtarin, as nga nevoja për të ushtruar pushtet mbi të tjerët, apo nga synimi për t’u zgjatur me shumë duke hipur në një karrige më të lartë, por vij në këtë garë nga dashuria për vendin tim. Besojini forcës së madhe të një bashkimi të ri qytetarësh përballë një pazari të vjetër kryetarësh. Besojuni këtyre fjalëve që burojnë nga zemra dhe që ua them duke parë si dritën e diellit historinë e jashtëzakonshme që ne të gjithë së bashku mund të shkruajmë pas 28 qershorit. Mjaft 18 vjet me ndryshimet e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen, por jo zakonet e këqija të zakonit që në 28 vjet u kanë dhënë shqiptarëve shfaqjen bajate të pazarit të vogël politik, të interesave të vogla. Prandaj unë dua të jem kryeministri juaj, prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidojmë historinë e vjetër që një grup politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh dhe të hapim një faqe të re ku së bashku t’i shkruajmë gjërat sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë pa dallim”, - tha kryesocialisti Rama. Po dje kreu i PS-së, së bashku me ekipin e kandidatëve, zhvilloi një takim entuziast me banorët e qytetit të Kuçovës.
4 Qershor 2009