E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhje sipas standardeve, pavarësisht fituesit”

26/05/2009  Ambasadori amerikan Xhon Uidhers apelon nga qyteti i Beratit

Ai kërkoi aplikimin nga qytetarët për karta identiteti

BERAT – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Xhon Uidhers ka ritheksuar rëndësinë që kanë për vendin tonë arritja e standardeve të Bashkimit Evropian, pavarësisht se cila do të jetë forca politike që do t’i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Beratit, Uidhers u ka bërë apel gjithë qytetarëve të aplikojnë për karta identiteti, me qëllim pajisjen me doemos me to. Ai rikujtoi mbështetjen që qeveria e tij i jep cilësdo qeveri që do të fitojë zgjedhjet.

Apeli

Ambasadori i SHBA-ve ka vazhduar vizitën e tij në prefekturën e Beratit, ku është pritur nga prefekti Thoma Rumnici. Fillimisht ai është njohur me punën e bërë në detaj nga stafi i prefekturës në ecurinë më sukses të procesit të rëndësishëm të vitit, atij të aplikimit dhe të pajisjes me karat të identitetit. Uidhers ka theksuar në fjalën e tij se askujt nga qytetarët nuk duhet t’i privohet e drejta e votimit dhe që ky proces të shkojë siç duhet, duhet punuar më shumë me qytetarët, me qëllim që ata të aplikojnë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja. “Ende duhet punë për të përfunduar para afateve këtë proces zgjedhor të rëndësishëm, që është dhe një nga pikat e plotësimit të andarteve që kërkon koha sot. Është shumë e rëndësishme vijimi i këtij procesi zgjedhor duke u karakterizuar nga qetësia dhe pjesëmarrja në votimet e 28 qershorit. Askujt nuk duhet t’i privohet pjesëmarrja në votim për shkak të mungesës së kartës së identitetit”, - deklaroi ambasadori në fjalën e tij para pjesëmarrësve në këtë takim. Ai theksoi se në këtë proces zgjedhor nuk është e rëndësishme se cila forcë politike do të fitojë, por përmbushja e standardeve të vëna nga Bashkimi Evropian. “Kushdo që të fitojë, një parti politike apo një koalicion, do të ketë mbështetjen e qeverisë amerikane, mjafton që procesi zgjedhor të zhvillohet brenda standardeve ligjore”, - përfundoi ambasadori Uidhers. Më pas ai ka vijuar me një takim në shkollën e mesme profesionale “Kristo Isak”.

Vizita

Gjatë ditës së parë në qytetin e Beratit ambasadori ka vizituar dy muze kombëtare të këtij qyteti. Paraditen e 24 majit Uidhers ka vizituar muzeun etnografik, që ndodhet lagjen “13 Shtatori”. Më pas ai ka shkuar në kështjellën e qytetit ku dhe ka vizituar muzeun e kombëtar ikonografik “Onufri”. Gjatë një interviste për “Metropol”, Uidhers ka vlerësuar jo vetëm natyrën dhe relievin shqiptar, por edhe qytetarët e Beratit. “Jam shumë i kënaqur që vij në Berat. Këtu kënaqem jo vetëm me natyrën, por edhe me njerëzit e mrekullueshëm, njerëz bujarë dhe të respektuar. Me ta bisedon sikur je njohur prej kohësh, sikur je miku më i mirë për ta, kjo është njëra nga arsyet që unë e kam shumë për zemër që të kaloj disa nga fundjavat e mia në këtë qytet madhështor”, - është shprehur ai. Në mënyrë të veçantë në intervistën e tij ambasadori tregon se i kanë bërë përshtypje të veçantë ndërtesat madhështore, që sipas tij, për nga ndërtimi kanë një harmoni të plotë, jo vetëm nga ndërtimi arkitektonik i këtyre shtëpive të tipit çardak. “Ndërtesat, kur i shikon nga larg, të duken sikur janë në një masiv pallatesh shumëkatëshe, ndërsa ndërtesat, që tregojnë bukur fasadat e tyre, janë të ndërtuar në stilin një mbi dritaret”, - ka thënë Uidhers.

Takimi me kryebashkiakun

Ambasadori i SHBA-ve ka takuar dje kryetarin e Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi dhe stafin e tij. Bashkëbisedimi mes palëve është përqendruar në problemet që preokupojnë pushtetin lokal gjatë këtyre ditëve, kohë kur sapo ka nisur fushata elektorale.

Thirrja e OSBE-së

Dy ditë më parë thirrja për respektimin e standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet e 28 qershorit u bë edhe nga ambasadori i misionit të OSBE-së në Tiranë Robert Bosh. Ai tha se në këtë kohë Shqipëria duhet të ketë patjetër zgjedhje të pakontestueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›