Rama: "Reformat, me konsensus të plotë"
Në vazhdim të procesit të konsultimit "Me dyer të hapura" së bashku me ekspertë, analistë dhe profesionistë të pavarur, Fondacioni "Qemal Stafa" ka organizuar dje tryezën me temë "Anëtarësimi në NATO - Sfida dhe mundësi" ku merrnin pjesë përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile, ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Duke u ndalur pikërisht tek sfidat që i dalin Shqipërisë pas marrjes së ftesës, kreu i PS-së ka vlerësuar si një domosdoshmëri realizimin e reformave të mëdha, si e vetmja mënyrë për të përballuar dhe zgjidhur problemet të cilat kanë shoqëruar tranzicionin 17-vjeçar. "Është e tepërt që politika e në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e qeverisë, të kërkojnë tek ftesa për anëtarësim në NATO, një argument për t'iu fshehur ballafaqimit me problemet për të cilat fola dhe të cilat janë rënduar në shumë aspekte, veçanërisht në periudhën e fundit. Dua të theksoj vendosmërinë tonë për të shkuar përpara në funksion të këtyre sfidave që politika nuk mund t'i shmangë e që ne në asnjë mënyrë nuk duhet t'i shtyjmë për një të ardhme të papërcaktuar, pasi ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë një shprehje kuptimplotë e solidaritetit të të gjitha vendeve anëtare me Shqipërinë e shqiptarët. Njëkohësisht, një barrë përgjegjësie shumë e qartë e përcaktuar për klasën politike dhe për të gjithë ne",- u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Marrja e ftesës për t'u bërë pjesë e familjes së madhe të Atlantikut të Veriut, sipas kryesocialistit, nuk do të zbehi aspak dëshirën dhe vullnetin e PS-së për të dhënë konsensusin e saj për reformat. "Në këtë aspekt ne do të vazhdojmë të luajmë një rol përcaktues dhe të patjetërsueshëm, për të gjitha ato reforma që i duhen vendit për të ngritur një shtet funksional dhe për të patur një demokraci funksionale. Këto janë reforma që kërkojnë konsensuse të gjera, për të cilat ne jemi të gatshëm pa asnjë kompleks dhe pa asnjë tundim", - tha Rama.