E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: "LSI grisi kontratën me qytetarët e Fierit"

 

 

Partia Socialiste ka denoncuar si të turpshme sjelljen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila bashkoi votat me PD-në për të rrëzuar kryetarin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit, Myzelejen Hoxha. Sekretari socialist për Çështjet Organizative, Blendi Klosi, duke marrë shkas nga një ngjarje e tillë, është shprehur se ajo që ndodhi dy ditë më parë në Këshillin Bashkiak të Fierit, ishte një sjellje e shëmtuar e njerëzve që për një post shtetëror, sado i vogël që të jetë, mund të tradhtojnë votat e qytetarëve. "Shprehim keqardhje dhe shqetësim që dje këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, grisën kontratën me qytetarët e Fierit, që kanë votuar për t'u qeverisur nga e majta. Këta këshilltarë bashkuan votat me PD, jo për interesat e vendit, jo për interesat e Fierit dhe as për ndonjë arsye tjetër parimore, por vetëm për karrigen e Drejtorit të Ujësjellësit. Duke vënë logjikën klanore e hesapet klienteliste mbi vullnetin e qytetarëve dhe duke sakrifikuar për një karrige një aleancë të votuar nga qytetarët. Dje, partia e Ilir Metës dha një shembull të keq përpara njerëzve. Me këtë rast më lejoni të nënvizoj se, të punosh me frymën e mirëkuptimit për reformat e përbashkëta të shtetit apo vendime të përbashkëta në të mirë të komunitetit e jo në funksion të karrigeve të njërit a të tjetrit, është domosdoshmëri qytetare. Ndërsa të bashkëpunosh me PD për të ndarë karrige, do të thotë që të mbartësh e të përçosh frymën e vjetër të politikës së pazarit në kurriz të qytetarit",- tha Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›