E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, apel PS-së: Çasti i fundit për të shpëtuar të majtën



Ngritja e komisionit rikthen debatin për kodin

Xhufi: Rama, përgjegjës për humbjen e së majtës

Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon t’i bëjë apel Partisë Socialiste, ish-aleates së saj, që të pranojë negociatat për ndryshimin e kodit zgjedhor, në mënyrë që të ndryshojnë pikat që konteston kjo parti. Pas ringritjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, LSI e quan këtë moment si momentin e fundit që i jep mundësinë së majtës të shpëtojë vetveten nga një rezultat negativ në zgjedhje. Sipas nënkryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, në rast të humbjes së të majtës apo problemeve që mund të ketë administrimi i tyre, Edi Rama do të jetë përgjegjës. “Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky është çasti i fundit për të bërë rregullimet e fundit të kodit, në përputhje me frymën dhe standardet evropiane. Por, edhe për të përmbushur rekomandimet specifike të OSBE/ODIHR-it dhe së fundmi dhe ato të Komisionit Evropian, që kërkon përfshirje në dialog të të gjitha partive të tjera”, - tha dje Xhufi. Sipas tij, kodi aktual ngrihet mbi filozofinë e përjashtimit, të mbylljes së sistemit dhe të ngushtimit të hapësirave demokratike. “Gjithkush duhet ta kuptojë sot, më shumë se kurrë, se nuk ka njeri, nuk ka institucion, nuk ka as Zot në qiell apo në tokë, që të mund të mbrojë sot një filozofi të tillë dhe nuk mund ta mbrojë këtë as për sa i përket Shqipërisë”, - shprehet numri dy i LSI-së. Duke rikonfirmuar vendosmërinë e saj, për të qenë garante për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Lëvizja Socialiste për Integrim nënvizon angazhimin e saj për të tentuar deri në fund në përmirësimin e kushteve zgjedhore. Kërkesa e kësaj partie është e qartë dhe e pandryshueshme, përmirësimi i hallkës së fundit të procesit elektoral, që është ajo e administrimit të votës. Xhufi shprehet më tej se “LSI i drejtohet edhe njëherë Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, zotit Edi Rama, duke kujtuar se Partia Socialiste është evidentuar dhe ka dashur vetë të evidentohet si protagoniste e reformës zgjedhore. Në këto kushte, ajo rrezikon të marrë mbi vete përgjegjësi specifike, të paprecedentë, për ecurinë e zgjedhjeve në fjalë. Gjithashtu, të marrë përgjegjësi edhe për rezultatin e tyre”. Xhufi thekson se ky është çasti i fundit, për të hequr dorë, sipas tij, “nga egoizmat dhe nga këshilltarët egoistë dhe mbi të gjitha, ne gjykojmë se është krejtësisht i papërligjur nxitimi, për të kaluar një kod, që nesër mund të rezultojë vetëvrasës për vetë Partinë Socialiste dhe për të majtën në përgjithësi”. Me këtë rast, ai i kujton dhe një herë ftesën për dialog të bërë nga ana e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në këtë pikë, Xhufi thotë se “ne besojmë se nuk ka absolutisht asnjë arsye për të refuzuar një ftesë të tillë për dialog, ku mund të diskutohen të gjitha çështjet, të gjitha problemet, që zoti Rama në përfaqësi të Partisë Socialiste, do të dëshirojë të diskutojë, por sigurisht duke filluar nga diskutimi, nga debati, për çështjen e çështjeve, për çështjen më therëse dhe të ditës, që është ajo e finalizimit të Kodit Zgjedhor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›