E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, i var shpresat te pyetja e bashkëshortes

 

Trazhgim Sokolaj

Bashkëshortja e Kosta Trebickës, biznesmenit të vdekur në rrethana ende të paqarta, konsiderohet dëshmitari kyç në hetimin e vdekjes së denoncuesit të trafikut të armëve Shqipëri-Afganistan. Sytë e grupit hetimor janë rikthyer sërish tek ajo, edhe pse Brunilda Trebicka ka dhënë deklarimet e saj para hetuesve të Prokurorisë së Korçës e pyetur me hollësi në ambientet e policisë së këtij qyteti. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se bashkëshortja e Trebickës do të ripyetet ditën e sotme ose në një moment tjetër të përshtatshëm me qëllim saktësimin e disa momenteve ende të paqarta që mund të ndihmojnë hetimin. Fakti i provuar se bashkëshortja ka pasur telefonata të vazhdueshme me Kosta Trebickën më 11 shtator pas nisjes së tij të papritur për në Korçë deri të nesërmen më 12 shtator, rreth dy orë para se biznesmeni të gjendet i vdekur, duket se ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Të cilët gjithsesi pranojnë se dëshmia e dhënë një ditë pas ngjarjes nga e shoqja e biznesmenit ka qenë e qartë dhe e plotë. Megjithatë, Prokuroria parashikon ta ripyesë bashkëshorten e shqiptaro-amerikanit 52-vjeçar, duke qenë se provat, dëshmitë dhe të dhënat e mbledhura në drejtime të tjera të hetimit kanë qenë të vakëta dhe pa shumë domethënie në përcaktimin e ngjarjes. Gruaja e Kosta Trebickës në ripyetjen e saj pritet të japë sqarime se si ndodhi që biznesmeni u nis papritur në drejtim të Korçës, kush e telefonoi apo e ftoi atë dhe deri tek riprodhimi i dialogut të shkëmbyer mes bashkëshortëve gjatë telefonatave të tyre me qëllim fiksimin e ndonjë fjale apo mesazhi të biznesmenit, që mund të hedhë dritë mbi atë që ka ndodhur. Në deklarimet e para të dhëna një ditë pas ngjarjes për Prokurorinë e Korçës, gruaja e Trebickës ka thënë se i shoqi i përshkruante të kishte qenë vetëm në gjueti. Ajo ka pohuar se nuk ka asnjë dyshim për shkakun e ngjarjes të cilin pret ta mësojë nga hetimi. 
Vjen eksperti amerikan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan dje në Tiranë specialistin autoteknik, i cili do të bëjë ekspertizën e makinës së Kosta Trebickës, e cila me urdhër të Prokurorisë, mbahet e mbyllur prej ditës kur ndodhi ngjarja. Zyra e prokurores së Përgjithshme Ina Rama, konfirmoi dje se pala amerikane u përgjigj pozitivisht dhe një ekspert i policisë së Virxhinias ka mbërritur rreth orës 14:00 në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë. Ai ka zhvilluar disa takime prezantuese me prokurorët, që ndoqën ngjarjen e vdekjes së Kosta Trebickës në vendin e ngjarjes, ndërsa ditën e sotme pritet që amerikani të fillojë këqyrjen e automjetit të Kosta Trebickës. “Eksperti amerikan quhet Kevin Teter dhe është ekspert i aksidenteve automobilistike dhe rindërtimit të skenave të aksidenteve”, thanë burimet zyrtare sipas të cilave, eksperti amerikan do t’i bashkëngjitet grupit të hetimit për të kryer ekzaminimin e automjetit dhe ekspertizën auto-teknike të makinës së Kosta Trebickës.
Itinerari misterioz
Kompania përkatëse e telefonisë celulare veç zbardhjes së tabulateve lidhur me telefonatat dhe mesazhet hyrëse e dalëse, me kërkesë të Prokurorisë ka hartuar edhe një hartë mbi lëvizjet e biznesmenit. Harta është përgatitur grafikisht bazuar në distancën, që celulari i biznesmenit shqiptaro-amerikan ka pasur në momente të ndryshme gjatë ditës, kur Kosta Tebicka u gjet pa jetë në rrugën automobilistike që lidh Lekasin me Voskopojën në Korçë. Harta e kompanisë celulare, e cila është bazuar në raportin e telefonit të biznesmenit me antenat e valëve të instaluara në zonën e Korçës, pritet të mbivendoset në hartën fizike të kësaj zone, me qëllim që hetuesit të kenë në duar përshkrimin për lëvizjet që biznesmeni ka kryer para se të gjendej i vdekur në rrethana të paqarta. Kufoma e Kosta Trebickës u gjet 43 metra larg automjetit me të cilin ai udhëtonte, pasi kishte shkuar në Korçë për gjueti.

S‘ka reagentë, dështon analiza e helmimit
TIRANE – Në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë mungojnë reagentët kimikë ndaj helmeve, çka e bën të pamundur zhvillimin e analizave toksikologjike për rastin e Kosta Trebickës. Kjo ka bërë që analizat e gjakut të biznesmenit të vdekur në Korçë Kosta Trebicka, lidhur me mundësinë e helmimit, të mos realizohen nga ky Institut, të paktën për momentin. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama”, nga burime zyrtare të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilat konfirmuan se prej gati një muaji, reagentët për analizimin e helmeve mungonin në këtë institucion. Sipas të njëjtit burim, reagentët janë konsumuar për shkak të veprimeve të ndryshme të kryera nga ekspertët në IML, me qëllim realizimin e analizave të ndryshme që iu janë kërkuar atyre. Kjo ka bërë që ato të konsumohen dhe prej një muaji artikulli i reagentëve, për analizimin e kategorisë së helmeve të mungojë në magazinat e laboratorëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.       d.b

Gjashtë zogjtë u vranë nga çiftja e biznesmenit

TIRANE - Saçmat e gjetura në trupat e gjashtë zogjve të vrarë në gjueti nga biznesmeni Kosta Trebicka, më 12 shtator, janë të njëjta me municionin e çiftes që mbante shqiptaro-amerikani gjatë udhëtimit të tij në Korçë. Po kështu, edhe gëzhojat e saçmave sipas burimeve të policisë, pas ekspertimit të kryer rezultojnë se janë qitur nga arma e gjahut që mbante me vete biznesmeni i njohur shqiptaro-amerikan. Burimet e policisë kanë pohuar se saçmat e nxjerra nga trupat e zogjve janë analizuar me saçmat e municioneve të gjetura me shumicë në automjetin dhe dhomën e hotelit, ku kishte qëndruar Trebicka. Madje, një fishek çifteje është gjetur në gojën e çiftes dhe është hequr nga policia për të shmangur rrezikun gjatë lëvizjes së armës. Po kështu edhe ekspertimi balistik i armës dhe fishekëve, ka nxjerrë se municionet janë së të njëjtit lloj të qitura nga çiftja e Trebickës. Ekspertët kanë analizuar pesë shpendë thëllëzash, të cilat ishin gjetur të vrarë në automjetin e Trebickës nga specialistët e policisë. Duke qenë se saçmat ishin të njëjtat me ato të gjetura në makinë, ekspertët kanë konkluduar se shpendët duhet të jenë vrarë nga biznesmeni në një distancë kohore deri në 10 minuta përpara aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Voskopojë-Lekas, në vendin e quajtur Kullat e Gjergjevicës.                 d.b

Ekspertiza: Kosta Trebicka nuk konsumoi ushqim ditën e vdekjes
TIRANE – Ekspertiza kimike mbi kampionet e ushqimeve të marra nga specialistët në stomakun e Kosta Trebickës, ka zbuluar se biznesmeni nuk kishte konsumuar asnjë ushqim ditën kur u gjet i vdekur. Analizat kanë gjetur vetëm përbërësit e pilafit dhe një bifteku, që sipas verifikimeve të bëra në restorantin përkatës në Voskopojë, ishin konsumuar nga biznesmeni mbrëmjen e 11 shtatorit. Megjithatë në këto mostra specialistët nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë në drejtim të verifikimit për lëndë helmuese apo substanca, që mund të sillnin pasoja të tjera në organizëm. Edhe mungesa e ushqimit përgjatë gjithë ditës, nga ora 05:00 deri në 13:57 kur Trebicka u gjetur i vdekur nga kalimtarë e banorë të zonës, e bën ngjarjen akoma më misterioze. Sipas listës së provave të gjetura në vendin e ngjarjes, 52-vjeçari kishte pranë tij në vendin ku u gjet i vdekur një shishe pijesh freskuese dhe një tjetër me ujë, por analizat tregojnë se ai nuk ka konsumuar së paku pijen freskuese. Personi që denoncoi abuzimet në shitjen e fishekëve nga Shqipëria në drejtim të Afganistanit, përmes një kompanie të kontraktuar nga Pentagoni për 300 milionë USD, u gjet i vdekur 43 metra larg makinës së tij “Nissan Patrol” Kabriolet me targa TR 8853 J. Biznesmeni ndodhej në zonën e Lekasit për gjueti pas një udhëtimi të papritur pasditen e 11 shtatorit në drejtim të Korçës. Vetëm pak orë para nisjes, gjatë një bisede me miq të tij në një nga baret e njohura të Tiranës, Trebicka ishte shprehur se “nuk është kohë për gjueti”, duke pohuar se të paktën për një muaj nuk kishte planifikuar të udhëtonte për këtë qëllim.

Kuvendi debat për Trebickën, PD: PS-së i intereson vdekja

Kuvendi nuk i ka shmangur debatet në lidhje me vrasjen e biznesmenit Trebicka, ku deputetët e opozitës kanë fajësuar Kryeministrin dhe qeverinë për mungesën e sigurisë në vend.

Ndërsa deputetët e maxhorancës janë marrë me mitingun e sotëm të opozitës, duke e cilësuar si politike, që duan të përfitojnë nga vdekja. Në seancën e djeshme parlamentare ka munguar Kryeministri Sali Berisha. Në diskutimet jashtë rendit të ditës ka rënë në sy se më shumë kanë folur deputetët të maxhorancës për t’i bërë ballë ndonjë sulmi fjalimesh nga ana e deputetëve të opozitës. Deputeti i PD-së Edi Paloka deklaroi se opozita, po shfrytëzon vdekjen duke mos pasur ndonjë alternativë tjetër. “Dhe ne kemi protestuar, por kemi protestuar për të drejtat tona, për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira, por jo për një vdekje. Harrojeni se Berisha mund të largohet nga pushteti me protesta si në vitin 1997, e vetmja mënyrë janë zgjedhjet, vetëm vota e vendos një gjë të tillë. Nuk mund të përdorni vdekjen si hiena”, deklaroi Paloka. Ndërsa Braçe i është kundërpërgjigjur se “opozita do të protestojnë për të zbardhur të vërtetën e Gërdecit dhe jo për të përfituar si hiena mbi të vdekurit, por të ndaluar qeverinë që t’i varrosë për së dyti 26 viktimat e Gërdecit”. Diskutimi më i ashpër ka qenë i deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferi që e ka cilësuar si absurde, duke u shprehur se “opozita nuk bëhet dot alternativë”. “Nesër bëhen dhe të shtatat e qytetarit, të ndjerit  Kosta Treebicka dhe ju po e keqpërdorni politikisht. Çudia më e madhe për këtë protestë për pasiguri nuk ka. Janë vetëm dy njerëz që kanë folur për këtë, para dy javësh Zani Çaushi dhe tani Edi Rama”, deklaroi Xhaferri. Ndërsa deputeti i PD-së, Blerim Çela ka akuzuar haptazi opozitën se ishte ajo e interesuar që Trebicka të vdiste, duke i kërkuar Prokurorisë që të hetojë mbi këtë fakt. “Unë ju akuzoj dhe kërkoj që drejtësia të hetojë se kujt i interesonte Gërdeci dhe vdekja e Trebickës? Ju interesonte ju dhe vetëm ju, prandaj i fryni borive me aq zell, jo për të drejtën, sepse ajo nuk iu intereson, por vetëm për përbaltjen e maxhorancës dhe Berishës dhe për kredon tuaj politike të pa principtë dhe pa alternativë”, deklaroi Çela. Ai vazhdoi më tej akuzat drejt socialistëve, duke iu drejtuar se “ju nuk e qatë, por e përuruat Gërdecin, ju nuk e qatë, por e kënduat vdekjen e të ndjerit Trebicka dhe lusni ose hartoni në mendjet tuaja diabolike kushedi se çfarë poshtërsie tjetër të radhës ndaj popullit shqiptar për interesat e tuaja kushtetore”.

debati ne kuvend

Andis Harasani: Ju zoti kryeministër jeni njëlloj si Vehbi Alimuça dje, jeni njëlloj si Sudja, zonja kryetare. Jua kujtoj Vehbiun e piramidave, sepse vetë kryeministri u kujtua të na thotë parullën më qesharake të dëgjuar ndonjëherë në ndonjë vend normal: “Më brohorisnin duke më thënë Sali Bollëku”.

Edi Paloka: Harrojeni se Berisha mund të largohet nga pushteti me protesta si në vitin 1997, e vetmja mënyrë janë zgjedhjet, vetëm vota e vendos një gjë të tillë. Nuk mund të përdorni vdekjen si hiena.

Erjon Braçe: Në mes të kësaj jave u vra një dëshmitar, nesër ka të shtatat, Kosta Trebicka. Që dje, madje tamam pas ditës së tretë, çudia iku nga ekranet e mediave shqiptare, madje nga vëmendja e Qeverisë po e po. Kaq orë vlen jeta e një qytetari të ndershëm që do të kontribuojë në këtë vend, për shkak të krimit, peshës së rëndë të krimit, dëshmisë edhe më të rëndë që e akuzon Qeverinë dhe interesat kriminale ku është përfshirë ajo.

Ferdinand Xhaferri: Keni tre vite se çfarë bën nipi i shokut të shokut të çunit të Sali Berishës, apo shoqja e shoqes së vajzës së Sali Berishës, turp më të madh se ky nuk ka. Kemi tre vite që nuk ju kemi themi asgjë për djemtë e juaj të parë, duke filluar nga Arta Dade. Nesër bëhen dhe të shtatat e qytetarit, të ndjerit Kosta Treebicka dhe ju po keqpërdorni politikisht. Çudia më e madhe për këtë protestë për pasiguri nuk ka. Janë vetëm dy njerëz që kanë folur për këtë, para dy javësh Zani Çaushi dhe tani Edi Rama.

Blerim Çela: Unë ju akuzoj dhe kërkoj që drejtësia të hetojë se kujt i interesonte Gërdeci dhe vdekja e Trebickës? Ju interesonte ju dhe vetëm ju, prandaj i fryni borive me aq zell, jo për të drejtën, sepse ajo nuk ju intereson, por vetëm për përbaltjen e maxhorancës dhe Berishës dhe për kredon tuaj politike të pa principtë dhe pa alternativë.

Ceka: Moratorium për çiftet

Në seancën e djeshme është diskutuar në lidhje me ligjin “Për gjuetinë”, duke shkaktuar debate dhe batuta mes dy kampeve. “Pyetja ime është a ka më kafshë të egra në Shqipëri apo s’ka?! Këtu nuk ka kafshë të egra dhe asnjë zog. Këtu ka 100 mijë çifte dhe propozimi im është të hiqet moratoriumi për skafet, sepse është absurd dhe të miratohet një moratorium për çiftet”, ka deklaruar Ceka. Ndërsa socialisti Namik Dokle ka kërkuar që, “t’i ndryshohet titulli këtij ligji dhe të kthehet në: Ligji për mbrojtjen e gjuetarëve”. Por Topalli reagoi me ironi se “vetëm Neranxi ishte gjuetar këtu, ju të tjerët s’ishit”. Deklarata e tij u kundërshtua nga ministri Xhuveli, të cilit iu desh të përplaset edhe me komentet negative të deputetit opozitar Neranxi, për ndryshimet e propozuara nga Ministria e Mjedisit. “Për të vënë gjoja rregull në këtë shfarosje na sillet ligji që ndryshon nenin 23, që nxjerr në ankand faunën, ku është i lirë të gjuajë ai që paguan më shumë. Pra, ai që nuk ka lekë nuk duhet të gjuajë”, theksoi Neranxi.

Misteri, qeni i Trebickës s’pësoi asnjë dëmtim fizik

TIRANE - Qeni i gjahut që biznesmeni Kosta Trebicka mbante me vete gjatë udhëtimit në Korçë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Ai i është nënshtruar një vizite mjekësore në Institutin e Kërkimeve Veterinare (IKV) në kryeqytet. Vizita sipas hetuesve ka pasur për qëllim ekzaminimin shëndetësor të kafshës, për të zbuluar dëmtimet e brendshme dhe të jashtme dhe mënyrën si ishin shkaktuar ato. Në fund të ekzaminimeve, mjekët veterinarë kanë konkluduar se, qeni nuk ka pasur dëmtime të jashtme e as të brendshme, edhe pse u mendua se ai ndodhej në makinën e Kosta Trebickës gjatë udhëtimit në momentin kur mjeti doli nga rruga. Po kështu, mjekët kanë pohuar se qeni i gjahut nuk ka pasur as plagë të brendshme, të cilat mund të ishin shkaktuar nga aksidenti, apo nga faktorë të tjerë. Këto konkluzione të analizës sipas burimeve të policisë, kanë bërë që ata të ngrenë dy versione të mundshme lidhur me pozicionin e qenit të gjahut në këtë ngjarje. Versioni i parë, është ai se qeni mund të ketë qenë në automjet në momentin kur makina doli nga rruga, por është hedhur nga mjeti në momentin kur makina është batuar. Versioni i dytë është se qeni mund të ketë qenë duke vrapuar në rrugë, ndërsa biznesmeni Trebicka e ndiqte atë dhe ndalonte makinën për të gjuajtur kur sinjalizohej për praninë e zogjve. Në momentet kur qeni vraponte për të ndjekur prenë apo gjahun, i zoti ndalonte dhe shikonte drejtimin që do të merrte qeni, për të qëlluar mbi gjahun. Ky version gjithsesi mbetet i diskutueshëm për specialistët, pasi nëse do të ndodhte kështu, shpejtësia minimale e lëvizjes së makinës nuk do të favorizonte humbjen e kontrollit të saj në një terren të tillë si ai ku ndodhi ngjarja.                                                                                       d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›