E Diel, 1 Nëntor 2026

Solis: Berisha rrëzohet me numra, opozita nuk i ka

 

Një ditë pas pjesëmarrjes në tryezën e partive të majta, sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, sqaron pozicionin e kësaj partie. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se kjo forcë nuk mbështet rrëzimin e Kryeministrit Berisha, por vetëm shqetësimin për Reformën në Drejtësi.
PBDNJ ishte një nga të ftuarat e takimit të thirrura nga lideri i opozitës Edi Rama. Përse kjo pjesëmarrje e juaja në këtë takim?
Ne vajtëm strikt për temën për të cilën do të flitej, për Reformën në Drejtësi, për situatën aktuale dhe për mbështetjen që i duhet dhënë Prokurorisë për zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit. Për këtë çështje ne bashkohemi jashtë koalicioneve me çdolloj faktori të politikës shqiptare, që Shqipëria të hyjë në rrugën e normalitetit dhe të Reformës në Drejtësi. Ishim strikt për këtë çështje.
Një nga tezat e hedhura dje në tryezë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte rrëzimi i Kryeministrit Berisha. Ju e mbështesni këtë tezë?
Po ta vini re, ne u larguam të gjithë një nga një. Pasi diskutuam temën për të cilën kishim shkuar, ne u larguam. Për sa i përket kësaj çështje, absolutisht që nuk i qëndrojmë, për arsye se Berisha është një kryeministër i zgjedhur me votë dhe demokracia ka disa rregulla të përcaktuara mirë dhe të fiksuara në Kushtetutë kur largohet një kryeministër. Tre nga këto raste janë, pikë së pari duhet të bësh mocion mosbesimi për të rrëzuar kryeministrin dhe duhet të kesh numrat në Parlament, gjë që opozita nuk i ka pasur dhe nuk i ka. Problemi i dytë është kur e zgjidh Perëndia, kur kryeministri vdes papritur dhe nuk ka nevojë për diskutim. Dhe pika e tretë është kur ndodh një skandal i madh i vërtetuar dhe kryeministri detyrohet të bëjë dorëheqje për të dorëzuar pushtetin në mënyrë të parakohshme. Kjo duhet të jetë e vërtetuar dhe atëherë opozita duhet të bëjë presion. Kjo situatë e gjitha është hipotetike. Të tria këto shkaqe nuk qëndrojnë, prandaj aq më keq që tani jemi në një fazë elektorale, kemi hyrë në zonën e nxehtë elektorale, është momenti i bërjes së Kodit dhe është pikërisht ajo që opozita duhet të punojë për të demaskuar maxhorancën, t’i shpjegojë popullit cilat janë gabimet e kësaj qeverie dhe të fitojë me votë. Është momenti që opozita të bëjë punën në Parlament, jo ta braktisë atë dhe të dalë në rrugë. Varianti më ideal i daljes në rrugë është varianti i 14 shtatorit, sikur të arrihet gjithçka do jetë pikërisht ky variant, kur mua erdhën më nxorën nga zyra dhe të nesërmen erdhën e më thanë që ktheu në zyrë, sepse jemi një qeveri e ligjshme dhe veprimi i ndërmarrë në 14 shtator është i paligjshëm. Të përsërisësh pas disa vjetësh të njëjtën gjë, është një kthim mbrapa dhe një metodë primitive që destabilizon vendin, prandaj mbështetja e Prokurorisë dhe zbardhja e tragjedisë së Gërdecit duhet të ishte rruga që opozita duhet të ndiqte dhe jo rruga e abandonimit të Parlamentit në një moment tepër delikat, si për hartimin e Kodit dhe për zonën në të cilën ndodhemi.
Pjesëmarrja juaj dje në tryezën e opozitës a mund të themi se është hapi i parë për daljen nga koalicioni?
Unë do të thosha që pjesëmarrja ishte strikt për temën që ju thashë, nuk do të thotë pjesëmarrje në koalicion. Ne ende nuk jemi pozicionuar çfarë qëndrimi do të mbajmë, sepse për një arsye të thjeshtë, se Kodi nuk ka dalë dhe ne do matim forcat. Momenti që ne jemi duke punuar është forcimi i strukturave të partisë për ta përballuar e vetme. Në momentet e fundit, pasi të zbardhet Kodi, ne do të qartësojmë mendimin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›