Rama rikthehet në fushatë sërish me “West Side Family”
Aristir Lumezi
Edi Rama rikthehet sërish në fushatë me grupin muzikor “West Side Family”. Do të jetë grupi i njohur me të cilin Edi Rama gjatë kandidimit të tij për herë të dytë si kryebashkiak i Tiranës në 2003, theu tabutë duke kënduar këngën “Tirona”, e cila u bë lajtmotivi i asaj fushate. Kësaj radhe, grupi i njohur dhe Rama do të dëgjohen në të gjitha aktivitetet elektorale të PS-së deri në 28 qershor me këngën “Çohu!” Kryetari socialist bëri dje prezantimin e këngës zyrtare të fushatës së PS-së bashkë me djemtë e grupit dhe producenten e videoklipit, gjatë një konference për shtyp në selinë rozë. Edhe pse mbahet sekret kënga dhe teksti i saj, pasi siç tha dhe Rama ai do të inaugurohet të enjten në mbrëmje gjatë ceremonisë zyrtare të çeljes së fushatës zgjedhore, në altoparlantët e vendosur dje, ata që u ndodhën aty morën një shije sado të vogël nga kënga që do të dëgjohet më shumë dhe këndohet gjatë gjithë kësaj vere. Kreu socialist vlerësoi se ky bashkëpunim me grupin do të jetë një thirrje e qartë për gjithë shqiptarët e shqiptaret për ta çuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje qytetare. “Është një këngë që është pjesë e asaj fryme që ne tani e ndjejmë dhe e përçojmë. Kënga titullohet ‘Çohu’. Jam bashkë me miqtë e mi dhe këngëtarët e famshëm për t’ju prezantuar të gjithëve këngën që do na shoqërojë në udhëtimin në Shqipëri, rrugëtim që do të na çojë drejt një qeverisjeje qytetare”, tha Rama. Këngëtarët nga ana e tyre, Flori, Landi dhe Miri shprehën kënaqësinë që po bashkëpunojnë me siç theksuan ata “kryetarin e ardhshëm të Shqipërisë”. Ata u shprehën se shpresojnë që kënga “Çohu” të jetë një ogur i mirë, ashtu siç shërbeu për Tiranën kënga e Tironës. “Ky është bashkëpunimi i radhës. Kënga e Tironës ishte ogur shumë i mirë për gjithë tironcit, kënga e radhës ogur i mirë për të gjithë shqiptarët”, tha Landi. “Eshtë kënaqësi që po mbështesim kryetarin e ardhshëm të Shqipërisë, Edi Rama. Me ‘Tironën’ e ndryshuam Tiranën, tani duhet të ndryshojmë Shqipërinë”, tha dr. Flori.
Inaugurimi
Socialistët do të inaugurojnë fushatën e tyre të enjten në mbrëmje në një ceremoni spektakolare në orën 19:00. Ndryshe nga hapja e fushatës e shumë partive të tjera, socialistët do të dalin jashtë sallave të mbyllura. Në mënyrë simbolike ata kanë zgjedhur Qytetin Studenti, aty ku 19 vjet më parë nisën lëvizjet studentore për të rrëzuar sistemin e vjetër komunist. Por kjo simbolikë do të ketë një ndryshim. Sheshi “Demokracia” duket se është i vogël sot për të mbledhur të pranishmit që do të marrin pjesë në këtë ceremoni, prandaj selia rozë ka zgjedhur fushën sportive të Qytetit Studenti, ku pritet të mblidhen mijëra mbështetës. Organizatorët, ashtu si teksti i këngën Çohu! i mbajnë sekret detajet e këtij spektakli, por disa prej tyre kanë rrjedhur për mediat. Pasi muzgu të ketë rënë në një videoprojektor gjigant, do të shfaqet videoklipi i këngës së Ramës me ‘West Side Family”. Por ky aktivitet mësohet se do të ketë shumë surpriza, ide dhe efekte që nuk janë përdorur më parë. Duket se amerikanët që po mbështesin socialistët intensivisht në këtë fushatë, po ezaurojnë gjithçka kanë në arkivat e tyre, për të bërë një fushatë elektorale të pasur në detaje dhe efekte elektorale, por aspak të shtrenjtë, siç thonë burime nga selia rozë.
teksti i kenges
Kënga Çohu!
(Grupi)
Çohu
Çohu
Çohu
Çohu, çohu, çohu!
(Rama)
Unë do ta fitoj këtë garë
bashkë me ju!
Sepse besoj tek Shqipëria,
Besoj te forca e talenti
i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi
Besoj tek një atdhe
që Zoti i ka dhënë gjithçka i duhet
për të qenë i begatë
dhe unë besoj se asgjë nuk është e pamundur
në rast se ne jemi të gjithë bashkë
(Grupi)
Jemi ne sot e ardhmja, jemi ne
Vetëm ti në dorë e ke
Ti mos rri po çohu
Çohu, çohu, çohu,
Jemi ne sot ndryshimi
Jemi ne!
Për të ardhmen
Dit’e re!
Ti mos rri po çohu
çohu, çohu, çohu!
Thyhet zyra elektorale e PS-së te “Don Bosko”
TIRANE - Persona ende të paidentifikuar kanë thyer me gurë dhe mjete të tjera të forta zyrën elektorale të Partisë Socialiste në afërsi të rrugës “Don Bosko”, në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së hënë. Pas marrjes së njoftimit, efektivat e Komisariatit Nr.3 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar thyerjen e xhamit të derës së zyrës elektorale, por asnjë dëmtim tjetër, vjedhje apo thyerje në ambientet e brendshme të saj. Zyra elektorale ishte hapur disa muaj më parë në funksion të fushatës elektorale, që hapet së shpejti. Punonjësit e kësaj zyre kanë konstatuar mëngjesin e djeshëm se dera kryesore prej xhami ishte thyer e gjitha me mjete të forta, ndërsa në ambientet e saj të brendshme nuk kishte objekte me vlerë, që mund të bëheshin synim i ndonjë grabitjeje me thyerje. Këtë version e ka hedhur poshtë edhe policia, e cila tashmë ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Sipas informacioneve paraprake nga policia, mësohet se personat që kanë dëmtuar zyrën elektorale ende nuk janë identifikuar, por sipas ekspertëve në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vjedhje apo tentativë grabitjeje, pasi në ambientet e brendshme të zyrës, nuk është lëvizur asgjë nga v endi, me përjashtim të thyerjes së xhamit. Përballë kësaj situate ngjarja është përcaktuar si një sulm politik. Ndërkohë policia po verifikon të gjitha gjurmët, që janë gjetur në vendin e ngjarjes.