E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdes sezonin turistik pavarësisht zgjedhjeve

27/05/2009  Prefekti i Fierit, takim me pushtetarë lokalë. Shtrohet shqetësimi për ndotjen e Semanit

FIER- Prefekti i qarkut Fier ka zhvilluar paraditen e djeshme një takim me pushtetarë lokalë që administrojnë vijën bregdetare të rrethit Fier dhe u ka kërkuar atyre marrjen e masave për pritjen e pushuesve dhe turistëve të huaj dhe vendas në këtë sezon turistik. Në këtë takim të zhvilluar me ta, prefekti Bejdaj u ka kërkuar që të mos neglizhohet me këtë kërkesë, por kjo të jetë prioritet, pavarësisht angazhimeve me fushatën elektorale.

“Ultimatumi”

“Plotësoni të gjitha kushtet e munguara për pushuesit”,-ka pohuar prefekti dhe për këtë ka bërë të qartë detyrat e secilit për pozicionin që mban. “Pavarësisht fushatës zgjedhore që është ndër faktorët më të rëndësishëm politik, ju të mos lini pas dore pritjen e pushuesve në zonat tuaja bregdetare, duke plotësuar të gjitha kushtet dhe aksesorët e duhur për një verë të mbarë”. Nga ana e drejtuesve lokalë, konkretisht në zonën e Semanit, është kërkuar një bashkëpunim dhe ndihmë konkrete për përmirësimin e infrastrukturës së disa rrugëve të dëmtuara. Sipas kreut të komunës Seman, Sotir Zarkja, vetëm vitin e kaluar numri i turistëve vendas dhe të huaj ka shkuar në 50-60 mijë dhe për të pasur këtë frekuentim duhet bërë edhe shërbimi i pushuesve në përmirësimin e rrugëve, krijimin e kushteve të duhura për pushim të mbarë, si furnizim me ujë dhe drita, organizim dhe sistemim të godinave të pushuesve, rregull, pastërti dhe qetësi publike. Zarka ka kërkuar ndihmë nga prefekti për një takim tjetër me drejtuesit e ndërmarrjeve të naftës për t’i thënë “ndal” ndotjeve nga mbeturinat e naftës dhe gazit. Ndotja e brigjeve të Semanit ka qenë e vazhdueshme gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës së sivjetshme. “Në prag të çeljes së sezonit turistik Semani është i mbushur vetëm me ndotje hidrokarburesh. E gjithë kjo ndotje vjen nga sektori i Sheqishtës dhe i Marinzës që varen prej “Albpetrolit”. Kjo ndotje është e qëllimshme dhe duket si një marrëveshje e fshehtë mes pronarëve të Vlorës dhe kompanisë “Albpetrol” me qëllim që gjithë Fieri të shkojë në Vlorë. "Vitin e kaluar në Seman janë shënuar rreth 50 mijë pushues në ditë. Ka pasur pushues edhe nga Maqedonia dhe Kosova. Por, ndotja e sivjetshme më le të dyshoj shumë. Si nuk paska e nuk dalka një përgjegjës për këtë punë. Si nuk paska një ligj që të ndërhyjë për të parandaluar këtë shkatërrim dhe ndotje skandaloze”, - ka thënë tepër i alarmuar kryetari i komunës së Topojës, komunë që ka nën juridiksion bregdetin e Semanit.

URDHRI

“Plotësoni të gjitha kushtet e munguara për pushuesit”,-ka pohuar prefekti dhe për këtë ka bërë të qartë detyrat e secilit për pozicionin që mban. “Pavarësisht fushatës zgjedhore që është ndër faktorët më të rëndësishëm politik, ju të mos lini pas dore pritjen e pushuesve në zonat tuaja”

SHQETËSIMI

Kryekomunari Sotir Zarka ka kërkuar ndihmë nga prefekti për një takim tjetër me drejtuesit e ndërmarrjeve të naftës për t’i thënë “ndal” ndotjeve nga mbeturinat e naftës dhe gazit. Ndotja e brigjeve të Semanit ka qenë e vazhdueshme gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës së sivjetshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›