E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të djathtët braktisin Këshillin Bashkiak

27/05/2009  “Do kthehemi kur bashkia të zbatojë vendimet”

Bledni Himçi zgjidhet në vend të Ardian Turkut

ELBASAN-Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Elbasanit janë larguar sërish nga mbledhja e Këshillit në shenjë proteste për moszbatimin e disa vendimeve nga administrata vendore. Largimi në mënyrë demonstrative është bërë pasi janë miratuar disa vendime të rëndësishme për ecurinë e Këshillit dhe projekte madhore për komunitetin. Në fillimin e mbledhjes është diskutuar zgjedhja e këshilltarit të ri pas dorëheqjes së Ardian Turkut. Kjo dorëheqje e ardhur pas emërimit si ministër Kulture ka bërë që demokratët ta zëvendësojnë me një nga demokratët e vjetër Pavlo Jorgaqi. Dorëheqja e Ardian Turkut ka sjellë edhe zëvendësimin e këshilltarit përfaqësues në Këshillin e Qarkut vendi i mbetur bosh. Me 38 vota pro dhe 4 kundër ka fituar këtë përfaqësim kreu i Këshillit Bashkiak Blendi Himçi. Himçi konsiderohet edhe si një mundësi e madhe për tu zgjedhur kryetar i Këshillit të Qarkut Elbasan në vend të Ardian Turkut. Procesi i zgjedhjeve është ndjekur nga miratimi i ndihmës ekonomike dhe të një aplikimi të rëndësishëm nga Bashkia për në projektin LAMP. Pas kësaj këshilltarët e djathtë në mënyrë kolegjiale janë larguar nga salla. Edhe pse e majta ka tentuar të bëjë kuorumin e nevojshëm kjo nuk ka qenë e mundur dhe mbledhja nuk ka vazhduar. Kreu i Këshillit Bashkiak Himçi tha se ky largim është një formë proteste për moszbatim të disa vendimeve të Këshillit Bashkiak nga administrata e Bashkisë. Këtë qëndrim këshilltarët e djathtë e kanë mbajtur edhe në muajt e kaluar për t’i rikthyer autoritetin këtij këshilli. Vendime të Këshillit Bashkiak të pazbatuara janë: Hapja e Bulevardit përderisa nuk ka një vendim për mbylljen e tij, tregjet informale të krijuara pa vendim të Këshillit Bashkiak, por edhe vendime të tjera, të cilat janë bërë të ditura qysh në mbledhjen e kaluar. Himçi tha se rikthimi në mbledhje e këshilltarëve do të jetë një vendim politik. Ndërkohë kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, e ka cilësuar braktisjen si një zbatim i verbër i një vendimi partiak, i pabazuar në fakte reale. Ai ka thënë se në këtë formë po mbahet peng vazhdimi normal i punës së bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›