E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn, “grusht” qeverisë për korrupsionin dhe krimin e organizuar



Eljona Ballhysa
Brukseli rikthen kritikat ndaj Shqipërisë për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në një kohë kur politika shqiptare është përfshirë në një debat për një skandal korrupsioni, por dhe krimi të organizuar, siç është afera korruptive e Gërdecit dhe vdekja e dëshmitarit kyç për zbardhjen e kësaj tragjedie, Komisioni Europian rreshton kritikat ndaj qeverisë. Komisionari Europian për Zhvillimin, Olli Rehn, pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka kritikuar qeverinë për moszbatimin e strategjive dhe planeve të aksionit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kritikat
Ajo që është cilësuar me bujë nga autoritetet e larta qeveritare si suksese të Ekzekutivit, është kritikuar ashpër dje nga komisionari europian për Zhvillimin, Olli Rehn. Gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel me ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, Rehn ka theksuar se qeveria ka vonuar miratimin e planeve të veprimit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Panorama e përgjithshme e marrëdhënieve mes BE-së dhe Shqipërisë është inkurajuese. Vendi ka bërë progres në demokraci dhe në çështjet e shtetit ligjor dhe po implementon mirë angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshja e ndërmjetme e Stabilizim-Asociimit. Por me siguri më shumë nevojitet për t’u bërë në lidhje me kulturën demokratike dhe për pavarësinë e institucioneve të shtetit. Por edhe përsa i përket shtetit ligjor, ndërsa lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një sfidë madhore”, - tha komisionari Rehn. I pyetur se çfarë nuk e ka bindur Komisionin Europian në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, që në Shqipëri paraqitet si suksesi më i madh nga qeveria, Rehn tha se ndër të tjera ka qenë miratimi tepër i vonshëm i strategjive dhe i planeve të aksionit dhe zbatimi i tyre. Gjatë bisedimit me ministrin shqiptar Rehn ka gjetur hapësirë për të vlerësuar konsensusin ndërpartiak në Shqipëri për të realizuar reformën zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë. Rehn gjithashtu ka vlerësuar dhe raportin pozitiv të Bankës Botërore për Shqipërinë dhe ka bërë të ditur se këto vlerësime do të përfshihen në progres-raportin për Shqipërinë, që do të bëhet publik në muajin nëntor të këtij viti.
Dokumentet
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Basha, ka zhvilluar një takim dhe me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Jacque Barrot. Gjatë këtij takimi ministri Basha u ndal në veçanti në prodhimin e kartave dixhitale dhe pasaportave biometrike. “Pajisja e qytetarëve me këto dokumente të sigurisë së lartë është objektiv madhor i qeverisë në përmbushje të kriterit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, - theksoi Basha. “Shpërndarja e këtyre dokumenteve pritet të nisë në janar 2009. Në këtë mënyrë Shqipëria siguron infrastrukturën më bashkëkohore për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Njëkohësisht kjo përmbush dhe një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave”, - ka informuar ministri Basha. Nga ana e tij zëvendëspresidenti Barrot ka theksuar se viti 2009 pritet të jetë një vit vendimtar për procesin e lëvizjes së qytetarëve drejt hapësirës Shengen.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›