Rama shkel rëndë autonominë lokale të minibashkive, po bllokon të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale”

Denoncimi i PD
Deputeti i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe njëherazi ministri i Drejtësisë Bujar Nishani denoncoi sot dhunën flagrante të kryebashkiakut Edi Rama ndaj njësive minibashkiake të kryeqytetit, duke shkelur autonominë lokale dhe parimet e decentralizimit.
Sipas Nishanit, Rama shkel rëndë ligjin për funksionimin e Bashkisë së Tiranës, i cili përcakton qartë edhe statusin e të drejtave të minibashkive në Tiranë.
“Jam këtu si deputet i qarkut të Tiranës për të shprehur shqetësimin e qytetarëve dhe të të zgjedhurve vendore të qytetit të Tiranës për shkeljen e rëndë që Kryetari i Bashkisë, Tiranë, Edi Rama po i bën autonomisë lokale dhe parimeve të decentralizimit në funksionimin e minibashkive në Tiranë. Z. Rama po shkel rëndë në mënyrë të përsëritur ligjin për organizimin dhe funksionimin e Bashkise Tiranës i cili përcakton statusin dhe të drejtat e minibashkive në Tiranë. Z. Rama refuzon prej kohësh të zbatojë vendimet e përsëritura të Këshillit Bashkiak të Tiranës për respektimin e të drejtave administrative të minibashkive të Tiranës”, tha Nishani.
Sipas tij, dhunimi i parimeve bazë të decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha këto minibashki.
“Refuzimi i vazhdueshëm i z. Rama për të respektuar ligjin, është një rast i qartë i standardeve të dyfishta të sjelljes politike të tij, z. Rama duhet t’u tregoj qytetarëve të Tiranës se është për respektimin e ligjit, se është për autonominë vendore, se është për decentralizimin; duke lejuar përdorimin e kompetencave që ligji i jep minibashkive”, u shpreh deputeti i Tiranës dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.