Interes për investime në segmentet Tiranë-Elbasan dhe Berat-Tepelenë
Kryeministri Berisha pret një delegacion të Bankës Islamike për Zhvillim
Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim një delegacion të Bankës Islamike për Zhvillim, kryesuar nga Zëvendës Presidenti për Operacionet z. Birama Boubacar Sidibe.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për angazhimin e Bankës Islamike në Shqipëri duke kontribuar dukshëm në zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Ai vlerësoi veçanërisht eficencën në zbatimin e projekteve në fusha me rëndësi prioritare si infrastruktura rrugore dhe portuale, shëndetësia, furnizimi me ujë, bujqësia e zhvillimi rural.
Nga ana e tij, Zëvendës Presidenti i Bankës Islamike për Zhvillim u shpreh se ishte i impresionuar nga progresi ekonomik i Shqipërisë dhe veçanërisht nga menaxhimi i projekteve të Bankës nga pala shqiptare. Ai shprehu interesin për të rritur prezencën e Bankës nëpërmjet financimeve të sektorit privat duke nxitur iniciativat e partneritetit publik-privat.
Kryeministri Berisha paraqiti prioritetet kombëtare me interes për investim nga Banka Islamike të tilla si financimin e segmentit Tiranë - Elbasan apo Berat - Tepelenë, investimet në fushën e energjisë, bujqësisë, shëndetësinë dhe me furnizimin me ujë.
Zëvendës presidenti i Bankës shprehu gatishmërinë dhe angazhimin në të ardhmen për të intensifikuar marrëdhëniet në realizimin e prioriteteve kombëtare të përmendura më sipër.