Rama shmang Asamblenë, nis vetëm zbatimin e planit elektoral
Kryetari socialist, Edi Rama, ka nisur zbatimin e planit elektoral të Partisë Socialiste duke shmangur kështu Asamblenë Kombëtare, edhe pse kjo ishte parashikuar në mbledhjen e Kryesisë.
Rama ka urdhëruar shtabin qendror të fushatës që të shpërndajë manualet dhe të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me fushatën elektorale të PS për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm dy ditë më parë, shtabet elektorale të PS në të gjitha rrethet kanë marrë në dorë manualin me udhëzimet për organizimin e fushatës elektorale. Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS pak javë më parë, u miratua plani i fushatës elektorale me strukturën e qartë të organizimit të partisë në të gjitha nivelet për fushatën elektorale. Kryesia e PS e miratoi planin e paraqitur nga shtabi elektoral, ku dhe u vendos që në mbledhjen e afërt të Asamblesë Kombëtare të miratohej pikërisht plani që i dha OK Kryesia. Asambleja Kombëtare e PS ende nuk është lajmëruar të mblidhet, ndërsa plani ka nisur zbatimin, pa marrë parasysh se anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS mund të kenë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për planin e organizimit të fushatës elektorale. Pavarësisht se PS zyrtarisht pretendon të ketë ndezur motorët e fushatës elektorale për të fituar zgjedhjet, pakënaqësitë e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë për mënyrën se si është bërë shpërndarja e tyre në qarqe mund të jetë një ndër arsyet, përse shmanget AK, pasi nuk përjashtohen përplasjet. Deri më sot Rama ka dhënë kryesisht urdhra dhe mesazhe, ku nuk ka pranuar që të japë shpjegime për deputetët. Këta të fundit, përveçse nuk janë sqaruar, në dokumentin që para ca ditësh u shpërnda te drejtuesit rajonalë, përjashtoheshin kategorikisht nga e drejta për të qenë pjesë e shtabit të komunës apo bashkisë. Në shtabet që priten të konstituohen së shpejti deputetët nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e organizimit, por vetëm duhet të punojnë, deri edhe si drejtues të thjeshtë vendorë për rekrutimin e sa më shumë njerëzve që në zgjedhje përkthehet në votë. Njëkohësisht, në dokument përfshihet ndarja e anëtarëve të Kryesisë, cilët do të quhen kujdestarë qarqesh, këta të fundit kontrollojnë gjithë situatën e qarkut dhe në fund raportojnë te shtabi qendror në parti. Ndërsa në selinë qendrore shtabi vetë është i përbërë nga grupe të vogla, të cilët merren me aspekte të ndryshme të fushatës në tërësi, siç është imazhi mediatik, sloganet etj.