E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Remzi Hoxha”, prokuroria do të kërkojë sërish masë sigurie për Sefgjinin

Nga Bledar Lumani

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë sërish caktimin e një tjetër mase sigurie për Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin, të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Kjo është bërë e ditur gjatë seancës së djeshme ndaj dy të pandehurve, teksa në këtë seancë kanë dëshmuar edhe dy ish-punonjës së SHIK, Çlirim Cako dhe Arian Hysolli. Këta të fundit kanë deklaruar se janë urdhëruar nga Ilir Kumbaro për kontrollimin e makinës së Remzi Hoxhës

Kërkesa

Pak kohë pas rrëzimit të masës së sigurisë “Arrest shtëpie” për Arben Sefgjinin dhe Avdyl Loshajn, prokuroria do të kërkojë sërish caktimin e një tjetër mase sigurie ndaj këtyre të fundit. Kjo gjë është bërë e ditur gjatë seancës së djeshme ndaj ish-dy punonjësve të SHIK, të cilët po gjykohen për rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Para se të niste procesi penal ndaj këtyre të fundit, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për dy të pandehurit. Por Gjykata e Apelit vendosi të lirojë Sefgjinin dhe Koldashin nga masa dhe t’i kthejë aktet për rigjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e prokurorisë. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga Xhelal Elezi, që po shqyrton çështjen në themel, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë do të vendosë, nëse ndaj këtyre dy të pandehurve do të vendoset ndonjë masë sigurie. I pandehuri i tretë i procesit, Ilir Kumbaro, i cili u arrestua tri ditë më parë në Londër, pritet të ekstradohet së shpejti drejt Shqipërisë. Kumbaro ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkaq, dosja për ish-shikasin, Budion Meçe, është veçuar, pasi ai gjendet në spital në gjendje të rënduar shëndetësore.

Dëshmitë

Ish-inspektori i SHIK, përgjatë viteve 1992-2002, Çlirim Cako, u shpreh se me urdhër të Ilir Kumbaros, që mbante postin e shefit të degës së parë në SHIK e Tiranës, ka plaçkitur automjetin e Hoxhës. “Shkova te makina së bashku me Roland Dedejn, shoferin e Ilir Kumbaros. Rolandi e hapi makinën dhe mori prej andej një portofol, dokumentet e makinës, si dhe dy steka paketa. Dokumentet ia kemi dorëzuar Ilir Kumbaros në dalje të Kamzës”, - deklaroi ish-inspektori. Cako tha se për Remzi Hoxhën nuk kishte asnjë informacion se ishte ndonjë agjent sekret. Ndërkohë Cako ka deklaruar edhe në lidhje me Avdyl Loshajn, një nga tre pengjet e SHIK në vitin 1995, i cili mundi të mbijetonte. Ish-inspektori Cako ka qenë një nga personat që ka ruajtur Loshajn në ambientet e SHIK në Tiranë, ku sot ndodhet Drejtoria e Policisë së Tiranës. “Kishim mbaruar mbledhjen e mëngjesit, kur Ilir Kumbaro me kërkoi që të ruaja një person. Emrin nuk ma tha. Por, meqë isha i ri në punë, kërkova që të mos më linin vetëm”, - deklaroi Cako. Loshaj që me sa duket ka parandier rrezikun, u ka kërkuar dy inspektorëve që e ruanin ta dërgonin në banjë dhe prej andej ka tentuar ta arratiset. “Dëgjuam zhurma. Personi ishte hedhur dhe kishte rënë në oborrin e Briskut, që ishte ngjitur me godinën e SHIK. E nisëm menjëherë për spital. Ika dhe unë me kolegun tim”, - deklaroi më tej dëshmitari. Ish-inspektori tha se për këtë ngjarje është pyetur nga organet hetimore vetëm në vitin 2003. Për tentativën e arratisjes së Loshajt dëshmoi dhe një tjetër inspektor i SHIK në atë kohë, Arian Hysolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›