E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikiatriku Elbasan, shtohen pacientët, kryesojnë të rinjtë

23/06/2011  Spitali mbi kapacitete, moshat e reja të prekur nga ngarkesat psiko-emocionale dhe droga

ELBASAN- Shtohen rastet me të sëmurët në spitalin psikiatrik të Elbasanit duke kaluar edhe kapacitetin normal. Mësohet se shkaku kryesor është rritja e temperaturave, por nuk përjashtohen edhe shkaqe të tjera që kanë lidhje me stresin dhe gjendjen ekonomike.

Spitali

Spitali psikiatrik i Elbasanit ka një kapacitet prej 310 shtretërish. Aktualisht ndodhen të shtruar 343 pacientë duke shfrytëzuar edhe ambiente rezervë. Gjatë vitit të kaluar u trajtuan 600 pacientë dhe për këtë periudhë ka një shtim të lehtë të numrit të rasteve për shkak të temperaturave dhe stinës. Vitet e fundit të prekur nga sëmundje nervore dominon mosha e mesme madje edhe të rinj dhe kjo shpjegohet me ngarkesën psiko-emocionale, psikosociale, alkoolin, drogën etj. Por drejtori Balla sqaron se vendi ynë bën pjesë në parametrat ndërkombëtare të të prekurve nga sëmundjet mendore. Spitali psikiatrik në Elbasan është duke konkretizuar me sukses reformën e shëndetit mendor për këtë kategori pacientësh. Ai është më i madhi në vend duke mbuluar Shqipërinë e Mesme, si dhe qytete të tilla si Durrësin, Korçën, Pogradecin, Lushnjën, Librazhdin, Gramshin etj ose ekzaktësisht përgjigjet për këtë shërbim për mbi 1.2 milionë banorë. Sipas drejtorit të spitalit, Kamber Balla, gjatë kësaj periudhe i është kushtuar mjaft rëndësi si trajtimit shëndetësor të pacientëve, por edhe trajtimit psiko-social me një staf profesionistësh. Kështu pas mjekimit modern që aplikohet në spitalin e Elbasanit, të sëmurët kalojnë fazën e rehabilitimit dhe pajisen edhe me dokumentacionin përkatës për të përfituar pensione të ndryshme dhe për të vazhduar mjekimin falas, i cili është shumë i shtrenjtë. Një ndihmesë të madhe në këtë reformë po japin qendrat e rehabilitimit dhe shtëpizat e ngritura në Elbasan e në qytete të tjera të vendit. Megjithatë, në psikiatrikun e Elbasanit ndodhen 70 të sëmurë kronikë, të cilët duhet të trajtohen në një vend të posaçëm. Kjo do të lehtësonte shërbimet për kategoritë e tjera. Për këtë qëllim në proces është edhe ngritja e një qendre supermoderne, financim rreth 100 mijë euro qeverisë holandeze. Drejtoria e spitaleve ka kërkuar që informacionet për këtë kategori pacientësh të jepen të sakta për vetë ndjeshmërinë që ka komuniteti ndaj kësaj kategorie. Gjatë viteve të fundit i gjithë spitali i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë dhe trajtimi ushqimor e medikamentoz është i standardeve evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›