E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sqaron partinë për Kodin Zgjedhor

Miratimi i KoditZ në fillim të kësaj jave vë në lëvizje socialistët. Nesër, anëtarët e Asamblesë Kombëtare do të udhëtojnë drejt qytetit të Elbasanit, aty ku është vendosur të zhvillohet njohja me Kodin e ri Zgjedhor i sapomiratuar në Parlament me shumicë votash. E gjithë axhenda e Asamblesë është e fokusuar pikërisht te miratimi i Kodit Zgjedhor, shpjegimi i disa pikave të rëndësishme të tij, si dhe raportimi për mbylljen e këtij procesi. Nëse anëtarë të Asamblesë, një prej strukturave më të larta vendimmarrëse në PS kanë mosmarrëveshje me rrugët apo propozimet që ka ndjekur PS-ja për hartimin e Kodit Zgjedhor, e humb këtë mundësi, pasi ligji po paraqitet para tyre i miratuar dhe pa asnjë ndryshim. Zhvillimet më të fundit në politikë e kryesisht ato të javës së shkuar, kur dhjetë deputetë hynë në grevë urie, pritet të jenë objekt pyetjeje apo kërkese për sqarime nga ana e anëtarëve të Asamblesë. Kjo, sepse gjatë gjithë kësaj kohe drejtuesi i grevës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi direkt kryetarin socialist, Edi Rama, si ideator të një ligji i cili ka si qëllim eliminimin e LSI-së. Hyrja deri në një grevë urie, duket se i ka ndarë udhët mes Ilir Metës e Edi Ramës, jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe ato njerëzore. Burime nga Partia Socialistë bënë të ditur se pika e parë e rendit të ditës të mbledhjes është e fokusuar te masat organizative elektorale të partisë për zgjedhjet e 2009-ës, duke vijuar me shpjegimin e momenteve kryesore të Kodit të ri Zgjedhor si dhe përshtatja e organizimit partiak e elektoral në bazë të tij.

Rreth dy muaj më parë, kryesia e PS-së miratoi strategjinë që do të ndiqte partia mbi propozimet për Kodin Zgjedhor. Kryesia e miratoi atë unanimisht, ndërsa pritej kalimi edhe në Asamblenë Kombëtare. Duket se parashikimi i atyre propozimeve që do armiqësonte fort LSI-në me PS-në është shkaku që ka çuar në shmangien e kësaj strukture nga diskutimi dhe përmirësimi i propozimeve. Anëtarët e AK-së do të marrin vetëm nesër në dorë zyrtarisht Kodin e ri Zgjedhor e madje do të udhëzohen se si ta zbatojnë dhe përshtatin me organizimin e partisë. Java e kaluar tregoi se shumë prej deputetëve e figurave socialiste u solidarizuan publikisht apo indirekt me grevën, ndërsa bisedat mes anëtarëve e militantëve që rrinë pranë selisë së partisë janë pesimiste për një fitore të së majtës pas ndarjes së ashpër mes dy partive kryesore të së majtës. Pika e tretë përmban një raportim mbi mbylljen e procesit zgjedhor në organizatat e partisë. Në këtë pikë bëhet fjalë për mbylljen e procesit zgjedhor tek organizatat socialiste në rang vendi. Nga raportimi që u bë në muajin prill e korrik, viheshin re disa probleme si përshtatja e përqindjes së grave, niveli arsimor i drejtuesve etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›