E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i banesave me sytë nga emigrantët

21/07/2009  BSH: Duhet të përmirësohet metodologjia e mbledhjes së informacionit për ecurinë e çmimit të banesave

Kriza frenon blerjet. Kredia në pasuritë e paluajtshme ra në rreth 149.8 miliardë lekë

Ardhja e emigrantëve pritet të rrisë kërkesën për banesa. Por këtë vit, kriza ekonomike që ka prekur vendet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë ka sjellë efektet edhe në këtë sektor. Në agjencitë imobilare në kryeqytet është vënë re vetëm një rigjallërim i lehtë i këtij tregu. Madje edhe çmimet do të vijojnë të rriten. Ekspertë të agjencive imobliare shprehen se rritja e çmimeve të apartamenteve do të vijë për shkak se kërkesa e konsumatorit në Shqipëri është akoma e lartë. Sipas tyre, çmimi i banesave do të jetë në rritje që mesatarisht do të lëvizë nga 5-7 për qind në vit.

Çmimet

Gjithsesi, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë që çmimet në tregun e banesave nuk kanë reflektuar plotësisht ecurinë e kostove të ndërtimit që kanë ardhur në rënie prej vitit 2008, duke nënkuptuar uljen e marzheve të fitimit për industrinë e ndërtimit. “Ecuria e çmimeve të banesave, është me rëndësi për industrinë e ndërtimit, për publikun dhe për sistemin financiar në vend. Për vetë rolin që banesat dhe pasuritë e tjera të patundshme luajnë në konsumin afatgjatë të qytetarëve, në sektorin bankar dhe në sistemin financiar, njohja e ecurisë së çmimit të tyre dhe e faktorëve që shkaktojnë ndryshimin e kësaj ecurie, merr rëndësi të madhe”, - theksojnë ekspertët. Në tremujorin e fundit të vitit vihet re një zhvendosje drejt formës “overdraft”, ku pesha e kësaj të fundit ka arritur në nivelin 25 për qind. Në të njëjtën kohë, pesha e kategorisë “investime për pasuri në paluajtshme” bie në nivelin 43 për qind. Pjesa e portofolit të kredisë që është investuar vitin e kaluar në pasuritë e paluajtshme është rreth 149.8 miliardë lekë.

Frenohet kredia

Gjatë vitit 2008, tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i ritmit të rritjes së çmimeve dhe nga luhatje të indeksit të qirasë. Në raportin e stabilitetit thuhet se indeksi mesatar i çmimit të banesave për rrethin e Tiranës ka rënë me 0.3 për qind në terma vjetorë, në ndryshim nga sjellja në tre vitet paraardhëse kur indeksi ka shënuar rritje të ndjeshme. “Frenimi në normën e rritjes së çmimeve të banesave mund të jetë i lidhur si me zbutjen e kërkesës për banesa, ashtu edhe me një rritje të ofertës për to. Kështu, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, bankat raportojnë për një rënie të kërkesës së individëve për kredi për blerje banese, si edhe për një shtrëngim të standardeve të kredidhënies për këtë qëllim”, - theksohet ndër të tjera nga ekspertët e Bankës Qendrore. Gjatë vitit 2008, vihet re që kredia e re dhënë individëve është kryesisht e përqendruar në kategorinë “investime në pasuri të paluajtshme”. Pesha më e lartë për këtë kategori shfaqet në tremujorin e tretë të vitit me rreth 58 për qind. “Aktualisht, për të nxjerrë konkluzione mbi prirjet e ecurisë së çmimit të banesave në të ardhmen, është e nevojshme të përmirësohet metodologjia e mbledhjes së informacionit për të siguruar një shtrirje më të madhe gjeografike si edhe një vlerësim më të saktë sipas llojeve të banesave, sipërfaqeve, vendndodhjes, vitit të ndërtimit, mënyrës së financimit, mënyrës së pagesës”, - shprehen ekspertët e Bankës së Shqipërisë në raportin e stabilitetit.

Teprica e kredisë

Në fund të vitit 2008, teprica e kredisë së sektorit bankar rezultoi 396.7 miliardë lekë, duke përfaqësuar 37 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Rreth 254 miliardë lekë rezultojnë si kredi e përftuar nga sektori i biznesit, duke shënuar një rritje me 69.6 miliardë lekë ose 38 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si edhe 13.6 miliardë lekë ose 6 për qind me tremujorin e tretë të vitit. Pjesa e portofolit e përfituar nga individët/familjet, vlerësohet në rreth 134.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 31.3 miliardë lekësh ose 30.3 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Qiratë e banesave

Gjatë vitit 2008, indeksi i qirasë shfaq luhatshmëri më të madhe krahasuar me indeksin e çmimit të banesave dhe njëkohësisht një prirje më të qartë rënëse. Pas një rënieje vjetore prej 9.5 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008, indeksi i qirasë u rrit me 7.5 për qind gjatë tremujorit të tretë, për t’u ulur sërish në tremujorin e katërt me rreth 5 për qind. Mesatarisht, gjatë vitit 2008, indeksi i qirasë pësoi një rënie prej 1.9 për qind krahasuar me vitin 2007. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2008, tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i ritmit të rritjes së çmimeve dhe nga luhatje të indeksit të qirasë, duke shënuar normat më të ulëta të rritjes vjetore që nga viti 2005.

Biznesi

Nga kredia për sektorin e biznesit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2008, rreth 75.6 miliardë lekë ose 29.7 për qind janë marrë në formën “overdraft”-it, rreth 48.7 miliardë ose 19.2 për qind janë marrë si kredi për kapital qarkullues, rreth 68.3 miliardë lekë ose 27 për qind përfaqësojnë investime në blerje makinerish dhe pajisjesh dhe rreth 61.2 miliardë lekë ose 24 për qind përfaqësojnë investime në pasuri të paluajtshme.

Kredia për konsum

Në fund të vitit 2008, kredia që ka shkuar për konsum të pastër, e identifikuar si kredi e dhënë për individët në formë “overdraft”-i për konsum të mallrave jo të qëndrueshëm dhe të mallrave të qëndrueshëm, vlerësohet 33.7 miliardë lekë ose rreth 8.7 për qind e totalit të portofolit të kredisë. Kjo shifër përbën gjithashtu 25.1 për qind e portofolit të kredisë së dhënë për individët dhe rreth 3.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kredi investimi

Kredia e përdorur për qëllime investimi, si për blerje pajisjesh dhe makinerish dhe për ushtrim aktiviteti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlerësohet rreth 80.3 miliardë lekë ose 20.7 për qind e totalit të portofolit të kredisë dhe 7.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kredia e përdorur për investime në pasuritë e paluajtshme, qoftë për biznese apo edhe për individë vlerësohet 149.8 miliardë lekë ose 13.9 për qind e PBB-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›